Shkupi i ka thënë po propozimit francez, duke i hapur rrugën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të ulen në tryezën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, konferencë e cila do të mbahet nesër.
Por çdo gjë nuk është aq e thjeshtë sa duket, pasi tani Shqipëria vihet përballë përgjegjësisë, se deri ku ka arritur me detyrat që i ka caktuar Bashkimi Evropian. Kryeministri Edi Rama nuk mund të shfajësohet për çdo gjë që do të shkojë keq dhe asgjë nuk mund ta shpëtojë nga “pesha e rëndë” që ka mbi shpinë nga kthesa e madhe që mund të marrin në vijim negociatat.
Tani, kreu i qeverisë shqiptare, nuk mund t’i vërë gishtin për ta quajtur fajtor asnjë shteti, siç ishte rasti i fundit i Bullgarisë, se ajo na la jashtë Bashkimit Evropian, por zbatimi i reformave të ndërmarra nga qeveria dhe të orientuara nga ndërkombëtarët do të jenë vendimtare.
15 kushtet e BE për Shqipërinë, as gjysma nuk janë përmbushur
Shqipëria do duhet të përmbush, si fillim 15 kushte, me qëllim avancimin e hapjes së kapitujve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Nga një verifikim, rezulton se disa prej këtyre kushteve nuk janë përmbushur, ndërsa pjesa tjetër has në problematika të shumta në zbatueshmëri. Janë shënuar hapa prapa në përmbushjen e disa kritereve jetike për të vijuar rrugëtimin drejt “unionit”.
Sivjet raportet e vënë theksin te korrupsioni i lartë në vend, pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë për shitblerjen e votave, lufta kundër krimit të organizuar ndërsa statistika dëshmojnë numër të lartë riatdhesimesh të Shqiptarëve që kërkojnë ‘tokën e premtuar’ në Evropë. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e mbushur me kushte dhe ato duhen përmbushur. E kushtëzuar madje ishte edhe “Po-ja” që Shqipëria mori për hapjen e negociatave marsin e vitit 2020.
Rrugëtimi i vendit drejt Bashkimit Europian ka qenë i mbushur me kushte prej 27 qershorit të vitit 2014, kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Kushtet janë të shumta e të shtrira në disa drejtime, ato janë vendosur sa nga institucionet e Bashkimit Europian dhe të tjera nga vendet anëtare.
Shqipëria dështon në kushtin kryesor të BE
Nëse e nisim nga Reforma Zgjedhore, e cila u miratua më 23 korrik të vitit 2020, vazhdon të komentohet si reformë e cila nuk i përmbush pritshmëritë e ndërkombëtarëve. Lëvizje pozitive ka patur në Gjykatën e Lartë dhe tek Kushtetuesja, por nëse për kushtet e marra në analizë deri më tani vendi ka bërë pak hapa para, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në raportin e progresit të Komisionit Europian të tetorit 2021 thuhej se numri i çështjeve për korrupsion, që përfshijnë zyrtarë të lartë ende mbetet i kufizuar dhe vazhdon kultura e mosndëshkimit në nivelet e larta të shtetit. Po kështu së fundmi është edhe raporti i Departamentit amerikan të Shtetit i cili jep një pasqyrë negative të situatës në vend. Aty thuhet se Shqipëria është një vend me korrupsion të lartë si në pushtetin vendor ashtu dhe në qeverinë qendrore.
Çfarë do të thotë Konferencë e parë Ndërqeveritare
Nuk do të thotë hapje negociatash, por në konferencë do të mblidhen përfaqësues të qeverisë për të përcaktuar dhe diskituar kornizat themelore. Këto korniza përcaktojnë udhëzimet dhe parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat. Komisioni do të fillojë menjëherë punën e nevojshme përgatitore. Negociatat zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet konferencë ndërqeveritare.
Faza e parë përfshin shqyrtimin rigoroz të legjislacionit të vendit kandidat; negociatat pastaj vazhdojnë në mënyrë metodike përmes një sërë legjislacioni të BE-së, të cilin vendi kandidat duhet të miratojë, dhe zbatojë. Negociatat shtrihen edhe në të drejta dhe detyrime të tjera që të gjitha shtetet anëtare duhet të pranojnë, këto njihen si Community acquis. Negociatat e anëtarësimit duhet të përfundojnë përpara se një shtet i ri anëtar të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Reformat politike dhe ekonomike të kryera nga vendi kandidat monitorohen dhe vlerësohen rregullisht dhe ritmi i negociatave përcaktohet nga rezultatet. Vetëm kur të gjitha palët janë të kënaqura, procesi përfundon me nënshkrimin dhe ratifikimin e një Traktati të Aderimit.
Gjatë procesit të negociatave për anëtarësim, kandidatët dhe vendet kandidate potenciale mund të marrin mbështetje përmes Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA). Kjo përfshin një sërë programesh ndërkufitare me shtetet anëtare të BE-së, të cilat pasqyrojnë nga afër funksionimin e fondeve strukturore. Negociatat e anëtarësimit janë aktualisht në vazhdim me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Negociatat janë hapur edhe me Islandën, por aktualisht janë në pritje. Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformave dhe përafrimi i legjislacionit të vendit me atë të BE-së.