Ilir Meta thotë se nuk ka asnjë njollë në të shkuarën e tij. Ish presidenti siguron shqiptarët se ndaj tij nuk rëndon ndonjë akuzë e vërtetë. Ai thotë se s’ka qenë spiun në kohën e komunizmit.
Kreu i PL-së siguron se ndaj tij ka një skenar mafjoz dhe këtë e drejton kryeministri Edi Rama.
“Ajo çfarë i kam kërkuar organeve të drejtësisë është hetimi i plotë, objektiv, dhe mbi të gjitha i PAVARUR, dhe brenda një afati sa më të shpejtë i të gjitha veprave penale të konsumuara nga anëtarët e AIDSSH-së, që në shpërdorim të pastër të funksionit publik, janë kthyer në vegla të verbra për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar, me pasoja të rënda për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Unë jam dëborë e bardhë, e dinë gjithë shqiptarët që jam qelibar” tha Meta.
Pjesë nga fjala e Metës:
Anëtarët e AIDSSH pa asnjë dyshim që kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.
Referuar nenit 25 të Kodit Penal, ku parashikohet se “Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre.”, ju bëj me dije se të gjitha veprat e kallëzuara janë kryer në bashkëpunim të anëtarëve të AIDSSH me njëri-tjetrin.
Është detyrim ligjor i pashmangshëm që organet e hetimit, të administrojnë:
-Regjistrin e hyrje-daljeve në fondin arkivor të Autoritetit.
-Regjistrin e shfrytëzimit të dokumenteve. Në këtë regjistër të verifikohet se kur janë kërkuar, zhvendosur e shfrytëzuar dosjet për subjektin F.T.
-Procesverbalin/et e mbledhjeve të bordit të AIDSSH për rastin në fjalë që ka të bëjë me vendimin për të informuar Kuvendin si dhe çdo lloj diskutimi apo vendimmarrje që lidhet me subjektin F.T.
– Të administrohet edhe varianti audio i këtyre mbledhjeve.
-Administrimin e tabulateve telefonike dhe çdo komunikim tjetër elektronik të anëtarëve të AIDSSH përpara, gjatë dhe pasi kanë marrë denoncimin “anonim”elektronik.