Kontrolli i Lartë të Shtetit ka arritur në konkluzionin se kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, është përgjegjës për shkeljen e procedurave në tenderin me vlerë mbi 300 mijë euro për ndërtimin e kanalizimeve në zonën e Potamit.
Tenderi është zhvilluar në vitin 2019 dhe është fituar nga kompania “Gjikuria”, e oligarkut Lenc Gjikuria, i cili korrupton këdo që i del para në rrugën e pasurimit duke përlarë paratë publike dhe shkatërrimin e mjedisit.
Audituesit shtetërorë kanë konstatuar se autoriteti kontraktor, pra Bashkia Himarë, ka vendosur kritere kualifikuese, të cilat kufizojnë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në tender.
Procedura tenderuese me objekt “Ndërtimi i rrjetit të jashtëm të kanalizimeve të ujerave të zeza dhe stacioni i pompimit, Lagja Potam” është shpallur në gusht të vitit 2019.
Fondi limit i vendosur për këtë tender nga Bashkia Himarë ishte 34.868.272 lekë të reja.
Në garë rezultojnë se kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, njëri prej të cilëve është tërhequr para se të hapeshin ofertat.
Në përfundim, në procedurë ka mbetur vetëm kompania “Gjikuria”, e cila është shpallur fituese me ofertë 34.160.214 lekë të reja, ose sa 98 përqind e fondit limit.
Shkeljet
Ky tender ishte objekt i një ekspedite verifikuese nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka publikuar së fundmi raportin, së bashku me rezultatet konkrete.
KLSH ka arritur në përfundimin se “Gjikuria” plotësonte kriteret kualifikuese.
Por, përpara se të arrihej në këtë pikë, duket se Bashkia e Himarës ka bërë gjithçka që të favorizonte kompaninë e biznesmenit Lorenc Gjikuria.
Diferenca qëndron gjithnjë tek detajet e vogla.
Bashkia e Himarës kishte përcaktuar disa kritere, të cilat mund të plotësoheshin vetëm nga një numër shumë i kufizuar operatorësh ekonomikë dhe që nuk ishin aspak në proporcion me shërbimin e kërkuar.
Kështu, administrata e Jorgo Goros kishte vendosur që kualifikoheshin në këtë tender kompani që kishin të paktën 100 të punësuar.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “…kërkesa për disponimin e 100 punonjësve të pasqyruar në listëpagesat e shoqërisë, është një kërkesë joproporcionale dhe e pajustifikuar nga autoriteti kontraktor, si dhe jo në përputhje me nevojat reale, për ekzekutimin e kontratës në mënyrë të suksesshme”.
Po ashtu, Bashkia Himarë kërkonte që kompanitë të kishin të punësuar të paktën 17 punonjës të pajisur me dëshmi kualifikimi te sigurimit teknik nga subjekte juridike private te akredituara për çertifikimin e punonjësve.
Edhe kjo kërkesë u konsiderua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si “e ekzagjeruar dhe përtej asaj se çka është e nevojshme për realizimin me sukses të kontratës”.
Bashkia e Himarës kërkonte që, një ndër kushtet kualifikuese, ishte që kompanitë të kishin licensë për mbrojtjen nga zjarri.
KLSH vlerëson se ky kriter “nuk lidhet me natyrën e kësaj kontrate. Vendosja e këtij kriteri kufizon pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë, sepse nuk ka asnjë relevancë në vlerësimin e aftësisë zbatuese të operatorëve ekonomikë për zbatimin e kësaj kontrate”.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto kritere kualifikuese nuk janë në përputhje me parashikimet ligjore dhe për këtë arsye “ngarkohen me përgjegjësi anëtarët e Njësisë së Hartimit të Dokumentave të Tenderit në Bashkinë e Himarës, si edhe titullari i saj, Jorgo Goro, në cilësinë e miratuesit të këtyre kritereve”.