Deputetët e opozitës kanë qenë sot te “Prestige Resort” ku kanë parë nga afër shkatërrimin e IKMT-së që vijon prej tre ditësh. Deputetja e PD-së Flutura Açka, njëkohësisht kryetare e komisionit të medias e cilësoi barbari dhe tha se Rama duhet të japë dorëheqjen. Sipas saj, kjo është një zile alarmi për çdo zë të lirë.
“Ajo që më shqetëson është barbaria e këtyre tre ditëve. biznesi nuk ka ndërmend të ikë, as pronari, as punonjësit. E kanë ndërtuar këtë biznes për të ndenjur këtu. E di çfarë do të thotë të lemerisësh 250 familje, 300-400 turistë. Tre ditë me këtë çështjes. A e kuptoni se çfarë dëmi i kemi bërë Shqipërisë për 3 ditë.
Ajo demagogjia për turizmin, na ka shkuar dëm, e gjithë kjo propagandë e madhe na ka shkuar dëm. Deri dje Rama dhe shpura e tij thoshte po e shajnë Shqipërinë në gjuhë të huaj, çfarë mendojnë këta njerëz, kush e shiti Shqipërinë, kush e shau turizmin. E ka sharë Rama me njerëzit e tij. Çfarë bëri ky njeri 10 vjet këtu.
Duhet të japë dorëheqjen Rama sot, duhet ta japë dorëheqjen se është në konflikt të hapur me biznesin. Gjëja tjetër çfarë mesazhi i jep biznesit. Ky lloj terrori psikologjik dhe politik, se prapavija është diku tjetër. Përveç frikës ndaj biznesmenëve të tjerë, e gjithë frika është te mediat. Ju keni bërë detyrën tuaj, kjo është detyra e gazetarëve dhe grupeve mediatike, të bëjnë punën e tyre, kur ju thoni të vërtetën, bëheni të padëshirueshëm për të”, tha Açka.
Sipas saj, bëhet fjalë për një sulm tinëzar që ka median si shënjestër. “Ana tinëzare e çështjes është më e shëmtuara. Në momentin që ai ndihet i rrezikuar, kur ju bëni punën tuaj, ai duhet të japë llogari.
Ja i prishi dy pishina, nuk është problemi te pishina, por te kamuflazhi. News24, nga mediat më të ekuilibruara. Mediat e Hysenbelliu Group janë aset kombëtar, janë të qytetarëve. Do të thotë të sulmosh qytetarët. Është një sulm ndaj zërit të qytetarëve. Pse nuk vjen të shohë batërdinë që është bërë te lagjja ime në Tiranë? Ju ia shkoni thikën në plagë. Ai do të gricë shenjtërinë tuaj.
Unë do ta ngre këtë çështjes dhe në parlament. Këtij njeriu duhet t’i thotë ndal. Ky ka ngrënë e ka pirë këtu, bashkë me shpurën e tij, sot është në konflikt interesi. Mediat nuk duhet të jenë komformiste. Është detyrë e opozitës të mbrojë mediat”, deklaroi deputetja e PD.
Ajo theksoi se ky është një mesazh jo vetëm për mediat e tjera, por edhe për biznesmenët, investitorët e huaj.
“Një investitor thotë ç’më duhet mua të investoj me këtë kaos. Nuk kam ardhur të përligj asgjë, por në rast se këtu ka qenë shkelje, jepi mundësi zotëri, jepi afatet si të gjithë shtetet e botës, që nuk e dhunojnë qytetarët, nuk e dhunojnë turistin, pse në fundjavë, por problemi është te media, te opozita, te zëri i qytetarëve, të mbyllim çdo lloj rrjedhje që na pengon ne drejt rrugës së pushtetit absolut.
Nëse nuk mbrojmë News24 ne do të shkojmë në një neodiktaturë me emrin e tij personal. Kjo është një zile alarmi për çdo zë të lirë në Shqipëri, për çdo qytetar të lirë që mund të ndihet i kërcënuar.
Ti mund të kesh një pushtet absolut për një kohë të shkurtër, por t’i je një vdekatar.
Duhet të ketë një problem me sentimentin e tij, nuk ka dhimbje për njerëzit. Nuk ka nevojë të bëjë të tilla skena. Problemi i Ramës dhe shpurës së tij është për të dhënë sinjale. Ka qenë pjesë, ka ngrënë, ka pirë këtu, do t’i vinte pak turp. Njerëzit që kërcënojnë median, janë armiq të demokracisë. Unë sot e shpall atë armik të demokracisë”, tha Açka.
Ajo tha se e gjithë opozitë duhet të jetë aty dhe të gjithë ata që heshtin.
“E kam në librat e mi, Rama, Berisha, meta, Lul Basha janë personazhe, por nuk janë vetëm këta, janë dhe personazhe mediatikë që sot heshtin. Këta njerëz sot që janë në media, nuk duhet të mjaftohen me statuse në Facebook, duhet të vijnë këtu, të dalin në studio. Media na mban ne, ne s’kemi ajër po s’kemi media.
Ato që kanë postuar turistët nuk fshihen dot më, mbeten në google. Ku janë këta zotërinj që nuk dhanë asnjë ditë llogari për atë vajzën 7 vjeç në Potam. Çështja është vetëm te media. Thembra e Akilit është media”, tha deputetja e PD.