Ilir Meta, ka reaguar përsëri lidhur me aksionin e sotëm të IMT-së për të shembur dy pishina të “Resort Prestige” që ndodhet në pronësi të “Hysenbelliu Group”, një nga pronarët e disa prej medieve kryesore në vend.
Në reagimin e tij, Meta e quan kryeministrin Edi Rama armikun kryesor të lirisë dhe e paralajmëron se për të nuk ka rrugë shpëtimi.
“Edi Rama është armiku kryesor i lirisë së çdo qytetari shqiptar. Është armik i votës së lirë, pluralizmit, demokracisë, shtetit ligjor dhe i barazisë para ligjit. Është armik i fjalës së lirë dhe i pavarësisë së medias.
Për të nuk ka rrugë shpëtimi! Fundin e humnerës e ka zgjedhur vetë!”- shkruan Meta ndërsa ndan me ndjekësit e tij në Facebook një video me një pjesë nga deklarata e tij e sotme.
“Përpjekja e tij për të mbyllur çdo ekran, për të shuajtur çdo zë të së vërtetës edhe kritik jo vetëm që nuk i jep një rrugë shpëtimi por e çon edhe më thellë në fundin e humnerëz që ai ka zgjedhur vetë.”– thotë Meta në video.