Policia vijon të kërkojë autorin e vrasjes së mbrëmjes së djeshme në Elbasan ku mbeti i vrarë 33-vjeçari Madrit Ulqinaku.
Ai është Horgito Peqini, 18 vjeç. Sipas informacioneve, mësohet se i riu është nipi i Eduart Peqinit, i njohur me emrin Mandela dhe i dënuar me burgim të përjetshëm.
Pas ngjarjes, policia mundi të arrestojë njërin nga bashkëpunëtorët, 18-vjeçarin Ejden Dino. Me vete atij iu gjetën një thikë dhe një dorezë metalike.
Ndërsa në kërkim vijon të jetë bashkëpunëtori tjetër, Klaudjan Sallufi, 33 vjeç.
Paraditen e kësaj të enjte, policia u rikthye sërish në vendngjarje për të siguruar prova të reja.
Madrit Ulqinaku ndërroi jetë në vend, pasi u qëllua me armë zjarri sapo doli nga lokali ku po konsumonte kafe, në afërsi të bulevardit kryesor të qytetit.
Ai nuk ishte person me precedent penalë. Kohët e fundit jetonte mes Italisë dhe Elbasanit.
Ngjarja, sipas policisë ndodhi pas një konflikti të çastit. Autori i dyshuar, Horgito Peqini mendohet të jetë ndihmuar nga të paktën 2 persona të tjerë për t’u fshehur. Ndërsa policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave te sigurisë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në sherr.