Për Partinë Socialiste është shumë e qartë se politikani i lartë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit me inicialet I.M është Ilir Metaj, ish-presidenti i Republikës dhe jo një tjetër personazh. Institucionalisht publikut i janë komunikuar vetëm inicialet.
Dëshmitë, provat, deduksionet të bëra në media që pohojnë apo mohojnë emrin e ish-presidentit i ka vënë vulën ditën e djeshme kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Në mesazhin e tij të koduar në shtator pritet të dalin të tjera fakte që vërtetojnë se Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
“Për të hedhur dritë mbi pastërtinë e figurave, nisur nga rasti i evidentuar tashmë për një politikan të nivelit të lartë që ka mbajtur pozicione shumë të rëndësishme në Shqipëri dhe që mbi këtë politikan kanë rezultuar dokumente të reja shtesë e ekzistojnë disa pengesa nga ligji aktual për vijimin e shqyrtimit”, u shpreh Balla. Pra mbi Ilir Metën kanë dalë dokumente të tjera shtesë që pritet të fundosin ish-presidentin, pasi nisma që dorëzoi pikërisht dje, Partia Socialiste largon përfundimisht nga politika të gjithë spiunët.
Fundi politik i Ilir Metës është shumë afër. Në shtator ai është gati të nxirret nga politika si “Kim Filbi” i pluralizmit shqiptar. Heqim një paralele me këtë personazh pasi Kim Filbi, nga një anglez i privilegjuar, u shndërrua në fund si tradhtar i kombit të tij, pasi ai punoi fshehurazi si agjent i dyfishtë për shërbimin sovjetik të sigurisë duke shitur informacionet sekrete nga Inteligjenca e vendit të tij për Rusinë.
Njësoj si Ilir Meta, ai theksonte se “e donte Anglinë”, duke pretenduar se e ndjente veten “tërësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme anglez, dhe se Anglia ishte ndoshta copëza më pjellore e Tokës në gjithë historinë e ideve njerëzore”, por nga ana tjetër e tradhtoi në mënyrë sistematike kombin e tij.
Pse Meta nuk hap dosjen?
Ndërkohë për të gjithë lind pyetja, pse Meta nuk shkon te Autoriteti i Dosjeve dhe të kërkojë të dhëna për veten e tij nëse ka qenë bashkëpunëtor, apo edhe nëse Sigurimi e ka përndjekur? Ai pretendon se është mashtrim dhe për ta vërtetuar këtë mjafton që dosja të publikohet. Aksesin në AIDSSH e kanë vetëm dy individë, Filip Talo dhe Ilir Meta. Talo u informua dhe nuk ka publikuar asgjë, por Meta pse nuk i drejtohet Genta Sulës?
Vetë Autoriteti i Dosjeve përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook duket se ja ka treguar Ilir Metës rrugën që duhet të ndjekë. “Autoriteti u jep të prekurve informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesën e tyre. I prekuri, kur ka të tilla, jep në kërkesë të dhëna, të cilat e mundësojnë gjetjen e dokumenteve. Informacioni nga Autoriteti përmban një përshkrim të dokumenteve ekzistuese dhe të përgatitura për personin e prekur dhe një riprodhim të thelbit të përmbajtjes së tyre.
Bazuar në objektin dhe përmbajtjen e kërkesës, informacioni mund të kufizohet në njoftimin se dokumentet ekzistojnë dhe i prekuri mund t’i shqyrtojë ato. Me kërkesë nga i prekuri, Autoriteti i garanton atij shqyrtimin e dokumenteve që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për personin e tij, si dhe dorëzimin e dublikatave të dokumenteve. Në dublikata bëhen të palexueshme të dhënat personale mbi të prekur të tjerë apo palë të treta”, njofton Autoriteti, i cili duket e ka mesazh për Metën që i akuzon për mashtrim.
Meta pranon se ka folur me Filip Talon
Ish-presidenti Ilir Meta, e ka pranuar me zë dhe figurë pak ditë më parë se ka pasur kontakt me Filp Talon, personin për të cilin akuzohet se e spiunoni tek ish-Sigurimi i Shtetit kur ishin në shkollë, për shkak se ai i kishte rrëfyer gjatë një bisede shokësh, se kishte dëshirë të arratisej, diku nga fundi i viteve ’80.
Teksa ishte duke folur në një interviste televizive të premten që lamë pas, Meta zbuloi se personi që aludohet se është spiunuar prej tij, ka nisur tentativat për të bërë transparencë dosjen e tij. “Tmerri që e ka kapluar Ramën nga llogaridhënia që po i vjen dhe mjekimi i detyruar që po i afron, sepse s’duhet harruar që ka pasur edhe probleme shëndeti, që tensioni, stresi dhe vapa ia rëndon akoma më shumë, është i pashmangshëm.
Në këtë drejtim shoh edhe këtë shpikje kaq ordinere dhe vulgare, të denjë vetëm për pasuesit më të ndyrë të ish-regjimit të Sigurimit të Shtetit, që përfaqësohen sot nga djali i një babai, që ky është akoma krenar pse në vitin 89’ firmosi për varjen e një poeti të fjalës së lirë, si Havzi Nela. S’mund të presim nga monstra të tilla, asgjë që i shërben demokracisë, të vërtetave, shtetit ligjor.
Kjo histori është një histori aq absurde, aq banale, aq kriminale, saqë jo vetëm s’mund ta besoj askush, edhe vet ata që e kanë shpikur e falsifikuar, por që rëndon me akuza të reja për fat të keq Autoritetin e Dosjeve, i cili ka treguar që është kthyer në një instrument të verbër politik të Edi Ramës.
Rëndon edhe të gjithë ata punonjës të ish-SHIK-ut që kanë vënë dorë në dosjen e qytetarit F.F., të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit për tentativë arratisje në atë kohë, i cili po ashtu është edhe shtetas amerikan sot. Unë di se ai vet pasi e ka marrë dosjen e tij, e ka shumë të qartë dhe po ndjek rrugën e tij ligjore”, deklaroi ai. /Sot