Zbulimi i parave të pista është jo vetëm objektivi i njësisë së re antikorupsion, por edhe një nga sfidat më të mëdha të kësaj strukture. Kjo edhe për faktin se deri më sot asnjë prej njësive zyrtare përgjegjëse nuk ja ka dalë të zbulojë venddepozitimin e miliardave dollarë të rrjedhur nga korrupsioni i zyrtarëve dhe politikanëve.
Një grup politikanësh shqiptarë janë akuzuar prej vitesh nga mediat dhe nga njëri-tjetri, për fshehjen e parave të korrupsionit në banka hermetike, që nga Qipro, Zvicra, Malta dhe parajsa të tjera fiskale.
Ilir Meta akuzohet për fshehjen e mbi 1 miliard euro, para trafiqesh dhe korrupsioni në Angli, atje ku ka çuar edhe fëmijët për t’i shkolluar. Ndaj Metës ka pasur edhe padi në SPAK ku akuzohet se ka pastruar para në kompani offshore në Qipro.
Në padi thuhet se referuar këtyre të dhënave krijohet dyshimi se politikanë të përfolur si është rasti i Metës kanë qarkulluar para të përfituara nga aferat korruptive duke i pastruar dhe futur në sisteme bankare në rrugë të jashtëligjshme teksa ka pasur zëra edhe për një pasuri marramendëse në Angli.
Akuzat ndër vite
Ish-ministrat e Sali Berishës, Genc Pollo dhe Fatmir Mediu, apo dhe Pandeli Majko janë akuzuar nga politika se kanë fshehur para korrupsioni dhe krimi në Qipro dhe Zvicër. Një vendim i Bashkimit Europian për të mos siguruar depozitat në bankat e Qipros, tronditi në atë kohë zyrtarët shqiptarë, të cilët kishin fshehur paratë e korrupsionit në ato banka. Ministrat e Financave të Eurozonës deklaruan në atë kohë se nuk mund të garantonin asnjë depozitë mbi 100 mijë euro në Qipro. Në atë kohë u raportua se pati tentativa për të tërhequr paratë, ku një pjesë u morën, ndërsa një pjesë tjetër u humb në ato banka.
Për këtë arsye shumë para kanë shkuar në bankat e Maltës, pasi edhe ky vend cilësohet si një parajsë fiskale. Gjatë kësaj periudhe nuk munguan dhe akuzat në Parlamentin shqiptar, pasi ishte deputeti Taulant Balla, ai që akuzoi demokratin Genc Pollo se ka fshehur 1.2 milionë euro në Qipro. Në atë kohë raportohej madje se kishte raste që paratë shkonin dhe me helikopter. Por ajo që dëshmon qartë se shumë para kanë shkuar në bankat e huaja, sidomos në Maltë apo Zvicër, janë deklaratat e pasurive të politikanëve shqiptarë. Pas humbjes së pushtetit të gjithë ish-ministrat deklaruan shumë herë më pak llogari bankare se kur ishin në pushtet.
Kjo tregon se ata i zbrazën llogaritë dhe paratë kanë dalë jashtë vendit. Faktin për fshehjen e parave në Maltë e konfirmojnë dhe vetë autoritetet vendase. Inteligjenca Financiare malteze, në një nga raportet e saj kohë më parë zbuloi se shumë zyrtarë të lartë, kompani, dhe individë nga vende të ndryshme, përfshirë dhe Ballkanin dërgojnë aty para. Sipas statistikave të publikuara prej saj, policia vendase në të gjitha rastet e dyshimta për fshehje apo pastrim parash, të huajt përdorin llogari të shumta bankare, por dhe kompani vendase për të kamufluar pasuritë e tyre. Policia malteze në shumë rate ka zbuluar transferta të dyshimta bankare në mënyrë elektronike.
Një ish-drejtor i Fatos Nnaos është zbuluar se ka hapur një kompani fantazmë në Ishujt Virxhin të Britanisë për të pastruar paratë e korrupsionit. Politikanë të tjerë, përmes biznesmenëve kanë çuar një pjesë të parave në Panama, Qipro, Ishujt Virxhin, Ishujt Kanarie, Ishujt Bahamas, Ishujt Kajman, Qipro, Luksemburg, Lihtenshtajn, San Marino, ishujt Sejshel, etj.
Ja si do zbulohen paratë e pista të politikanëve në bankat e huaja
Në kuadër të reformës në drejtësi, është zbuluar modeli që do të ndjekë Shqipëria, me qëllim gjurmimin dhe zbulimin e parave të pushtetarëve shqiptarë, në bankat e huaja, ku dyshohet se pjesa më e madhe i kanë të fshehura në Qipro.
Misioni EURALIUS, që përfaqëson ekspertizën më të lartë të BE në Tiranë, u ka rekomanduar kohë më parë palëve që të ndjekin modelin kroat për zbulimin e parave të korrupsionit, USKOK (Zyra për Luftën ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci), që janë pastruar a fshehur në vendet e huaja. Në rekomandimet e EURALIUS theksohet se një ndër detyrat bazë të strukturës antikorrupsion është bashkëpunimi ndërkombëtar.
Aty parashikohen hetime deri në detaje si dhe marrja në pyetje e qindra dëshmitarëve për një rast të vetëm, siç ndodhi me rastin e ish-kryeministrit kroat Sanader, ku u pyetën mbi 500 persona. EURALIUS është shprehur kohë më parë se USKOK ka nënshkruar marrëveshje me shumë agjenci, prokurori dhe shërbime ndërkombëtare, deri tek FBI, me të cilët bashkëpunon për të gjetur çdo lloj pasurie të paligjshme, teksa ka sugjeruar që një gjë e tillë të ndodhë dhe në Shqipëri.
Pra të gjitha ata politikanë, prokurorë, gjyqtarë apo çdo zyrtar tjetër që ka pastruar dhe fshehur para jashtë shtetit, do kontrollohen dhe nga të huajt, sidomos nga agjencitë në vendet e SHBA dhe BE. /Sot