Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve 2022 ndër të tjera është vënë theksi tek dy situata tepër të rënda që rëndojnë mbi Sali Berishën, sic janë ngjarja e rëndë e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 protestues si edhe dhuna që u ushtrua në selinë e PD në datën 8 Janar ku kërkonte të largonte me forcë Lulzim Bashën nga partia.
Berisha u shpall nga DASH edhe person “Non Grata”, pasi akuzohet si i përfshirë në korrupsion dhe minim të demokracisë.
“Dhuna politike është e rrallë, rastet më të fundit janë një përpjekje e udhëhequr nga një ish-lider shqiptar i caktuar nga USG për korrupsion për të thyer selinë e partisë në janar 2022 që kërkonte ndërhyrjen e policisë dhe protestat politike në 2019 që përfshinin raste të mosbindjes civile, niveli i dhunës dhe dëmtimi i pronës, si dhe përdorimi i gazit lotsjellës nga policia.
Zgjedhjet në Shqipëri të prillit 2021 dhe kalimi në një qeveri të re ishin paqësore, ashtu si edhe zgjedhjet lokale të qershorit 2019. Më 21 janar 2011, forcat e sigurisë qëlluan dhe vranë katër protestues gjatë një demonstrate të dhunshme politike. Në marrëdhëniet e saj të jashtme, Shqipëria zakonisht ka inkurajuar stabilitetin në rajon dhe ruan marrëdhënie përgjithësisht miqësore me vendet fqinje”, shkruhet ndër të tjera në raport.
8 janari shënoi një ditë dramatike se si anëtarë të së njëjtës parti u përçanë dhe shkatërruan selinë e Partisë Demokratike. Mbështetës të Berishës me vare e çekiçë në duar shqyen dyert e blinduara nga Basha dhe thyen xhama e shkatërruan zyra, ndërsa mbështetësit e Bashës iu kundërpërgjigjën nga brenda me gaz lotsjellës. Kjo bëri që seli blu të kthehej në një skenë krimi për policinë dhe prokurorinë ku u arrestuan 34 persona.
Kjo përplasje për pak sa nuk shkaktoi një tjetër situatë tronditëse si ajo e 21 Janarit, ku sërish është Sali Berisha në krye të akuzave për vrasje. Në 21 janar të 2011-s, Partia Socialiste organizoi një demonstratë të madhe, pas një krize të thellë politike, e ndikuar shumë edhe nga një video-përgjim i Ilir Metës me ish-ministrin Dritan Prifti. 4 protestues gjetën vdekjen teksa ndodheshin përpara godinën së Kryeministrisë ku ndodhej dhe Sali Berisha, ndonjë prej tyre në distancë të konsiderueshme, ndërkohë që askush nuk është mbajtur deri më sot përgjegjës.