“I kam dokumentet në dorë dhe i kam parë të gjitha dosjet e Sigurimit”, deklaroi pak ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha. Reagim që tregoi se “kreu i Foltores” kishte dijeni të plotë për dosjen e Ilir Metës, i cili dyshohet se ka qenë po ai që ka nxjerrë në këtë moment provat se Ilir Meta ka qenë spiun i ish sigurimit të Shtetit.
Ditën e djeshme, Sali Berisha ka konfirmuar se Ilir Meta është “fuks” që ka spiunuar shokët dhe bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Edhe pse Partia Socialiste deri më tani nuk ka folur me emra për projektligjin që po përgatitin për në shtator që përjashtojnë përgjithmonë funksionarët e lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit, Sali Berisha është treguar shumë i qartë. “Atë që bën PS, ai duket se është një ligj, po ta quajmë ligji anti-Meta”, tha Berisha. Pra ky i fundit konfirmon ndër rreshta se I.M, bëhet fjalë pikërisht për Ilir Metën.
Raporti Berisha-Meta dhe dosja mes tyre
Përdorimi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit është një praktikë e njohur e ish-kryeministrit Sali Berisha për të mbajtur peng figura të njohura në Shqipëri, prandaj ai nuk i ka hapur kurrë ato. Kjo konfirmon dhe raportet mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët janë një histori që karakterizohet nga urrejtja deri tentativë për eliminim fizik të tjetrit, akuzat e llahtarshme, arrestime dhe shantazhe, por edhe nga flirte, aleanca, pazare, bashkëqeverisje, përbetime për dobësi të veçantë ndaj njëri-tjetrit, protesta të përbashkëta bashkim kundër Lulzim Bashës, SHBA-ve, reformës në drejtësi dhe natyrisht kundër Edi Ramës.
Berisha nisi një betejë të egër politike kundër Ilir Metës në fillim të viteve 2000, kur Fatos Nano e bëri kryeministër. Akuzat e Berishës ndaj Metës varionin që nga korrupsioni, pastrimi i parave, vrasjet, vjedhja e floririt, trafiqet e drogës etj. Nga ana tjetër, Meta e akuzonte Berishën për piramidat, kriminalizimin e SHIK-ut, pozicionin kundër bombardimit të Serbisë nga NATO, për korrupsion, pallate në emër të vjehrrit etj. Por prapaskenat e këtyre përplasjeve dhe bashkimeve i ndante dhe i bashkonte kjo dosje.
Zyrtarizohet koalicioni Meta-Berisha
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë konfirmuar dje se të dy do të jenë në një koalicion në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen vitin tjetër. I pari ishte Sali Berisha që tha se do të jenë bashkë përballë Edi Ramës. “Koalicion do të ketë dhe do të përcaktojë rregullat e tij, por çfarë do të jetë në këtë koalicion për PD-në, aksione të PD-së, ato do të zgjidhen me primare. Cilido që është deputet i PD-së dhe do të kandidojë është i mirëpritur t’i nënshtrohet primareve. Kryetari dhe kryesia e PD-së nuk kanë asnjë pushtet de facto, janë primaret” tha Berisha.
Dy orë më pas erdhi konfirmimi nga Ilir Meta. “Kjo është çështje me rëndësi, në kushte të një pushteti vendor ilegjitim, ku opozita s’ka asnjë këshilltar në Shqipëri, i ftoj opozitarët të forcojnë monitorimin ndaj vendimeve të Këshillave Bashkiake, kudo ka afera lokale sepse s’ka kontroll nga opozita, dhe ne padyshim që do bashkëpunojmë me forcat e vërteta opozitare. Përshëndes idenë e primareve që ka futur Berisha, dhe në rastin e një koalicioni do ishte ide e mrekullueshme për të zgjedhur kandidatët më të mirë. Do bashkëpunojmë në mënyrë më transparente, me rëndësi qytetarët të marrin në dorë pushtetin vendore, dhe do bëjmë përpjekje që kjo këtë ndodhë para zgjedhjeve vendore. Përgjegjës është vetëm Edi Rama për këtë situatë”-tha Meta.