Qeveria e Malit të Zi ka miratuar ditën e djeshme Marrëveshjen Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Kryeministri Dritan Abazoviç deklaroi se kjo marrëveshje është miratuar pas më shumë se katër orë diskutimi, ndërsa u votua nga 13 ministra. 5 ishin kundër, ndërsa tre ministra nuk morën pjesë në seancë. Me këtë vendim, qeveria miratoi Marrëveshjen e dakordësuar më parë nga kryeministri Dritan Abazoviç me patriarkun Porfirije, përkundër kundërshtimit të një pjese të ministrave dhe shumicës parlamentare që e përkrah atë Qeveri.
Zëvendëskryeministri RashkoKonjeviç tha se qeveria e Dritan Abazoviçit po humb kështu shumicën parlamentare që e ka mbështetur deri më tani. Ky vendim e çon qeverinë malazeze në fije të perit. Reagimi i fortë ishte ai i Abazoviç, i cili ka dërguar një mesazh të fortë për ata që duan ta rrëzojnë. Kryeministri tha ditën e djeshme se ata që duan t’i “presin kokën” duhet të nxitojnë, sepse në të kundërtën do të përfundojnë së shpejti në burg.
Çfarë përmban marrëveshja?
Marrëveshjes Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare. Kishës i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.
Paralajmërohen zgjedhje të reja në Malin e Zi
Pas miratimit të këtij dokumenti, Marrëveshja Themelore do t’i dërgohet Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd, i cili gjithashtu duhet ta pranojë atë. Më herët, disa nga partitë që janë në Qeveri ose e mbështesin atë në Parlament, kanë paralajmëruar nismën për shkurtimin e mandatit të Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në rast se Qeveria e pakicës së Abazoviçit e miraton Marrëveshjen Themelore.
Gjukanoviçi nis procedurat për shkarkimin e Abazoviçit
Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, që nga momenti i publikimit, shkaktoi konflikte brenda Qeverisë së Dritan Abazoviçit dhe mes anëtarëve të shumicës qeverisëse. Një pjesë e mazhorancës qeverisëse, DPS dhe Partia Socialdemokrate, njoftuan se Marrëveshja Themelore është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi, nuk është në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me ligjet malazeze.
Kryeministri Dritan Abazoviç hodhi poshtë po ashtu, kundërshtimet e paraqitura nga organizatat joqeveritare, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Malit të Zi dhe institucionet e tjera për versionin e Marrëveshjes Themelore. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e MilloGjukanoviçit, e cila njoftoi dje se do të ndërmarrë nismën për votëbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviçit.
“Marrëveshja e nënshkruar dje, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftimin e DPS-së. DPS-ja e Gjukanoviçit, si partia më e madhe në Parlament, deri më tani e ka mbështetur Qeverinë pakicë të Dritan Abazoviçit. Ajo, gjithashtu, ka dhënë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për funksionimin e saj.
DPS dorëzon mocionin për votëbesimin e Dritan Abazoviç
Një ditë më parë Partia Demokratike e Socialistëve ka depozituar në parlamentin e Malit të Zi kërkesën për votëbesimin e kryeministrit Dritan Abazoviç. Lajmin e ka dhënë kryetari i klubit të përfaqësuesve DPS, Danijel Zhivkoviç, i cili tha se forca politike që përfaqëson ka dorëzuar kërkesën për votëbesimin e Qeverisë së Malit të Zi.
\Partia Demokratike e Socialistëve njoftoi më herët gjatë ditës së sotme se do të nisë një iniciativë për votim mosbesimi ndaj Qeverisë së Malit të Zi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe.Përveç përfaqësuesve të asaj partie, në konferencë kanë qenë të pranishëm edhe DraginjaVuksanoviçStankoviç, deputete e Partisë Socialdemokrate (SDP).Zhivkoviç tha iniciativa për votëbesimin e Abazoviç nuk vjen për shkak të marrëveshjes me Kishën serbe, por për shkak se kryeministri është sjellë si një person të cilit nuk mund t’i besohet.