Ilir Meta duket se ka qenë në garë me Sali Berishën këtë të enjte, se kush bënte deklarata më të forta kundër Edi Ramës, për ngjarjen e rëndë të Himarës.
Ndërsa Berisha tha se Rama duhej të kishte shkarkuar ministrin e Brendshëm, Meta shkoi edhe më tej, duke thënë se në fakt, përgjegjës për vdekjen e vajzës 7-vjeçare në Himarë është direkt Edi Rama.
“Është ngjarje e përsëritur, ky është problem më i madh. Vetëm shpirti i protestës do vendosë në kontroll pushtetin në duart e qytetarëve.
Jo vetëm që kemi disa ministra që duhet të japin dorëheqje, por njëkohësisht Shqipëria nuk e ka luksin që në një tronditje të tillë, që të dëgjojë përrallën se mos e teproni me politikë me këtë ngjarje se po na prishni imazhin e turizmit.
Përgjegjësia është e një kryeministri të papërgjegjshëm, që e ka ligjin dhe nuk e zbaton. E ka vendimin e qeverisë por nuk e zbaton. Duhet të ndiqen për shpërdorim detyre”, tha Meta.
“Kjo është ngjarje e përsëritur. Mjafton rasti i të riut Klodian Rasha, se si mund të vritet një djalë 25-vjeçar se doli të blej cigare.
Mjafton të shohim si u manipulua ngjarja nga shteti për të paraqitur djalin si vrasës. Duhet të bëhet një hetim i plotë për ngjarjen, për të kuptuar që nuk kemi të bëjmë me shtet por me një bandë kriminale.
Për fat të mirë kemi një popull që ka vendosur të zgjohet, të ngrihet dhe të tregojë fuqinë e tij”, vijoi Meta.