Presidenti Alberto Fernández pohoi më pas se arma ishte e mbushur me pesë plumba, por ajo ngeci kur agresori deshi të qëllonte.
“Përpara shtëpisë së zv/presidentes një burrë i drejtoi asaj armën në kokë dhe tërhoqi këmbëzën. Cristina është gjallë sot vetëm sepse arma, që ishte e mbushur, nuk shkrepi, por u bllokua. Përgjigjen përse ndodhi një gjë e tillë do ta japë ekspertiza teknike”.
Fernández de Kirchner është përfshirë në një gjyq korrupsioni dhe në ato momente, ishte duke u kthyer nga gjykata. Ajo vetë i mohon akuzat. Policia tha se personi i armatosur, të cilin mediet lokale e identifikuan si një brazilian 35-vjeçar, është arrestuar.
Ata po përpiqen të zbulojnë motivin e sulmit. Kreu i shtetit e përshkroi këtë si njërin prej incidenteve më serioze në vend që prej rikthimit të demokracisë në 1983-shin.
“Ne mund të mos pajtohemi, mund të kemi mosmarrëveshje të thella, por gjuha e urrejtjes nuk mund të ndodhë sepse ajo ushqen dhunë dhe nuk ka asnjë shans që dhuna të bashkëjetojë me demokracinë”, u shpreh ai teksa e shpalli të premten festë kombëtare për t’i dhënë kohë argjentinasve të “shprehen në mbrojtje të jetës, demokracisë dhe solidaritet me zv/presidenten e tyre”.