Në vjeshtë fokusi i Parlamentit do të jetë pikërisht te ndarja e politikës nga e shkuara komuniste dhe të parët që rrezikojnë të përjashtohen nga politika pritet të jenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është me teserë të PSH dhe ish-presidenti Ilir Meta. Partia Socialiste nuk i ka e vetme votat dhe i duhet mbështetja e Enkelejd Alibeajt. Kjo përpjekje për ta nxjerrë në pension politik, ish presidentin dhe kryeministrin demokrat, do të “zhdukë” nga politika dhe figura të tjera të njohura të Parlamentit, ku të rrezikuar janë edhe shumë politikanë socialistë me të shkuar komuniste. Gazeta sjell për lexuesin një dokument të deklasifikuar nga CIA, ku tregohet se amerikanët i kanë të gjitha të dhënat për dosjet e spiunëve në Shqipëri, sidomos për politikën, duke filluar nga emrat e politikanëve, pseudonimet dhe gjithçka tjetër. Në dokumentin që ka zbardhur gazeta “SOT” tregohet se si merrej informacioni mbi të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve, minierave etj.
4 shkurt 1950
Memorandum mbi kërkesat dhe tipin e inteligjencës së kërkuar nga Shqipëria
Kemi nevojë urgjente për inteligjencë specifike për aktivitetet tona operacionale, prandaj kemi listuar më poshtë guidën dhe kriteret për personelin e terrenit, mbi marrjen në pyetje të refugjatëve të arratisur nga Shqipëria, si dhe për përgatitjen e grupeve të infiltrimit. Personeli duhet të jetë vigjilent për marrjen në pyetje të refugjatëve shqiptarë të sapoardhur, sipas këtyre linjave, madje edhe shqiptarët e tjerë që kemi në dorë, të merren në pyetje në të njëjtën mënyrë. Duam të theksojmë se detajet e vogla lokale kanë rëndësi të madhe dhe asnjë pjesë informacioni nuk është i parëndësishëm. Informacioni mbi sendet lokale të jetës së përditshme është po aq i madh sa informacioni mbi gjithë vendin.
Grumbullimi i të dhënave
-Pjesëtarët e qeverisë: Emra të deputetëve, prefektëve, anëtarëve të këshillave lokalë, të zyrtarëve të policisë, drejtorëve të fabrikave e minierave apo fermave kolektive. Në zbulimet të përfshihen zakonet e tyre, veset, virtytet, thashethemet, pseudonimet apo reputacioni publik. Premtimet e bëra nga zyrtarët lokalë e kombëtare dhe mbajtja e tyre.
-Partia Komuniste:Masa e saj, morali, besnikëria dhe anëtarësia, duke u fokusuar më shumë në masën e simpatisë për “komunizmin kombëtar”. Organet e hierarkisë së partisë, sindikatat e punës, stafi i gazetarëve, organizatat e grave apo të akademikëve.
-Ekonomia: Rrogat dhe kushtet e punës, valuta dhe pranimi publik i saj, sistemi bankar etj.
Kushtet e jetesës: Të dhëna mbi kushtet mesatare të jetesës në qytet dhe në fshat, kushtet e punëtorëve dhe fshatarëve. Pabarazinë që ekziston mes zyrtarëve anëtarë dhe jo-anëtarë të partisë, mes fshatarëve dhe punëtorëve. Ndikimi që ka moti në kushtet e jetesës, ndikim i thatësirës apo përmbytjeve. Gjendja e shëndetit publik, mjekimet e gjindshme ne treg, gjendja e epidemive në vend, kushtet e spitaleve. Çmimet me të cilat prodhuesit shesin mallrat e tyre dhe çmimet me të cilat ato shiten në treg, mangësitë dhe tepricat, të dhëna mbi racionimit e ushqimit dhe shkeljet e racionimeve, gjendja e të korrave. Gjendja e tregut të zi dhe çmimet e tregut të zi.
-Terrori dhe policia:Mënyrat e përdorura të terrorit, vendndodhja e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit, selive të policisë dhe dhomave të torturës. Torturat e përdorura dhe emrat e torturuesve. Kushtet e burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit. Emrat e spiunëve të policisë, informatorëve dhe agjentëve të provokimeve.
-Sovjetikët:Reagimet specifike të zonave të ndryshme ndaj akteve specifike dhe politikave të pushtetit. Reagimet ndaj prezencës së rusëve në Shqipëri dhe paragjykimet ndaj aktiviteteve komuniste.
-Morali publik:Prova për rritje të ankthit publik, të ankesave dhe zhgënjimeve. Zhurmat e thashethemet optimiste e pesimiste. Interesi në çështjet aktuale në lidhje me individin. Apatia publike dhe indiferenca ndaj regjimit. Lajme nga qytetet, zjarret, krimet jo-politike, prova të korrupsionit, thashetheme. Politika sociale të qeverisë që bien ndesh me traditën.
Projekte të ndërmarra për arritjen e objektivave
Mekanizma për dallimin e agjentëve në vende jo-satelite
1. Projekti OBVERSE. Ky është një projekt për vendosjen e një agjenti shqip-folës në Trieste, i cili të jetë në pozicionin e dallimit të agjentëve të mundshëm që vijnë aty si refugjatë. Në rast se Trieste merret nga Italia, agjenti planifikohet të vendoset në një kamp italian për këta persona, ku të vazhdojë të kryejë shërbimet e tij.
2. Kjo përbëhet nga një agjent i kontraktuar i asistuar nga disa agjentë terreni që jetojnë në qytetin grek të (…) që do të jetë një qendër monitorimi për refugjatët e ardhur shqiptarë. Ata do të punojnë bashkë me hetuesit greke për marrjen e tyre në pyetje.
3. OBOPUS/OBLIVIOUS. Si një produkt dytësor ky projekt (i cili përshkruhet më poshtë në detaje) me anë të Komitetit për Shqipërinë e Lirë, jep strukturat për dallimin e agjentëve të mndshëm në Itali dhe në kampin e refugjatëve në Lavrion pranë Athinës dhe në vende të tjera. Aëntarët e Komitetit, të cilët kanë zyra në Romë e Athinë marrin në pyetje të sapoardhurit. Ndërsa dallimi dhe rekrutimi i tyre nuk bëhet me anë të Komitetit.
B. Marrja në pyetje e refugjatëve
1. Të tre projektet e mësipërme japin shërbime të marrjes në pyetje dhe dallimit të agjentëve të mundshëm.
2. Projekti OBSERVANT ka si qëllim të rrisë mbulimin e refugjatëve shqiptarë në Greqi. Ai përbëhet nga dy agjentë terreni, një prej të cilëve merr në pyetje refugjatët kurse tjetri përkthen raportet e marrjeve në pyetje.
C. Ngritja e strukturave të mbështetjes
Struktura të tilla të trajnimit e mbështetjes për operacione të kalimit të kufirit kemi në Greqi, që është i vetmi vend fqinj me Shqipërinë ku CIA ka akses të lirshëm.
Aty oficerët tanë marrin mbështetje ajrore, administrative de materiale me anë të oficerëve grekë të ndërlidhjes, për misionet e kalimit të kufirit.
2. OBATIANTIS. Ky projekt ka si qëllim ndërtimin e strukturave të trajnimit në tre ishuj të izoluar në gjirin e Korintit. Strukturat përfshijnë një shtëpi për stërvitjen e agjentëve, tenda për stafin, një port të vogël për marrjen dhe dërgimin e materialeve në ishull, dhe komunikim radio me bazën. Vendndodhja është zgjedhur për arsye të izolimit të saj. Qëllimet e saj nuk janë të deklaruara me grekët por ata mund ta kuptojnë rrjedhimisht natyrën e operacioneve. Qendra nuk është vetëm për përdorim të operacioneve shqiptare por edhe projekte të tjera ku mund të nevojitet.
D. Zhvillimi i të dhënave të operacioneve ZODIAC e ZOMBIE
Nga vendet e botës së lirë, Shqipëria ka marrëdhënie vetëm me Francën e Italinë, ku ka dhe instilacione diplomatike, ndërsa nuk ka fare këmbime tregtare apo kulturore. Dega jonë shqiptare është e varur nga pikat pritëse (të Romës dhe Parisit) për struktura dhe personel për zhvillimin e informacioneve. Ndihmë mund të merret edhe nga një agjent i divizionit SA në Paris dhe nga dy oficerë në Romë, një prej të cilëve është oficer karriere kurse tjetri punonjës i stafit. Një prej oficerëve të Romës ka si detyrë parësore drejtimin e OBOPUS/HTNEIGH kurse i dyti është një oficer ndërlidhjeje që ka punuar më parë me inteligjencën italiane dhe ende punon me problemet shqiptare.
E. Kundra-spiunazhi
Kemi aktualisht dy projekte kundra-spiunazhi në fazën e zhvillimit.
Xhevdet Skenderaj. Ky individ është një i arratisur në Romë, ish-oficer i ushtrisë shqiptare me të cilin ka folur drejtori inteligjencës në ambasadën shqiptare. Ky i fundit ka bërë shumë përpjekje që ta rekrutojë atë, dhe duke raportuar detajet e takimeve të tyre thotë se ka pranuar të rekrutohet dhe të veprojë si agjent i dyfishtë. Mehmet Kuci. Ky individ ka kaluar kufirin drejt Greqisë në fund të vitit 1953 dhe ka pranuar me oficerin e parë të CIA-s që ka rënë në kontakt se është dërguar me mision spiunazhi nga ministri i brendshëm shqiptar. Ai po merret në pyetje nga oficer në Athinë për të përcaktuar nëse thotë të vërtetën. Në rast se historia e tij rezulton e saktë dhe vlerësimi i aftësive të tij është pozitiv, do të marrim në konsideratë përdorimin e tij si agjent i dyfishtë.
F. Mënyra të tjera të rekrutimit të agjentëve brenda vendit
OBOPUS është emri për projektin e përgjithshëm të plotësimit të këtyre objektivave në Shqipëri. OBHUNT është nën-projekti sipas të cilit kryhet operacionet e kalimeve kufitare. Për momentin kemi 18 agjentë të gatshëm në Greqi (7 prej të cilëve të trajnuar në komunikime radio) të cilët mund të vazhdojnë programit gjatë sezonit operacional 1954. Besohet se këto operacione do të vazhdojnë në dy vitet në vijim për plotësimin e detyrave operacionale të paraqitura në Pjesa II B më sipër.
G. Operacione psikologjike ndaj grupeve
1. OBOPUS/OBTEST. Një projekt për një radio-stacion klandestin anti-komunist që transmeton me valë të shkurtra në Shqipëri, për llogari të Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA). Ky stacion vepron në Athinë që prej shtatorit 1951.
2. OBOPUS/OBTUSE. Një projekt për prodhimin dhe lëshimin nga ajri të broshurave dhe të ushqimit Të gjitha në emër të NCFA. Projekti është në veprim që prej vitit 1050.
H. Përdorim produktiv i komiteteve të emigracionit
-OBOPUS/OBLIVIOUS- Ky është projekti për krijimin e komitetit të liderëve politikë në emigracion (Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë) i cili do të vërë në fokus rezistencën brenda Shqipërisë. I maskuar si i tillë, ai do të drejtojë propagandën e tij për popullatën shqiptare duke vlerësuar aktivitet e agjentëve. Një komitet i tillë ekziston dhe publikon një gazetë periodike mbi aktivitetet e tij. Qendra e tij e aktivitetit është në Romë por ka zyra edhe në Nju-Jork e Athinë. Ky projekt ashtu si dhe projektet OBOPUS/STGRUBBY e OBOPUS/OBTUSE, po kryhet me dijeninë e shërbimeve britanike MI-6 dhe me një farë bashkëpunimi me këto shërbime; broshurat janë sponsorizuar së bashku kurse lëshimet nga ajri janë kryer vecmas. OBOPUS/HTGRUBBY është një projekt i pavarur i CIA edhe pse MI-6 janë në dijeni të ekzistençës dhe oficerëve britanikë u janë treguar materialet e broshurave. Në përgjithsi politikat e OBOPUS janë të koordinuara me MI-6. Kemi edhe marrëveshje për koordinimin e aktiviteteve kufitare, siç është këmbimi i planeve të dy palëve në mënyrë që të mos pengojmë aktivitetet e njëra-tjetrës. Në asnjë nga këmbimet nuk është bërë fjalë për informacione të detajuara mbi identitetin e agjentëve, kontakteve lokale apo të tjera si këto.
I. Projekte të tjera
1. THITHER. Ky është një projekt i përbashkët me forcat ajrore greke për marrjen e inteligjencës fotografike sipas kërkesave për Shqipërinë dhe Bullgarinë. Një avion RF-84 plus pajisjet fotografike janë vënë në përdorim nga pala greke për këtë qëllim.
2. OBSTACLE. Ky është një projekt i zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet italiane të inteligjencës për të ruajtur kontrollin e një grupi politik që deri kohët e fundit nuk ka pranuar të hyjë në komitetin NCFA; gjithashtu për shfrytëzimin e grupit për informacione pozitive, dhe me këtë heqjen e detyrimit për të mbështetur një grup agjentësh ish-aktivë në Shqipëri
Për llogari të CIA. Ky projekt është duke u reduktuar drastikisht, pasi disa përfaqësues të grupit tani marrin pjesë në NCFA dhe detyrimi i CIA-s ndaj ish-agjentë konsiderohet i sheshuar.
3. Ndërlidhja. Kërkesat për informacion plotësohen me anë të burimeve të ndërlidhjes. Inteligjenca për Shqipërinë mblidhet prej burimeve të ndërlidhjes britanike, italiane, greke e jugosllave, nga të cilët shumë më produktiv është ai italian, i cili mban në vëzhgim trafikun detar në Shqipëri.
B. Ndryshime të propozuara të stafit
1. Selia kryesore e stafit do të mbetet siç është, ndërsa në rast ndryshimesh mund të kemi tkurrje. Eksperienca tregon se nëntë poste për “oficerë inteligjence” janë shumë, dhe vendet e tepërta do të eliminohen. Fokusi do të vihet në rekrutimin e oficerëve shqip-folës, me synimin se gjithmonë zëvendësuesit e tyre janë të gatshëm.
C. Strukturat
Strukturat aktuale, pra zyrat, vendet e sigurta, magazinat dhe vendet e trajnimit, duken të përshtatshme. Për arsye sigurie, disa prej tyre do të ndryshohen vitet e ardhshme, por niveli do të mbetet i njëjtë. Për më tepër, një masë e madhe armësh po mbahet në përdorim në rast të një shpërthimi spontan dhunë në Shqipëri, apo zhvillime të tjera që nevojitin përforcim të shpejtë të rezistencës vendase. Kjo masë armatimesh përbëhet afërsisht nga 7,000 pushkë, 2,000 automatikë, municione për të dyja dhe 14,000 grenada.
Pjesa V. Inteligjenca Speciale
Një tjetër aset i rëndësishëm i Degës është zotërimi i inteligjencës speciale, që merret nga strukturat Fl/Staff D. Në të përfshihen dhe informacione të vlefshme nga programet ZOMBIE e ZODIAC, ato për planifikimin dhe kryerjen e operacioneve, dhe përmirësimin e njohurive aktuale të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës. Meqenëse natyra dhe volumi i informacionit nuk është konstante, Fl/Staff D do të japë informacion dhe direktiva për oficerët e degës sipas rregullave të CSI 52-3.
Kushtet që ndikojnë në aktivitetet politike dhe psikologjike në Shqipëri
1. Megjithëse nuk mund të bëhet një studim shkencor, të gjitha faktet tregojnë se shumica e popullit shqiptar kundërshton dhe përçmon regjimin komunist. Arsyet kryesore të kësaj janë (a) mangësitë ekonomike të vuajtura nga fshatarët dhe gjithashtu qytetarët si rezultat i programeve komuniste, shtypja e tregtisë private dhe programi i kolektivizimit. Gjithashtu taksat e mëdha mbi prodhimet bujqësore, shërbimi i detyrueshëm ushtarak, puna e detyruar dhe inkompetenca e administratës janë të tjerë faktorë. (b) Shtypja e vlerave tradicionale të familjes e nderit personal që kanë qenë karakteristike për jetën shqiptare. (c) Metodat e shtetit policor të regjimit.
(d) Sjellja servile e regjimit ndaj një fuqie të huaj (BRSS)
2. Meqenëse Shqipëria është një vend bujqësor fshatarësia është objektivi ynë kryesor për zhvillimin e ndjenjës së miqësisë ndaj agjentëve dhe anti-komunistëve, dhe në kohën e duhur, edhe për pjesëmarrjen në rezistencën aktive. Objektiva të tjerë janë ushtria, për të cilën raportohet se nuk është besnike ndaj komunistëve, ose njerëzit në poste qeveritare, shumica e të cilëve janë arsimuar nga regjimi i kaluar. Përveç kësaj ka gjithashtu një numër të madh komunistësh të pakënaqur që mund të jenë objektiv i dezertimeve speciale. Tradita e vjetër e luftës guerile ndaj dominimit të huaj dhe autoriteti qendror është një faktor i favorshëm psikologjik.
Kufizime dhe disavantazhe të aktiviteteve
a. Disa pretendime të vendeve fqinje, veçanërisht ato territoriale të Greqisë, të cilat bëjnë që regjimi të hiqet sikur po mbron sovranitetin e Shqipërisë.
b. Aktivitetet operacionale të disa qeverive brenda Shqipërisë, veçanërisht nga Jugosllavia, çka ka sjellë njëfarë konfuzioni në mendjet e njerëzve.
c. Lajmet që arrijnë te popullata për mungesën e unitetit në rrethet e emigracionit, kanë krijuar konfuzioni se cili grup ka në fakt mbështetjen e Perëndimit, çka sjell hezitim në mbështetjen e agjentëve të ndryshëm që nuk kanë njohje personale.
d. Numri i kufizuar i radiove në Shqipëri që vë në dyshim efektin e propagandës dhe transmetimeve në radio.