Një takim me kryetarët e Bashkive, i kryeministri Edi Rama pak ditë më parë paralajmëroi, se do nisë një fazë shtrëngimi, ku nuk do të ketë më tolerancë për bashkitë që thellojnë më tej borxhin.
Madje, zoti Rama i paralajmëroi se bashkitë që nuk kanë disiplinë financiare do të merren nën administrim. Situata nuk duket e mirë dhe kryebashkiakët socialistë kanë filluar të ngrenë zërin publikisht.
I pari që ka dalë nga rreshti, është kryetari i Bashkisë së Hasit Liman Morina, i cili ka deklaruar se bashkia që drejton ai është lënë në baltë nga qeveria Rama. Gjatë një interviste televizive, teksa ka folur për ndërtimin e monumentit të Mbretëreshës Elisabeth të Anglisë na Has, ai ka akuzuar qeverinë për diskriminim. Sipas tij emigrimi është mundësia e vetme që qytetarët e Hasit të mbajnë familjen, pasi investimet e qeverisë janë zero. “Realisht Bashkia e Hasit është një nga bashkitë të më varfëra në Shqipëri.
Ndihma e shtetit ka qenë zero. Hasi është diskriminuar nga qeveria qëndrore dhe nuk ka asnjë lloj investimi. Mundësia e hasianëve është që ata të emigrojnë në Angli dhe në vende të tjera evropiane. Nga qeveria shqiptare nuk kemi pasur asnjë lloj mbështetje. Ka 6 vite që Hasi është diskriminuar, nuk ka asnjë investim, për arsye se Bashkia e Hasit e ka shumë të pamundur të mbijetojë me taksat që mbledh në Has, se janë disa biznese që mezi mbijetojnë për veten e tyre,” tha Morina.
Paralajmërimi i Ramës për kryebashkiakët
“Këtu në sallë janë disa partnerë të huaj . Terrenet që ju keni në dispozicion për lëvizjet sportive dhe fëmijët nuk i keni. Po kërkojmë që ju t’i bëni këto dhe ne ju mbështesin financiarisht për t’i ndërtuar. Nuk është një lëvizje sportive brenda orës mësimore por një lëvizje që ka të bëjë me një organizim që shkon përtej strukturës së shkollës dhe përfshin kampionate në nivel kampionati dhe nivel qarku.
Pse nuk e bëjnë të gjithë?! Ne besojmë që potenciali për të bërë aktivitet ekonomik financiar fitimprurës është i gjithi dhe mosshfrytëzimi është i pajustifikueshëm. Bashkitë duhet të organizojnë aktivitetin e tyre financiar fitimprurës. Është krejtësisht i mundur. Do vetëm vullnet, vizion dhe ekspertizë. Janë të gjithë në dispozicion dhe këto gjëra mund të bëhen. Ne do të marrim masa në rast të mos përmbushjes së detyrimeve financiare në raport me disiplinën financiare, Si bën gjithë bota, Duke marrë bashkinë në administrim. Si bëhet në Itali dhe Francë”, deklaroi Rama pak ditë më parë.
Vora dhe Kavaja në kolaps financiar
Ndër bashkitë e para që pritet të kalojnë nën administrimin e pushtetit qendror dhe t’ju caktohet një administrator, janë Vora dhe Kavaja që janë klasifikuar në një raport të mëparshëm të Ministrisë së Financave në vështirësi serioze financiare, pasi detyrimet e tyre ishin mbi 90% të shpenzimeve vjetore të planifikuara.
Bashkitë në vështirësi serioze financiare kishin afat deri në 15 korrik për të dorëzuar në ministri planin për shlyerjen e detyrimeve. Bëjmë me dije se Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një takim që zhvilloi më herët me kryetarët e bashkive bëri me dije se, në vështirësi financiare serioze paraqiten Bashkia e Vorës dhe ajo e Kavajës.
Ibrahimaj ju la afat bashkive me probleme financiare deri më datë 15 korrik për të dorëzuar në ministri një plan të detajuar për përmirësimin e financave, por duket se bashkitë nuk e morën seriozisht këtë paralajmërim. Një javë më vonë me 22 korrik Ministria e Financave shpalli konkursin për administratorët që do marrin në dorë qeverisje reale të bashkive në faliment.