Një makinë që doli krejt papritur nga rruga në trotuar plagosi disa qytetarë mbrëmjen e sotme në Tiranë. Ata janë një çift bashkëshortësh dhe një e re.
Ngjarja ndodhi në afërsi të “Kodrës së Diellit”.
Tre këmbësorët, të cilët lëviznin në zonën mes Liqenit Artificial dhe Kodrës së Diellit, kanë marrë plagë dhe janë dërguar me urgjencë në spital. Siç shihet dhe nga pamjet, aksidenti ka ndodhur në një zonën të populluar pasi kjo rrugë shërben për të dalë te diga e Liqenit.
Në komunikatën e saj policia citon se në afërsi te “Kodra e Diellit”, D. G., 29 vjeçe, duke drejtuar mjetin ka aksidentuar këmbësorët Begzan Hysa, 60 vjeç, Valentina Hysa 57 vjeçe dhe A. T., 27 vjeçe, të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve’, njofton Policia e Tiranës. Burri ndodhet në gjendje më të rëndë thanë burime spitalore.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit, për të provuar nëse drejtuesja ka humbur kontrollin e mjetit nga pakujdesia, për shkak të ndonjë defekti teknik apo ka qenë nën efektin e substancave të ndaluara.