Pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, Lefter Gështenja ftoi deputetët e grupit të PD-së që nuk kanë mbështetur Berishën që të diskutojnë për aksionin e Grupit Parlamentar të PD-së.
Deputeti i Lefter Gështenja mësohet se kishte kontaktuar 34 deputetë për t’u bërë pjesë e takimit, por në mbledhje morën pjesë 20 ligjvënës, ndërsa siç bëjnë me dije burimet, 8 prej tyre kishin konfirmuar se në rast të çdo vendimi do konfirmonin online përmes aplikacionit të “WhatsApp”.
Takimi ishte lajmëruar të niste në orën 19:00, por nisi rreth 30 minuta me vonesë. Deputetja Jorida Tabaku kishte ardhur më herët dhe pasi qëndroi disa minuta në takim u largua pasi mësohet se kishte një tjetër takim me partnerët ndërkombëtarë. Ndërkohë, pika e parë e diskutimit ishte rikonfirmimi i Enkelejd Alibeajt si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Mësohet se deputetët ishin të unifikuar që kryetari i grupit të ketë një rol më aktiv dhe më vendimmarrës në lidhje me punën e grupit. Është diskutuar edhe nevoja e ngritjes së një minikryesie përfaqësuese që do të përfaqësojë grupin në takime të rëndësishme. Fokusi i takimit të djeshëm ka qenë për organizimin e grupit vetëm sa i përket jetës parlamentare dhe se pritet të ketë një mbledhje të dytë në lidhje me organizimin në terren. Edhe në takimin e djeshëm nuk ka mbetur jashtë vëmendjes ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ka qenë deputetja Flutura Açka dhe Ferdinat Xhaferaj, të cilët janë shprehur se Lulzim Basha është i mirëpritur në grupin e tyre për të dhënë kontributin, por vetëm si deputet. “Bashën e kemi koleg. Ai ka një kontribut dhe si koleg, si deputet mund të ketë një kontribut bën grupin tonë si deputet”, mësohet të ketë thënë Flutura Açka, ndërsa Xhaferi ka vlerësuar opozitarizmin e tij. “Unë kam kërkuar që të japë dorëheqjen dhe tani dua që të jetë në grup për të kontribuar. Ne duhet të fillojmë me një sjellje tjetër me një qëndrim serioz në strategjinë. Mund të delegojmë një kryesi të vogël”, është shprehur Xhaferraj.
Në sesionin e ri pritet të ketë edhe ndryshime sa i përket përbërjes së deputetëve në komisione. Në mbledhjen e djeshme është diskutuar pakënaqësia që deputetët kanë pasur me Sorina Kotin, deputeten e Korçës, e cila është nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, e cila që prej fillimit është pozicionuar në krah të Berishës. Burimet bëjnë me dije se është marrë në konsideratë zëvendësimi i saj në postin e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë. Ajo është akuzuar gjatë mbledhjes se nuk informon deputetët për zhvillimet në Komision. /Nga Mariglen Kume