Një grupim i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut” ka publikuar e-maile që ndodhen në postën elektronike të kryeministrit Edi Rama.
Në faqen e internetit https://homelandjustice.ru/ hakerat kanë ngarkuar dhjetra materiale që kanë ardhur në adresën e kreut të qeverisë, madje edhe ato që janë fshirë nga inbox.
Një ditë më parë në këtë faqe lexuesit u pyetën nëse ishin të interesuar të publikoheshin emailet e kryeministrit apo të ministrave.
Së fundmi janë publikuar edhe disa emaile të mbërritur nga një kompozitor i njohur shqiptar në “inbox-in” e kryeministrit. Kompozitori i “ankohet” Ramës, ndërsa komenton një lajm të publikuar më 23 prill të vitit 2021, pak pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Kompozitori i kërkon Ramës që të arrestohen personat e përfshirë dhe të mos lejohen të hyjnë në Parlament. Në një fragment në mesazhin e tij drejtuar Ramës ai përmend edhe deputetin Xhelal Mziu duke thënë se ka paralajmëruar vrasje të tjera.
Po ashtu Kompozitori në një tjetër email të dërguar kryeministrit Edi Rama, denoncon presidentin Ilir Meta ku përmend sfurqet dhe hanxharët. Ai shkruan se këto mesazhe të Metës u duhen çuar në anglisht të gjithë ambasadorëve të BE.