5 punonjës policie janë arrestuar dhe 26 të tjerë po hetohen nga prokuroria gjatë muajit gusht.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e cila gjatë këtij muaji ka administruar 102 ankesa nga qytetarët të cilët shprehin pakënaqësi më shumë për punonjësit e rendit. 44 ankesa janë bërë për strukturën e Rendit e Sigurisë Publike dhe 29 ankesa për strukturën e Policisë Rrugore.
Rastet më të rënda të shënuara gjatë këtij muajit gusht është arrestimi më 2 gusht për veprën penale Vrasje me dashje të komisar Arjan Tases pas aksidentit me gomone që i mori jetën një vogëlusheje 7 vjeçare në plazhin e Potamit dhe arrestimi i Agjentit Jeton Lami më 24 gusht për veprën penale shpërdorim detyre pasi rezulton se ka shoqëruar me mjet të shpallurin në kërkim ndërkombëtar Ervis Martinaj.
Gjatë kësaj vere në prangat kanë rënë 24 punonjës policie dhe kanë nisur hetimet 105 të tjerë kryesisht për veprime arbitrare dhe shpërdorim detyre duke favorizuar ndërtimet pa leje dhe kultivimin e kanabisit.