Analisti dhe publicisti i njohur, Frrok Çupi i cilëson lajm të mirë deklaratën e ambasadorit britanik në Shqipëri, se politikanëve të korruptuara të shpallur “non grata” nga Britani e Madhe do t’iu sekuestrohet pasuria dhje pronat. Gjatë një intervistë të mbushur me detaje për gazetën “SOT”, zoti Çupi paralajmëroi se ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta janë bërë bashkë nga halli dhe sipas tij, kjo dyshe mund t’ i kryejë aktet terroriste në Shqipëri, nga frika që siç thotë publiçisti, iu rrezikohet pasuria dhe pronat.
-Zoti Çupi, ambasadori britanik këtë fundjavë paralajmëroi se Londra do të sekuestrojë paratë pushtetarëve shqiptarë të korruptuar dhe të shpallurit “non grata”. Si ju duket kjo lëvizje?
Vijnë edhe lajme të mira për ne nga bota, sidomos nga Londra, i dashur Rigels. ‘Të mira’ janë lajmet që japin shpresë se dikush do të çlirojë një popull nga vargonj të zi. Në këtë rast ne jemi të pushtuar nga ‘tanët’ siç është bërë zakon të themi në mënyrë ‘patriotike’ për këta dhunuesit që kanë lindur në malet tona. Por nuk janë realisht ‘tanët’ asnjë nga ata që na marrin frymën e jetën, që na vjedhin pasurinë e na vrasin. Nuk është ndonjë turp që po na çlirojnë të huajt; gjithë popujt e botës janë çliruar me ndihmën e aleatëve.
Pa aleatët tanë perëndimorë, SHBA dhe Evropë, ne nuk do të kishim guxuar të ngrinim dorën kundër tyre, e jomë t’u kërkonim pasurinë që na kanë grabitur. A mund t’ i thoje Sali Berishës apo Ilir Metës ‘ më kthe paratë e vjedhura!”. Po këta të vrisnin që nga kali i blerë me djersën dhe fatin tonë. Kështu janë edhe të tjerë. A mendoni ju se është më i mëshirshëm, psh., Irfan Hysenbelliu, i cili ka pasuri të madhe në Londër. Pa pikën e njerëzillëkut Irfani na shfaqte në mediat e veta një djalosh që kishte një apartament që i kushtonte një milionë euro dhe ky kishte makinat më të shtrenjta; dhe ky djali shkonte me femrat e botës me format më seksi e që kushtonin më shumë se mushka e babait të Irfanit, n’at vakt.
Ky ishte djali i Ifran Hysenbelliut që na hynte ndër hundë përmes mediave të ‘ lira’ të Irfanit. Ky është njëri prej atyre që nuk do të ketë më të drejtë t’ i marrë pasuritë e tij nga Londra. Po ky luan paratë e Ilir Metës, a nuk e dimë ne!? Londra është Londër e Uashingtoni është Uashington; nuk i lënë ‘ morrat’ të lëvrijnë përjetë mbi lëkurën e popujve të tyre. Më kanë treguar një ngjarje famoze, pak muaj më parë; ma kanë treguar gojë të besueshme. Kur nisi të çmendet Ilir Meta, po çmendej se kishte dëgjuar që po i verifikojnë pasurinë në Londër.
Ky nis Fanen për në Londër dhe Fanja krekoset më shumë se Big Bengu. “Janë paratë e mija ato që thoni ju për Metën”, paska thënë Fanja. Çfarë bënë policët e Londrës? “ Mos guxo të vish më këtu, se të vemë prangat!”, i thanë Fanes. Iliri dihet që aty ka pallate, ka fëmijët që shkollohen si sheikë, edhe kuaj që shëtisin fëmijët ‘ Metaj’ i ka paguar populli shqiptar. Por ka disa ‘ pasanikë’ si këta që po u sekuestrohet pasuria në Londër. Jemi me fat, me më shumë fat do të jenë këta që po rriten. Shqipëria po del prej duarve të krimit e vjedhjes.
-Ka zërë se shumë politikanë shqiptarë kanë fshehur paratë në Londër. Ju i besoni këto aludime?
Londra është i dyti kryeqytet i botës së civilizuar që, për vendin tonë, ndjek më me interes ngjarjet, zhvillimet, krimet, vjedhjet, korrupsionin, spiunët…. Ata e njohin në detaje çfarë ndodh këtu; shërbimet e tyre dhe diplomacia e tyre veçse duket si ‘ e fjetur’ por është zgjuar natë e ditë. Që para disa vitesh, nga Ishulli patën ardhur fjalë se korrupsioni i shqiptarëve ka depozituar në Londër 8 miliardë, pastaj 11 miliardë, deri edhe 18 miliardë dollarë. Me sa duket ka ardhur koha të hapet sipari.
-A është e besueshme se Londra konsiderohet vendi ku ‘kapot’ shqiptarë të mafies kanë folenë?
Tu them vetëm një shifër të fundit: Në Londër, shqiptarët kanë arritur të numërohen ndër 10 kombet e huaja me më shumë numër popullsie. Po lindin shumë fëmijë, dhe po i lindin me gra angleze. Mafia shqiptare e ka pikasur këtë fakt, ndaj po e sistemon Londrën si terren të zhvillimit të aferës së racës së vet. Këto i shkruan shtypi britanik, sidomos ai tabloid. Edhe një fakt tjetër: Në Londër, çdo muaj arrestohen rreth 200 shqiptarë me origjinë. O për krimin e shtëpive të barit, o për krimin e trafikut të drogës, o për vrasje…
Mes tyre, frymëzuesit dhe dora e vërtetë e krimit janë ata që vijnë nga Shqipëria dhe investojnë në Londër përmes këtyre njerëzve. Edhe një fakt tjetër: Diku në periferi të Londrës, një grup i quajtur Hellibanianz (shiko që në fjalë ndodhet rrënja ‘alban’) është i mbushur vetëm nga shqiptarë. Ata bëjnë trafiqe, kryejnë krime, organizojnë mafie… Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) ka deklaruar se më së shumti ata mburren për luksin e madh të jetesës së tyre.
A nuk është ky terren aq i përshtatshëm për fshehjen e parave që vijnë nga Shqipëria? Ku e marrin ata guximin që të ndërtonin lidhje aq të forta me Amerikën Latine duke kontrolluar zinxhirët e kokainës? Vetëm në Shqipëri e kishin spirancën, te liderët e lartë këtu, duke nisur nga Metaj. Kur Berisha e akuzonte Metën si trafikant i drogës, me siguri kishte parasysh rolin e tij në trafikun e drogës meksikane drejt Amerikës. Ku depozitohen të ardhurat? Londra, siç duket qartë, e ka gjetur çerdhen. Deri tani këta jetonin në ‘mafien e familjes’ të mbyllur në kodin e heshtjes.
-Gjithashtu ka zëra se shumë politikanë të korruptuar shqiptar kanë dërguar miliona euro në vende që cilësohen si “Parajsa Fiskale”. Keni një koment?
Kjo është një sjellje e njohur tashmë e të mbi-pasuruarit shqiptarë. Vendet ‘guackë’ janë të mbushura me Shqipërinë. Më e fundit ishte kompania guackë e Qipros që lëshonte 700 mijë dollarë për lobimin e Ilir Metës në Amerikë… Ajo është kompani e vetë Metës. Por këto vende dhe këto banka kontrollohen nga mekanizmat financiarë amerikan. Me sa po del në pah, pjesëtarët e organizatës së tanishme ‘Antiamerikane’ te Tiranës i kanë investuar paratë në vende armike të SHBA, si Iran, etj. Me këto çfarë do të bëhet? Prandaj ndjehen të fortë këta këtu.
-Meta dhe Berisha kanë bashkuar forcat dhe kanë premtuar se do ta rrëzojnë qeverinë Rama. A ka njerëz që iu shkojnë pas dhe a mund të përsëritet një grusht shteti si në ’98?
Meta dhe Berisha, o tani o kurrë! Pas kësaj ata nuk kanë çfarë bëjnë më… U iku pasuria, u ikën ushtarët, u iku fuqia djegëse. Tani mund t’ i kryejnë aktet terroriste më mirë se kurrë pas kësaj kohe. Ka edhe një arsye pse ata ‘duhet’ të luftojnë e të bien në fushën e betejës: Sepse kanë çfarë humbin. Po humbin miliardët. Po humbin vellon ku kanë fshehur krimet. Po humbin qefinin ku kanë mbuluar vrasjet. Më shumë se gjysma e tokës së Shqipërisë është zaptuar prej tyre, mos flasim për floririn e për pasurinë e grabitur. Ata, o sot o kurrë më. Dhe mund të bëjnë ndonjë aventurë. Sot kanë para për të paguar terrorin mbi popullin dhe vendin.
Fakti që janë kaq të egër dhe kaq qesharakë, me siguri do ta provojnë. Po si mund ta kryejnë grushtin e shtetit? Nga brenda nuk e kryejnë dot, sepse që sot nuk janë më brenda ‘ shtetit politik”. Atëherë do të provojnë nga jashtë, dmth., do të synojnë goditjen e shtetit. Ose kanë menduar ndonjë puç. Mund të shkaktojnë viktima, ose edhe dëme në hidrocentrale e në diga, siç edhe flitet mes tyre. Mund të kenë lidhje me terroristë nga jashtë, me sa duket. Por mos harrojmë se jemi nën ombrellën e NATO-s; këta janë si zogj pule para fuqisë perëndimore. Këta kanë kryer disa herë grushte shteti, jo vetëm në ‘97 e ’98.
Kanë kryer atë që quhet ‘vetëgrusht shteti’. Kjo ka ndodhur në vitin 1996 me vjedhjen e votave dhe në vitin 1997 me luftën civile të nxitur nga qeveria dhe presidenti. Ky është ‘ vetë grusht shteti” kur je vetë në pushtet dhe vetë bën ‘grusht’ Këta kanë kryer ‘ grushte të buta shteti”, që kanë qenë pa gjak, por të egër. A nuk ishte grusht shteti largimi nga Parlamenti që e quajtën ‘djegie e mandateve”?; A nuk ishte ‘grusht i butë shteti’, lufta nga Berisha dhe Meta kundër Reformës në Drejtësi dhe kundër aleatëve amerikanë për të mos lejuar Reformën?; A nuk bënë këta ‘ grusht konstitucional shteti’ kur nuk lejuan formimin e Gjykatës Kushtetuese për një kohë të gjatë? Mirëpo erdhi një ditë që Parlamenti ngriti një ligj kundër Metës dhe Berishës që të dalin përfundimisht nga streha e politikës e të presin në dyert e Drejtësisë. Ja ku jemi! /Rigels Seliman