Prokuroria e Posaçme ka ka kërkuar sekuestro preventive të pasurisë së Anton Gjinajt pasi dyshohet se janë vënë si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë. Në listën e pasurive të sekuestruara janë një numër i madh kompanish në emër të Anton Gjinajt si edhe toka të shumta në të gjithë vendin, krahas makinave luksoze në emër të tij.
Për shkak të ‘karrierës’ së tij me aktivitetin në trafikun e drogës, Gjini ishte pagëzuar edhe me nofkën “El Chapo shqiptar”.
Mësohet se Gjini, i dënuar me tetë vite e nëntë muaj burg për trafik droge në Spanjë rezulton të jetë pronari i kompanisë ‘Alesio-2014’, e cila është active në fushën e ndërtimit, ka në zotërim palestra, lokale dhe jo vetëm.
Me emrin Anton Gjini, trafikanti i kamufluar si biznesmen ka arritur që të pastrojë paratë në Tiranë, nën hundën e SPAK, madje duke përfituar edhe tendera në mënyrë të dyshimtë, ku oferta fituese është gati sa fondi limit.
Përmes kompanisë ‘Alesio-2014’, Anton Gjini ka nisur të marrë tendera nga kryebashkiakët Artur Bushi, Erion Veliaj dhe Vangjush Dako.
Edhe pse ligji për prokurimin publik parashikon qartë përjashtimin nga tenderat dhe kontratat publike të personazheve që janë dënuar për veprimtari në fushën e narkotikëve, Gjini, vetëm nga Veliaj ka marrë dy tendera me vlerë rreth 7 miliardë lekë.
Dhe për rrjedhojë, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, ka mbyllur sytë para faktit që personi me dy identitete ka marrë edhe tendera dhe ka arritur të pastrojë paratë poshtë hundës së SPAK.
Rrap Pashku është arrestuar dhe dënuar për trafik droge në Itali dhe Spanjë, akte dhune ndaj zyrtarëve publikë dhe shfrytëzim dhe njihet si një prej ish-bosëve të krimit në Milano.
Përtej këtyre, ajo që bie në sy në listën e gjatë të pasurive të sekuestruara me urdhër të SPAK janë kompania e ndërtimit “ALESIO – 2014” shpk, me NIPT Nr. L41713003M si edhe shoqëria “GARDEN RESIDENCE TURDIU” shpk, me NIPT Nr. L91425024V.
“ALESIO – 2014” shpk është një kompani ndërtimi që ka marrë tender me vlerë dhjetëra milionë euro për ndërtim rrugësh në të gjithë vendin dhe specifikisht në Bashkinë e Tiranës. Krahas ndërtimit të rrugëve, “ALESIO – 2014” shpk është futur gjatë viteve të fundit edhe në sektorin e ndërtimit të apartamenteve të banimit dhe të biznesit.
Projektet më të rendësishme ku është e përfshirë kompania janë ai i pallateve te “5 Maji”, për të cilin është bërë një debat i madh politik në vend, krahas protestave të banorëve si edhe faza III dhe IV e “Garden Residence Turdiu” në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë. Me një marrëveshje me investitorin e mëparshëm. Kompania e Anton Gjinajt ka marrë përsipër ndërtimin e fazës III dhe IV të këtij kompleksi të madh pallatesh, ndër më të mirët në zonë.
Pikëpyetjet më të mëdha në këtë rast lidhen me fatin e këtyre dy investimeve të mëdha, pasi mijëra qytetarë kanë investuar kursimet e tyre për të blerë apartamente të ndërtuara nga “ALESIO – 2014” shpk.
Mjaft prej hyrjeve janë prenotuar me paradhënie, kur ndërtimi ishte ende në “gropë”, ndërkohë që tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë fati i investimit që kanë bërë një numër i madh qytetarësh në projektet e zhvilluara nga “Alesio-2014” shpk.