Kastriot Ismailaj dhe Almir Rrapo, dy të dënuar me burg, njëri i arrestuar në Shqipëri, e tjetri i ekstraduar nga amerikanët kanë patur lidhje të forta me ish-presidentin Ilir Meta. Ismailaj i vetmi i ndëshkuar për aferën CEZ-DIA, është në prag të lirimit nga burgu për shkak se koha e vuajtjes së dënimit është drejt përfundimit dhe mund të jetë dëshmitar kyç për të “fundosur” Ilir Metën.
Ismailaj u arrestua 7 vite më parë, në 12 maj të vitit 2015, me kërkesë të prokurorisë, e cila po e hetonte që nga viti 2014 për pastrim parash dhe mashtrim. I konsideruar si dora e Ilir Metës në aferën CEZ-DIA, Kastriot Ismailaj u dënua nga Gjykata e Tiranës me 11 vite burg, më shumë se dy vite pas arrestimit, konkretisht në tetor të vitit 2017, për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash. Në skenë hyn një tjetër personazh që rrezikon pozitat e Ilir Metës.
Ai është Almir Rrapo, i cili ndodhet në SHBA dhe dyshohet se mund të bëhet dëshmitar për aferat që kishte me Metën. Ai ishte një nga njerëzit me të besuar të Ilir Metës, kur ky i fundit ishte ministër i Jashtëm, pas nisjes së bashkëqeverisjes me Sali Berishën, në shtator të vitit 2009. Rrapo shërbente edhe si sekretar personal i Ilir Metës. Në duart e tij kalonin të gjitha shkresat, pritjet, përcjelljet, organizimi i takimeve etj.
Rrapo ishte pjesë e klanit mafioz “Krasniqi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Klani akuzohej për vrasje, zjarrvënie, pastrim parash, trafik ndërkombëtar droge, grabitje me dhunë etj. Rrapo kërkohej në SHBA për krimet të rënda, ndërkohë që shërbente në zyrën e Metës. Historia e Rrapos dihet. Ai u arrestua në korrik të vitit 2010, në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe u ekstradua me urgjencë në SHBA, ku u dënuar me 6 vjet burg, pasi bashkëpunoi me drejtësinë dhe pranoi të gjitha krimet. Meta ka deklaruar se nuk dinte gjë për të shkuarën e Rrapos, të cilit i kishte besua detyrën e sekretarit.
“Fijet” që lidhin Metën me Almir Rrapon
Pas arrestimit nga SHBA, të Almir Rrapos, gjatë pushtetit Berisha-Meta, në “përkujdesjen” ish-presidentit të sotëm, ishte pajisur me certifikatë sigurie dhe me Statusin “Diplomat karriere”, duke u emëruar kryekëshilltar në Ministrinë e Jashtme, ndërkohë që ishte person në kërkim ndërkombëtar i shpallur nga SHBA, si drejtues i një bande kriminale.
Ndërsa Ilir Meta, e kishte emëruar Kryekëshilltar në Ministrinë e Jashtme, Almir Rrapo kishte dosjen e zezë, me krimet: “trafikim lëndësh narkotike; kërcënim, grabitje, rrëmbim personi, vjedhje, me shumë se 3 vrasje, si pjesë e organizatës kriminale “Krasniqi”, me bazë dhe aktivitet në Staten Island, Queens, në Distriktet Jug- Lindore të Nju Jorkut, Miçiganit e Konektikatit.
Prej vitesh, ai nuk arrestohej, mbasi dyshohej se mbrohej nga Ilir Metaj dhe në pazar mes tij e Berishës, Almir Rrapo ishte hequr nga lista e kërkimit ndërkombëtar në Shqipëri në ato vite, nga shefat e policisë shqiptare, të cilët i raportonin DEA-s Amerikane, se Almir Rrapo nuk ishte në Shqipëri, ndërkohë që e dinin, se ishte në zyrën e Ilir Metës.
Almir Rrapo u arrestua në datën 2 korrik 2010, brenda mjediseve të Ambasadës së SHBA në Tiranë, por me urdhër të dyshes mafioze Berisha-Metaj, gjykatat shqiptare, vonuan qëllimisht ekstradimin e tij në SHBA, duke luajtur me proceduarat dhe vendim-marrjen, në bashkëveprim me ministrat e drejtësisë të PD, por ultimatumi i SHBA, detyroi ekstradimin e tij dhe shumë shpejt, flitet se ai do jetë një tjetër “zë”, që do provojë krimet e çiftit Meta-Kryemadhi.
Ja si Meta ra në përgjim gjatë pazareve me Ismailajn
Zbardhet e vërteta e dosjes 978, ku presidenti aktual Ilir Meta dyshohet se ka bërë pazare në vitin 2009 me ish-kreun e DIA, Kastriot Ismailaj. Ishte gazetari Artan Hoxha ai që deklaroi se gjatë përgjimeve që prokuroria i kishte bërë Ismailajt, ka rezultuar që Meta i ka dërguar një SMS, ku kërkon 200 mijë euro.
Por gazeta ka bërë një sërë kërkimesh, duke zbuluar detajet e plota mbi këtë dosje dhe se çfarë ka ndodhur realisht me të. Kastriot Ismailaj, njihet si personi që boshatisi arkën e CEZ përmes kompanisë DIA, e cila merrej me mbledhjen e borxheve. Por para kësaj, në vitin 2008 nisi një hetim ndaj tij për pastrim parash dhe në maj të 2008 u vendos në përgjim nga prokuroria, përgjime që zgjatën deri në qershor 2009, pra gati një vit. Kastriot Ismailaj është hetuar nga Prokuroria e Tiranës në cilësinë e administratorit të kompanisë “Adriatic Development Corporation”.
Prokuroria dyshonte se Kastriot Ismailaj kishte kryer në një bankë të nivelit të dytë disa transferta në mbërritje në shumën prej 4.5 milionë USD dhe 800 mijë euro. Këto para ishin dërguar nga shoqëria “Hassans” në Gjibraltar. Paratë e dërguara në emër të shoqërisë “Adriatic Development Corporation” ishin transferuar në dalje në shumën prej rreth 3 milionë euro. Transferimi ishte bërë duke e copëzuar në dalje këtë shumë, ku përfitues ishin kompani dhe shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Përshkrimet në këto transferta konsistonin në: pagesa për studime vizibiliteti në projekte minierash, për shërbime ligjore, për shpenzime zyre, për konsulentë etj.
Duke qenë se nuk rezultonte të ishte depozituar ndonjë dokumentacion justifikues si kontrata ose marrëveshje që e lidhin shoqërinë e Ismailajt me shoqëri të tjera ose persona ku janë transferuar paratë, kishte dyshime se bëhej fjalë për pastrim parash. Ndërkohë, në dosjen e prokurorisë ishte edhe një dokument që mban datën 28 qershor 2009. Ishte një procesverbal mbi transkriptimin e bisedave të numrit të telefonit të disponuar nga Kastriot Ismailaj. Gjykata e Tiranës kishte miratuar kërkesat e prokurorisë për përgjimin e numrave të tij.
Në këtë dokument ishte edhe një SMS e datës 22 qershor 2009 në orën 05.27.21 pasdite e dërguar nga numri 0682031701 në numrin 0682009693 të Kastriot Ismailajt me tekst: “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”. Mësohet se numri që përfundon me 701 ka qenë në përdorim të kreut të LSI-së, Ilir Metës.
Pushimi i dyshimtë i hetimeve
Përveç faktit që dyshohet se Meta ka përdorur paratë e Ismailajt në fushatë, është prokuroria ajo që ka kryer veprime të dyshimta, duke nxjerrë të larë presidentin. Por çfarë ka ndodhur realisht? Rezulton se pas SMS së Metës ndaj Ismailajt, përgjimet pas pak kohësh janë ndërprerë dhe po ashtu janë pushuar hetimet. Edhe pse Ismailaj ishte përgjuar për një vit dhe ka pasur shumë informacione ndaj tij, prokuroria pushoi menjëherë hetimet, me argumentimin se nuk provohej akuza e pastrimit të parave.
Pushimi i hetimeve u bë sapo Meta firmosi koalicionin me Berishën dhe erdhi në pushtet në 2009. Pas pushimit të hetimeve, u asgjësuan dhjetra CD me bisedat dhe SMS të Kastriot Ismailajt, si dhe u fshinë përgjimet nga serveri i përgjimeve. Por procesverbalet mbetën në duart e Ismailajt dhe disa individëve, të cilat tregojnë të vërtetën e asaj që fshehu prokuroria. Fakti që përgjimet u ndërprenë dhe dosja u pushua pak pas SMS së Metës, ngre mjaft pikëpyetje.
Ajo që tregon se prokuroria ka vepruar në mënyrë mjaft të dyshimtë është se në vitin 2015 prokuroria rihapi hetimet po për të njëjtën çështje dhe vijoi hetimet duke bërë që sot Ismailaj të jetë pas hekurave. Por e bukura është se pavarësisht rihapjes së hetimit, përgjimet nuk mund të përdoreshin më si provë. Edhe pse si dosje ajo ekzistonte, ajo ishte e pavlefshme në gjyq. Por prokuroria edhe pa ato përgjime e mbylli dosjen dhe e dërgoi në gjykatë, duke e akuzuar Ismailajn për pastrim parash.
Ajo që e vesh akoma më tepër me dyshim situatën është se në vitin 2009 Meta kaloi në koalicion me PD. Dhe sapo ndodhi kjo, për çudi u pushuan hetimet ndaj Ismailajt. Por në 2015 kur u rihapën hetimet, Meta ishte në koalicion me Ramën dhe në të njëjtin vit marrëdhëniet mes tij dhe Berishës ishin shumë të tensionuara. Në krye të organit të akuzës ishte dhe Adriatik Llalla. Pyetja që shtrohet është: Pse në 2015 prokuroria arrit të gjejë prova dhe ta çojë dosjen në gjykatë, ndërsa në 2009 jo? Dyshimet janë se hetimet janë pushuar për të mos i hapur telash zv/kryeministrit të asaj kohe. /NGA ELMAS BOGDANI