Shqipëria nuk ka bërë progres të mjaftueshëm në luftën kundër pastrimit të parave. Moneyval, njësia e monitorimit të Këshillit të Evropës në fushën e parave të pista dhe terrorizmit, e ka lënë vendin tonë sërish në listën gri të pastrimit të parave, listën në të cilën hyri në vitin 2020.
Shkaku kryesor përse Shqipëria konsiderohet me risk të lartë në fushën e pastrimit të parave është prodhimi i monedhave virtuale. “Raporti vijues për Shqipërinë ka gjetur se vendi nuk ka bërë progres të mjaftueshëm për të marrë masat në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Moneyval vendosi që ta mbajë Shqipërinë nën monitorim”, thuhet në raportin e Moneyval. Në vlerësimet e Moneyval, përdorimi i kriptomonedhave ka rritur mjaft rrezikun për transferimin e parave të pista pasi anashkalon rregullat që ka sistemi bankar. Njësia sheh si risk të shtuar mundësinë për transferimin e parave përmes aseteve virtuale nga krimi i organizuar dhe politikanët e korruptuar.
Mes 12 vendeve të monitoruara, të vetmet që nuk kishin bërë progres të mjaftueshëm ishin Shqipëria dhe Polonia. Kroacia, Çekia, Malta, dhe Sllovenia bënë progres të dukshëm. Mes shteteve që ka bërë progres është dhe Gibraltari, i cili ka miratuar së fundi rregullat dhe ka ngritur institucionet monitoruese të kriptomonedhave.
Pra veprimtaria ekonomike e prodhimit të kriptomonedhave nuk është ende e licensur si një aktivitet i mirëfilltë i taksueshëm si gjithë operacionet e aktiviteteve të tregut financiar dhe kjo do të thotë se përfituesit e mëdhenj nuk janë thjesht ata që prodhojnë kritomonedha dhe që zbulohen më së shumti nga konsumi i lartë i energjisë, por ato raste të pastrimit të parave që nuk kanë autor.
Në këto raste, pa mbrojtje nga autoritete që kanë mundësi të mos veprojnë duket se është mjaft e vështirë për të operuar në një treg të mbytur nga informaliteti si ky që jetojmë në Shqipëri.