Mbi 160 tendera korruptivë, me pazar në tavolinë, klientelistë dhe me zarfe të mbushura me euro, ka marrë hajduti i certifikuar Njazi Prençi, kryesisht nga bashkitë dhe në sektorin e shëndetësisë.
Tenderat nga Konispoli deri në Tropojë, Njazi Prençi i ka marrë përmes tre kompanive të tij familjare dhe të skeduara për afera korruptive: Regli, Mc Catering dhe Eglenti.
Pronar i Regli shpk është vetë Njaziu, i dënuar nga gjykata për korrupsion me tenderat dhe korruptim të funksionarëve publikë. Pronarë në letra të kompanisë Mc Catering shpk ka vendosur të birin, Gentjan Preçin, i cili shpenzon për luks paratë publike.
Pronare të kompanisë Eglenti shpk ka vendosur të bijën Eglantina Prençin. Llogaritë e parave menaxhohen nga bashkëshortja e Njazi Prençit, e cila është kushërirë e Safet Gjicit.
Tenderat kanë si objek ndërtimin dhe rikostruksionin e objekteve publike deri tek furnizin me mish, ushqime të ndryshme dhe fruta-perime.
Duket e pabesueshme, por Njazi Prençi është bashkuar me të birin dhe të bijën, duke krijuar bashkim të tre kompanive dhe duke marrë 9 tendera korruptivë dhe klientelistë tek Drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve pranë Bashkisë së Tiranës.
Tenderat janë marrë me letra false, pasi tre kompanitë paraqesin numër punëtorësh dhe kapacitete teknike të rreme, pasi i njëti punëtor rezulton në të tre kompanitë familjare.
Skandali është konstatuar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, por pushtetarët e korruptuar vijojnë të kalojnë paratë publike në llogaritë e Njaziut, para të cilat i investon në vila, makina luksoze dhe bredh me dashnore nëpër hotele luksoze.
Skandali më i rëndë është se Njaziu, pasi merr tenderin, mashtron me zbatimin e kontratave, siç ishte rasti i punimeve që nuk ekzistonin në një përrua në Krujë, por edhe shkolla në Thumanë, e cila u shemb sapo Njaziu futi në xhep 600 milionë lekë.
Dënimi për vjedhje të parave publike
Njazi Prençi është dënuar në vitin 2018 me dy vite burg për vjedhjen e 80 milionë lekëve me një tender me vlerë 200 milionë lekë, me ish kryetarin e Bashkisë së Krujës, Shkëlzen Hoxha, përfaqësues i PD, por përkatësia partiake nuk ka asnjë rëndësi në fushën e vjedhjes me tendera.
Paratë ishin akorduar gjoja për të ndërhyrë në një përrua, për të shmangur përmbytjet, por lekët i kanë ndarë bashkë, siç ndodh zakonisht.
Sipas dosjes vjedhja është kryer përmes kompanisë REGLI Shpk me pronar Njazi Prençin.
REGLI Shpk vijon të marrë tendera me paracaktim dhe korruptivë.
Shembja e shkollës në Thumanë
Në shtator të vitit 2019, Njazi Prençi mori 590 milionë lekë për të rikonstruktuar shkollën 9-vjeçare ‘Ramazan Jangozi’ në Thumanë, pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i vitit 2018.
Edhe pse kishte dy muaj që ishte rikonstruktuar, shkolla u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Edhe me shkollën, Njazi Prençi, kishte mashtruar si me përroin e Krujës, por këtë radhë nxori në skenë edhe të bijën, të cilën po e stërviste për lojën e tenderave.
Fillimisht mori tenderin në mënyrë korruptive, me ofertë sa fondi limit. Më pasi bëri sikur ndërhyri dhe futi paratë në xhep.
Nëse fëmijët do të ishin brenda, korrupsioni i Njazi Prençit me gjoja rikonstruksionin, do të ishte një katastrofë njerëzore.
Fatmirësisht, fëmijët nuk ishin në shkollë. Duket e çuditshme se si SPAK ende nuk e ka hapur këtë dosje kaq flagrante.
Në këtë aferë, ka marrë pjesë edhe Eglantina Prençi, me kompaninë e saj Eglenti shpk, që është një maskë e Njaziut dhe që ndryshon emrin pas çdo afere.
Njazi Prençi kontrollon edhe kompaninë famëkeqe të korrupsionit me tendera, M.C.CATERING, themeluar në vitin 2007. Nga një kompani për organizim dasmash, M.C.CATERING u kthye në një kompani që po merr tenderat kryesorë për furnizim me mish, bylmet dhe ushqime institucionet publike.
Administratori dhe pronari në letra i kësaj kompanie është Gentjan Prençi, një çunak 28 vjeçar, që është i biri i Njazi Prençit.
Në janar të vitit 2012, Njaziu ia dhuroi kompaninë të birit, i cili po ecën në gjurmët e babait, duke mbushur xhepat me paratë e shqiptarëve, në bashkëpunim me zyrtarët sekserë të babait.
Me Njaziun në prapaskenë dhe Gentjanin në skenë, M.C.CATERING ka arritur të marrë deri më tani mbi 120 tendera me vlerë miliona euro, në mënyrë klienteliste, me ofertë sa fondi limit dhe duke nxjerrë jashtë loje kompanitë me ofertë më të ulët.
Ditët e fundit, Njazi dhe Gentjan Prençi kanë realizuar një aferë me përmasa të frikshme, e cila është një sfidë për SPAK, nëse në Shqipëri ka ardhur koha për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë.
Qendrat e korrupsionit të çunakut 28-vjeçar janë Bashkia e Gjirokastrës, Bashkia e Krujës, Bashkia e Tiranës, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Bashkia e Durrësit dhe sigurisht Bashkia e Kukësit, e cila drejtohet nga Safet Gjici, i njohur edhe si Gjici i Mishit.
Kujtojmë se sipas të gjitha raporteve vendase dhe ndërkombëtare, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara është qendra më e madhe e vjedhjes së parave publike në Shqipëri, përmes tenderave korruptivë.
Shumë zyrtarë të kësaj agjencie janë sot në burg për shkelje të barazisë në tendera, por vjedhja nuk ndalet.
Me sa duket SPAK duhet të lëshojë një urdhër për ta sekuestruar këtë agjenci në tërësi si provë kriminale.
Në skenë Safet Gjici (mishi mirë)
Klani korruptiv Prençi, ku përfshihet Njaziu, Gentjani dhe Eglantina, kanë lidhje familjare me kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, një nga zyrtarët më të akuzuar si i korruptuar dhe i babëzitur në Shqipëri, i njohur ndryshe edhe si Gjici i ‘Mishit’.
Kompania e parë e Njazi Prençit, me të cilën vodhi 80 milionë lekë dhe u dënua bashkë me ish-kryebashkiakun e Krujës, është themeluar në fakt nga një kushëri i afërt i Safetit nga Bushtrica, i cili është edhe daja i dy fëmijëve të Njazi Prençit, që sot po bëjnë kërdinë me tendera korruptivë.