Ministria e Financave ka deklaruar se nuk ka asnjë tentativë për të nxjerrë nga ambjentet shtetërore mediat që ka në pronësi Irfan Hysenbelliu. Sipas dikasterit të Financave, Hysenbelliut i ka mbaruar kontrata shtetërore me shteti, por gjykata ka vendosur që deri sat ë zgjidhet çështja të mos ketë nxjerrje nga ato mjedise.
Postimi i plotë
Në vazhdën e sulmeve të mbushura me trillime, të cilat kanë shënjestruar muajt e fundit institucionet e tatimeve dhe doganave, nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu sot ka dalë një tjetër trillim në adresë të MFE. Sipas tyre kryeministri ka kërkuar lirimin e ambienteve shtetërore të marra me qera nga grupi mediatik i zotit Irfan Hysenbelliu për t’i mbyllur gojën mediave të tij. Kjo është një shpifje dashakeqe, si plot të tjera të prodhuara nga ky grup mediatik.
Bëjmë me dije se po, ka pasur një kontratë qeraje mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe “Focus Media Group”, e cila ka përfunduar në datën 25.07.2022.
Referuar kontratës së lidhur dhe konkretisht nenit 7 “Zgjidhja e kontratës”, pika 7.1, parashikohet që: “Kontrata zgjidhet me mbarimin e afatit të përcaktuar në pikën 3.1 të kësaj kontrate”. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me cilësinë e subjektit qiradhënës, ka njoftuar subjektin permes korrespondences shkresore mbi përfundimin e afatit te kontratës së qirasë për godinat që duhet t’i kthehen shtetit.
Në të njëjtën kohë, “Gazeta Panorama”, pjesë e “Focus Media Neës” që ushtron aktivitetin e saj në të njëjtat godina, rezulton të mos ketë paguar as detyrimet financiare kontraktuale prej 6 vitesh.
Deklarata e mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, se gjykata e ka shpallur të paligjshme shkresën e MFE është një trillim.
Gjykata ka marrë një vendim pezullimi proceduarial të lirimit të godinave shtetërore, derisa çështje të trajtohet dhe zgjidhet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
MFE e respekton plotësisht këtë vendim dhe pret që gjykata t’i njohë shtetit të drejtën e tij për të rimarrë pronën që i takon. Por kjo, as nuk ka lidhje me lirinë e mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, as nuk e ndryshon faktin se zoti Irfan Hysenbelliu i përdor mediat e tij për të shantazhuar përfaqësuesit e shtetit dhe dizinformuar publikun për të mbuluar problemet shumë serioze që bizneset e tij kanë me ligjin.