Po mbushet një vit nga dita kur Sali Berisha njoftoi se do të ngrinte padi ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit të cilët morën vendimin për ta shpallur familjarisht “non grata” si minues të demokracisë dhe funksionar të korruptuar.
E konsideruar qysh në njoftimin e saj fillestar si marrëzi juridike, ai siguroi shqiptarët dhe veçanërisht demokratët se padia e tij do të zbardhte të vërtetën dhe se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga ky vendim që sipas tij ishte marrë nga lobimi i miliarderit George Soros.
Madje, ish presidenti dhe ish kryeministri shkonte më tutje kur akuzonte diplomatë të lartë amerikanë në Tiranë dhe Ëashington për përfshirje të drejtpërdrejtë në hartimin e dosjes së tij.
Në atë tymnajë ku njerëzit e tij përpiqeshin të shpiknin 1001 hipoteza për ta amnistuar, kishte edhe delirantë që pretendonin se Biden do të tërhiqej dhe do kërkonte ndjesë çka nxiti edhe ambasadën amerikane të publikonte një listë me emrat e të shpallurve “non grata” ku asnjë vendim nuk ishte anuluar.
Ndërkohë, pati edhe nga ana që thanë se shpresa e vetme do të ishte Donald Trump i cili sipas tyre kishte debulesë për Sali Berishën dhe nëse do të rizgjidhej president i SHBA, gjëja e parë që do të bënte, ishte heqja e njollës së Berishës.
Por teksa po mbushet një vit nga këto barcaleta të atyre ditëve, sot Sali Berisha ka heshtur dhe nuk flet më për gjyqin imagjinar. Për këtë kanë heshtur edhe ata që ju bënë varkë shpëtimi në ato ditë të vështira. Për këtë kanë heshtur edhe gazetarët përballë tij që nuk guxojnë ta pyesin. Për këtë kanë heshtur edhe ligjvënësit e djathtë që llomotitnin ato ditë se Berisha duhet të largohej.
Aq sa e gjithë kjo situatë e gjyqit imagjinar, të kujton batutën e famshme të filmit “Duel i Heshtur”, ku Ndrek Luca në një fragment zbulon sesi kishte bindur zërat ndryshe brenda anijes duke thënë: “Puna e komisarit ishte lojë”.
Dhe kjo, as më pak e as më shumë ishte një lojë që ithtarët e Berishës ende s’duan as ta kuptojnë dhe as ta besojnë.
Lideri i tyre, edhe pas 1 viti, vijon të ketë damkën e zezë “non grata”, ashtu siç do ta ketë përjetësisht nga historia për atë çka i ka bërë shqiptarëve. /TemA