Ardian Hoxha ka hedhur dritëhije, sa i takon rastit të rrëmbimit dhe zhdukjes së babait të tij në vitin 1995, biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Gjatë një interviste për mediat pak kohë më parë, zoti Hoxha ka hedhur akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky i fundit gjatë kohës kur u rrëmbye dhe u torturua deri në vdekje biznesmeni Hoxha ka qenë në pozitat e Presidentit të Shqipërisë, por për zotin Hoxha, Berisha është ideatori dhe përgjegjësi kryesor për zhdukjen e Remzi Hoxhës, nga Shërbimi Informativ Kombëtar i kohës, drejtuar asokohe nga Bashkim Gazidede.
Ai vijoi më tej, duke theksuar se personat që sot jetojnë jashtë dhe që kanë qenë të implikuar në këtë ngjarje, janë larguar nga Shqipëria me pasaporta diplomatike, të firmosura këto nga Sali Berisha. Sipas Hoxhës, Berisha urdhëroi shpurën e tij në SHIK asokohe që të torturonin dhe eliminonin të atin e tij, Remzi Hoxha, në mënyrë që ky i fundit të mos kishte mundësi të bënte publike videon që kishte filmuar në Shën Naun, kohë kur Berisha kishte firmosur dy marrëveshje me Millosheviçin, sikundër ishte ajo për kontrabandën e naftës dhe armëve.
Pra, për djalin e Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha, Berisha ishte ideatori i kësaj ngjarje të rëndë dhe që u zbatua në praktikë nga SHIK. Por teksa familja pretendon se Remzi Hoxha u rrëmbye me urdhër të presidentit të atëhershëm shqiptar Sali Berisha nga anëtarët e Shërbimit Informativ Kombëtar të vendit, SHIK, një raport nga organizata e të drejtave të njeriut “Amnesty International”, theksoi kohë më parë se ai ishte “larguar me makinë nga vendi i tij i punë në Tiranë nga burra që, sipas dëshmitarëve, ishin të veshur me rroba civile dhe ishin me një makinë e cila më vonë u raportua se u identifikua se i përkiste SHIK-ut”.
Ardian Hoxha tha se nuk kishte asnjë qëllim për të vrarë babanë e tij, por se ai ishte torturuar aq keq, saqë nuk mund të mbijetonte. Pastaj, tha ai, autoritetet shqiptare “e fshehën trupin”, duke e lënë familjen të kërkonte eshtrat e tij për 25 vjet me radhë. “Kjo është ajo pjesa që neve sado që ishte dhimbje e madhe na ka zmadhuar për shumëfish sepse thoshim së paku trupin na jepnin”, tha ai pak kohë më parë.
Ndërkohë incidenti i dytë ishte që Hoxha pa Bashkim Gazideden, drejtorin e SHIK-ut në atë kohë, duke drekuar me shefin paraushtarak serb Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, në qytetin shqiptar të Shkodrës – gjë që gjithashtu do të shihej si tradhti. Ndërkohë nga ana tjetër, Prokurorët shqiptarë akuzuan gjithashtu Arben Sefgjinin, ish-shefin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, i cili më parë ka shërbyer si shef i zyrës së SHIK-ut në Tiranë, për torturimin dhe vrasje n e dyshuar të Hoxhës. Dy agjentë të tjerë të SHIK-ut, Budion Mece, Avni Kolladashi, u akuzuan gjithashtu në lidhje me çështjen. Megjithatë, të tre burrat u liruan sipas ligjit të amnistisë.