Teksa krimi i organizuar po konsolidohet dhe po forcon nga dita në ditë pozita, jovetëm në Shqipëri, por edhe në botë, madje deri në Amerikën Latine, institucionet ligjzbatuese në vend kanë nisur të marrin masa për ta luftuar këtë fenomen me zero tolerancë.
Gazeta ka mësuar se institucioni i akuzës në Shqipëri, i drejtuar nga kryeprokurori Olsian Çela, ka hedhur piketat e parë të luftës kundër krimit të organizuar shqiptar, i cili shtrihet në shumë shtete. Këtë herë, zoti Çela ka vendosur të nisë “gjuetinë” ndaj bosëve të krimit dhe ndërkohë i ka shpallur luftë edhe pastrimit të parave, në plot 21 shtete ish-spanike, duke nënshkruar marrëveshje me homologët e tij.
Më konkretisht Prokuroria e Përgjithshme dhe Shoqata Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë (AIAMP) nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, ku shprehën gatishmërinë për bashkëpunimin në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave dhe çdo krim tjetër me interes të përbashkët si dhe për përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe shkencore në fushën e të drejtës penale.
Bëjmë me dije se vendet që bëjnë pjesë në Shoqatën Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë (AIAMP) janë: Argjentina, Bolivia, Brazili, Kolumbia, Costa Rica, Kili, Cuba, Ekuadori, El Salvador, Spanja, Guatemala, Honduras, Nicaragua, Mexico, Panama, Paraguai, Peruja, Portugali, Republika Dominikane, Uruguai dhe Venezuela.
Kryeprokurori Çela jep detaje
Ndërkohë në një njoftim të Prokurorisë së Përgjithshme, bëhet e ditur se Prokurori i Përgjithshëm Z. Olsian Çela, nënvizoi faktin se krimi kibernetik dhe përdorimi gjithnjë e më masiv i teknologjisë në kryerjen e krimeve me karakter transnacional, kërkon urgjentisht një rritje të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, të aftë për t’i kuptuar dhe përballuar ato.
“Në nivel global, ka një ndërveprim në rritje midis kriminelëve të të gjitha llojeve. Ata po përdorin me sukses të gjitha mundësitë që ofron dixhitalizimi. Rritja eksponenciale e përdorimit të kriptomonedhave dhe rreziku që ato paraqesin për sa i përket çështjeve të sigurisë, si për shembull mundësitë që krijojnë për të lehtësuar pastrimin e parave, është një shembull i qartë i nevojës urgjente për të ripërcaktuar modelet dhe strategjitë e luftës ndaj krimit. Nuk ka kohë për të humbur. Ne jemi të detyruar t’i përshtasim strukturat dhe prioritetet tona ndaj këtyre tendencave”, deklaroi zoti Çela.
Hynë në lojë edhe Eurojust
Më tej, sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurori Çela, theksoi para homologëve të tij, se përmes bashkëpunimit do të konsolidohen përvojat dhe kapacitetet si dhe do të rritet kohezioni i reagimit të organizuar institucional ndaj kërcënimeve serioze për sigurinë e përbashkët. EU4FOCAL asistoi procesin deri në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit. Gjatë takimit u nënshkrua gjithashtu edhe një Memorandum Bashkëpunimi midis Eurojust dhe Shoqatës Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë (AIAMP).