Nga Ardit Rada
Ilir Metës i ka shijuar thashethemi se ai mund të jetë kandidat i opozitës për kryebashkiak të Tiranës. Duke shfrytëzuar situatën e gushtit ku lajmi politik mungon, ai është stampuar si pullë poste në ekran çdo ditë duke u hedhur nga akuzat për dosjen ndaj tij, te provokimet për Bashkinë e Tiranës.
Për ta plotësuar pamjen e tij si kryeqytetas i devotshëm, Meta e ngrysi mbrëmjen si i “forti i Pazarit të Ri” dhe si buldozeri i Parkut Rinia, dhe e gdhiu si banor që po i zihet fryma nga ndërtimet duke harruar se e shoqja e ka pranuar se ndërtuan pallat te toka e babait në “Astir”.
Sot, teksa u pyet nëse do të kandidonte në zgjedhjet lokale të ardhshme, Meta s’e mohoi dhe u përgjigj se ndjen detyrim ndaj asaj që i ka ndodhur Tiranës. Në fakt, përgjegjësin e ndërtimeve informale nga Paskuqani në Sauk, e nga Kamza te “Fresku”, Ilir Meta e ka sot shok të ngushtë dhe aleatin më të vyer. Atë me të cilin sipas tij përbëjnë shumicën e hekurt dhe që i bashkon liria dhe Havzi Nela.
Por a është kjo panoramë që Meta po përpiqet të na japë, realisht plani i tij? I fiksuar pas pushtetit, duhet marrë e mirëqenë që idea për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës është më tepër një shantazh ndaj socialistëve. Sepse ai vërtetë mendon se është politikani më i dashur për popullin dhe ky është problem i madh. Tashmë që Ilir Metës i hoqën edhe teneqetë nga duart e s’ka si të dekorojë më këngëtarë tallavaje…
Tashmë që nuk ruhet me eskortë e s’e fton më njeri jashtë venditt, sigurisht që e vuan mungesën e pushtetit. Është dita e tetëmbëdhjetë që ai s’ka më dorë në financat e asnjë dikasteri dhe nuk urdhëron dot më njeri veç shokëve të vjetër në partinë e re. Kjo ndodh për herë të parë që prej vitit 2009.
Por më tepër sesa të na rrëfejë ëndrrën e tij të një dite gushti për të shtënë në dorë bashkinë më të madhe në vend, sot para Ilir Metës shtrohet tjetër detyrë. Së paku, opinion publik kërkon prej tij që dosjen ku thuhet se përmendet ta tërheqë e ta bëjë transparente.
Kjo jo për kuriozitet, sesa për të ditur përfundimisht se në cilën anë qëndron. Të Havzi Nelës apo të ish-sigurimsit M.B që dekoroi vetëm për të fituar mbështetjen mediatike të të birit. Se për hir të së vërtetës, vetëm gjatë presidencës së Ilir Metës ka ndodhur të dekorohen ish-funksionarët e syrit dhe veshit të Partisë.