Mëngjesin e parë të këtij muaji, 1 gushtit, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit z. Gledian Llatja ka zgjedhur ta nisë me një vizitë në Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve. Duket se shkaku i vetëm i këtij takimi “blic” me punonjës së kësaj administrate ka qenë shkrimi i para disa ditëve të publikuar nga Ekskluzive.al: “Në Bashkinë e Elbasanit hajdutët të bëjnë karshillëk: Vjedhin 1 milion dollarë, në vend që të arrestohen… ngrihen në detyrë”.
Kritikave tona konkrete drejtuar Prokurorisë së Elbasanit për ngadalësi në shqyrtimin e dosjeve korruptive të UKE-së, por edhe ndaj Kryetarit të Bashkisë për emërimet që ai i bën këtyre të denoncuarve, mësohet se Kryetari Gledian Llatja ka preferuar t’u përgjigjet tërthorazi duke shfrytëzuar Facebook-un.
Me mendimin e mirë që ka për veten dhe faqen e tij zyrtare në Facebook, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit u ka kërkuar vartësve të tij në UKE, të bëjnë sa më shumë Like & Share poshtë postimeve të tij. Gjithashtu, z. Llatja nuk ka harruar t’u kujtojë atyre raportin javor që merr nga një punonjëse e caktuar nga ai vetëm për të kontrolluar Like-t dhe Share-t e tyre në këtë faqe.
Pra, në vend se të jetë bashkëpunues me Prokurorinë për të verifikuar dosjet korruptive dhe të nxjerrë përgjegjësitë deri në fund, Z. Llatja tregon se paguan me lekët e taksapaguesëve të Elbasanit, një punonjëse që të vigjëlojë se kush i bën dhe, kush heziton t’i bëjë Like & Share në Facebook.
Në këtë takim të shkurtër, nuk u tha asnjë fjalë për bilancin katastrofik të humbjeve financiare të kësaj shoqërie ku Bashkia e z. Llatja është aksionere. Është rasti t’i kujtojmë z. Llatja, se faqja e tij e Facebook-ut nuk është shtegu që e shpëton Bashkinë që ai drejton nga abuzivizmi dhe korrupsioni galopant.
Gjithashtu, modestisht i kujtojmë dashnorit të Facebook-ut se, me këto sjellje shpërfillëse dhe fodulle, është në rrugë pa krye. Çdo betejë mediatike e fiton ai që ka me vete të vërtetën. Like-t dhe Share-t e vartësve në Facebook, nuk janë raketa që mund të të mbrojnë përballë akuzave konkrete. Në SPAK nuk të pyet njeri për to.