Mungesa vret. Është gjithashtu edhe ‘nëna e shpikjeve’.
Në mes të këtij paradoksi, ne kemi humbur dhe kemi lulëzuar. Gjatë rrethimit të Leningradit, popullata e dëshpëruar hëngri buzëkuq, duhan, pastë muri dhe më keq. Në Leningrad do të kishin zier sot celuloidin për supë.
Kur guvernatorët e bankave qendrore kudo si dhe të dhënat nga institutet e statistikave flasin për rritje “apokaliptike” të çmimeve, le të shpresojmë se me lëvizjet e fundit, pas “dimrit do të vijë vera”, ose, se pas kësaj periudhe krize do të shpërthejë sërish ekonomia dhe konsumi, ose ajo të paktën nuk do të bjerë në ‘kanibalizëm’.
Por deri atëherë mund të mendojmë për faturat rekord të çmimeve të karburantit. Ato kanë ndikuar indirekt në transport dhe në prodhim. Fermerët para rritjes së tyre, prej farërave dhe plehrave kimikë, po përballeshin me vështirësi.
Konsumatorët dhe udhëtarët e zakonshëm aktualisht po paguajnë një biletë më të shtrenjtë, kudo nëpër udhëtimet e tyre ndër-qytetase. E ndërsa çmimi i naftës po bie në tregjet globale, a do të rikthehet një i tillë edhe në Shqipëri, në nivelet e paraluftës? A do të rikthehen edhe çmimet e transportit si para luftës?
Po çmimet e disa prej ushqimeve bazë, deri kur ato të jenë normalizuar në tregjet e huaja, a do të shkojnë në nivelet që ishin më parë, edhe në Shqipëri?
Për të zbutur krizën, si do të shpërndahen 120 milionë euro që qeveria shqiptare ka planifikuar për shtresat më në nevojë? Si do të identifikohen njerëzit më në nevojë e më të prekur nga kriza?
Janë të shumtë njerëzit e varfër erdhe në Britaninë e Madhe që sipas mediave vendase po anashkalojnë këto kohë vaktet. Ndërkohë, të gjitha ato fusha dikur me grurë ukrainase, aktualisht të mbjella me mina tokësore ruse, na çojnë në përfundimin se kjo krizë mund të jetë sfida më e madhe ekonomike e jetës së brezit aktual.
E tërë Europa e zhvilluar është sot e kërcënuar nga rritja e varfërisë. Vendi ynë është po kaq i kërcënuar nga varfëria ekstreme. Është më tepër përgjegjësi e politikave të majta që ta trajtojnë varfërinë ashtu siç duhet.
Politikanët u kanë thënë prej kohësh të varfërve se ata nuk e trajtojnë varfërinë ashtu siç duhet. Nuk duan apo nuk munden, historia e ka vërtetuar këtë me dhjetëra herë. Në një vend si Shqipëria, kjo ndoshta është e vërtetuar çdo ditë.