Agjentët e FBI-së që kontrolluan shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Florida muajin e kaluar gjetën dosje të klasifikuara sekret që ishin të zbrazëta, sipas një liste më të detajuar të materialit të sekuestruar, të bërë publike të premten nga Departamenti i Drejtësisë.
Inventari i objekteve zbulon pa detaje specifike përmbajtjen e 33 kutive të marra nga Mar-a-Lago gjatë kontrollit të 8 gushtit. Megjithëse inventari nuk përshkruan asnjë nga dokumentet, ai tregon se informacione të klasifikuara, përfshirë materiale tepër sekrete, ishin mbajtur në kuti në shtëpi, mes gazetave, revistave, veshjeve dhe objekteve të tjera personale.
Departamenti i Drejtësisë ka thënë se në Mar-a-Lago nuk kishte masa të posaçme sigurie për të mbajtur sekrete kaq të ndjeshme qeveritare dhe ka hapur një hetim penal për mbajtjen e tyre atje si edhe për ato që i cilëson përpjekje në muajt e fundit për të penguar atë hetim.
Sipas inventarit, 43 dosje të zbrazëta të klasifikuara u morën nga një kuti në zyrë, së bashku me 28 dosje të tjera të zbrazëta me etiketën “Të rikthehen tek Sekretari i Personelit” ose këshilltari ushtarak. Dosje të ngjashme të zbrazëta u gjetën gjithashtu edhe në një dhomë me objekte të magazinuara.
Nuk është e qartë nga lista e inventarit se pse ishin të zbrazëta dosjet ose çfarë mund të ketë ndodhur me dokumentet që kishin qenë brenda tyre.