Ilir Meta u pyet nga gazetarët se kur do të mbahet protesta e parë e shtatorit. Meta theksoi se shqiptarët janë të irrituar çdo minutë “me regjimin e Edi Ramës”. Ilir Meta tha se qeveria iu ka shpallur luftë qytetarëve të saj.
“Shqiptarët duhet të jenë çdo minutë në protestë, sepse këta nuk ndalen çdo moment duke bashkëpunuar me krimin, për të vrarë besimin e qytetarëve, këta vjedhin përditë.
Duket se ne jemi në luftë e jo Ukraina, sepse kjo qeveri iu ka shpallur luftë qytetarëve të saj.
Këta janë një klikë që vjedh pa pushim, që ka mision shkatërrimin e Shqipërisë, plaçkitjen dhe dorëzimin e vendit tek mafia ndërkombëtare.
Ne po përgatitemi edhe për zgjedhjet lokale, pa asnjë diskutim. Ne kemi pasur takim me përfaqësues nga gjithë vendi.
Partia e Lirisë sjell përgjegjësi tjetër e mision shumë fisnik. E ardhmja do jetë e ndritur dhe do i përkasë popullit shqiptar”, deklaroi Meta.