Ditën e djeshme një agjent i Forcave të Posaçme Operacionale është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi akuzohet se i ka ofruar ndihmë dhe ka transportuar të shumëkërkuarin ErvisMartinaj, i cili rezulton i zhdukur dhe pa asnjë kontakt me familjen e tij.
“Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, kanë arrestuar 28-vjeçarin Jeton Lami, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Lami dyshohet se ka përkrahur dhe transportuar me makinë Martinajn. Ndaj Lamit rëndon akuza për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa ndaj tij është caktuar masa ‘Arrest me burg’.
Njoftimi i Policisë
Një tjetër provë ka dalë në dritë. Hetuesit kanë siguruar pamje të kamerave filmike, ku Martinaj shfaqej në shoqërinë e një vajze dhe efektivit të Operacionales. Pamjet janë marrë nga kamera sigurie në qytetin e Durrësit, por dhe në Tiranë, ku Martinaj, oficeri Lami dhe vajza në fjalë shihen në të njëjtin ambient. Lami dallohet qartë që e ka shoqëruar me makinë më datën 7 gusht 2022.
Martinaj është larguar nga hoteli duke lënë të vetëm oficerin. Pas kësaj dite ai ka humbur kontaktet dhe nuk dihet se ku ndodhet. “Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, bënë ndalimin e shtetasit J. L., 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Pas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, për veprën penale të rrëmbimit të personit, referuar nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23.08.2022, ka caktuar ndaj shtetasit J. L. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga hetimet e thelluara rezulton se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar.Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.Ndërkohë një tjetër akuzë për efektivin është se dyshohet se veç ndihmës që i ka dhënë Martinajt për të lëvizur gjatë muajit qershor, po ashtu i ka dhënë dhe informata që kanë dekonspiruar operacione policore.
Misteri i zhdukjes së Martinajt
Ndërkohë, Ervis Martinaj është një personazh në kërkim nga SPAK, pasi sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani kishte urdhëruar vrasjen e Endrit Dokles, atentat që nuk u realizua. Alarmin për zhdukjen e tij e dha xhaxhai, i cili më 10 gusht bëri denoncim në polici se familja ishte humbur kontaktet me Martinajn. Prokuroria dhe policia po vijojnë kërkimet dhe hetimet për këtë denoncim.