Një lajm i trishtë ka ardhur nga Franca ku e bija albanologut të njohur Robert d’Angely, Solange d’Angely është ndarë nga jeta.
Njëjtë si babai i saj, i cili si të ishte një Rilindas shqiptar i vërtetë iu përkushtua gjuhës shqipe edhe Solange e deshi shumë Shqipërinë.
Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të saj e ka dhënë shkrimtari shqiptar në Paris, Luan Rama, i cili e ka përshkruar jetën e mjekes si sinonimin e dashurisë njerëzore, shembull përkushtimi, e cila ka qenë gjithnjë nën kujdesin e fëmijëve shqiptarë të cilët i merrte në shtëpinë e saj në Partis për ti kuruar dhe ndihmuar.
Shkrimtari zbulon se idhulli i saj ishte Nënë Tereza të cilës ajo deshi dhe ti përngjante.
“Një humaniste e madhe ikën nga kjo botë por mbetet në zemrat tona : mjekja pediatre Solange d’Angély që aq shumë e deshi Shqipërinë sa një dokumentar për të unë e titullova « Shqiptarja e Parisit ». Janë me mijra shqiptarë e francezë ata që e njohin këtë humaniste të orëve të para për çka dhe Parisi e nderoi me Medaljen e Parisit dhe shteti francez e nderoi me medaljen « Kalorëse e Legjionit të Nderit ». Shumë vite më parë kisha nderin ti dorëzoja në ambasadën shqiptare në Paris medaljen e lartë të Nënë Terezës akorduar nga presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani.
Të shumta kanë qënë udhëtimet e saj drejt Shqipërisë gjatë 40 vjetëve, takimet e shumta pediatrike Franko-Shqiptare që organizonte me kolegët e saj shqiptarë e francezë, udhëtimet për të çuar ndihma në mes të borës në veriun shqiptar në vitet e para të viteve ‘90. Ajo ishte gjithashtu e para shqiptare që kalonte kufirin e Kosovës kur krismat e luftës në Kosovë sapo kishin pushuar.
Gjithë jeta e saj ishte sinonim i dashurisë njerëzore, shëmbull i përkushtimit, gjithnjë me kujdesin për fëmijet shqiptarë që i merrte në shtëpinë e saj në Paris për ti kuruar dhe ndihmuar. Aksionet e saj humanitare ishin të panumurta në kuadrin e shoqatës humanitare që krijoi CEMPEA – për fëmijët e Shqipërisë. Por ajo ishte shumë e afërt gjithashtu me letrarët e artistët shqiptarë, gjithnjë aktive në takimet që organizonte shoqata ALBANIA dhe së fundi Maison d’Albanie.
Një zemër e madhe pushoi. Lumturisht dje isha në klinikën e Versajës për ta përshëndetur për herë të fundit. Idhulli i saj ishte Nënë Tereza dhe ajo deshi ti përngjante asaj me përkushtimin ndaj njeriut. Dhe në këtë gjurmë përvijoi ajo këtë rrugë të shenjtë për njeriun. E paharruara Solange porta e së cilës ishte gjithnjë e hapur për shqiptarët…”, shkruan ai.