“Sunny Hill Festival” përfundoi në Kosovë, por pas disa ditësh do të zhvillohet dhe në Tiranë. Festivali filloi më 4 gusht dhe përfundoi suksesshëm më datë 7, në parkun e Gërmisë në Prishtinë. Në Tiranë pritet të mbahet nga data 26 deri më 28 gusht në Liqenin Artificial të Tiranës. Por në faqen zyrtare të festivalit tashmë pritet të publikohet formacioni i tyre për tre ditë rresht të performuesve në këtë festival në Tiranë.
“Tiranë! Bëni mirë të jeni gati për disa lajme super emocionuese rreth formacionit të festivalit, biletave dhe më shumë. Shumë shpejt vjen…”, thuhet dje në njoftim në faqen e festivalit. Në Prishtinë ylli botëror Dua Lipa, Mahmood, J Balvin, Skepta e Diplo, Elvana Gjata, Dhurata Dora, Ledri Vula, etj, ishin pjesë e festivalit.
Para nisjes së festivalit në Prishtinë më herët u mbajt një konferencë për mediat. Në fjalën e saj Dua Lipa u shpreh se ndihej shumë mirë, që po mbahej një festival i tillë në vendin e saj. “Faleminderit për suportin, për ndihmën dhe dashurinë që po na jepni çdo ditë, që ne ta bëjmë një festival të tillë. Ndihem shumë krenare që jam këtu, që kam mundësi me e sjell performancën. Kemi me u kënaq shumë sonte. Faleminderit shumë, po ndihem shumë mirë që në shtëpinë dhe vendin tim me e bë një gjë të tillë”, tha këngëtarja ndër të tjera në Kosovë.
Para nisjes së festivalit në Prishtinë nga faqja e “Sunny Hill” nisi një fushatë për liberalizimin e vizave për Kosovën. “Sunny Hill Festival ju fton të thërrisni me zë të lartë #Setmefree për një Kosovë pa viza. Njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të bllokuar integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë lirisht kufijtë pa vizë. Por ndërsa BE-ja vendos kufijtë rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatën tonë të gjallë për t’u lënë të lirë”, thuhej në postimin e “Sunny Hill Festival”. Edicioni i parë i “Sunny Hill” është mbajtur në vitin 2018 në Prishtinë.