Kur fadromat e bashkisë mbërritën herët në mëngjesin e 5 shtatorit 2016 për t’i prishur shtëpinë, Jolanda Axha Niça – ose nana Landa, siç e thërrasin familjarët, nuk i kishte bërë ende plaçkat gati.
“Shpirti im m’a di si dola nga ajo shtëpi,” kujtoi Jolanda gjatë një interviste në prill. “Rrobat na i hodhën me nxitim mbi një kamion… ç’të të them. Qava!” shtoi ajo.
Shtëpia e Axhës ndodhej pas hotel Tirana International, në hyrje të rrugës së Dibrës. E ndërtuar në vitin 1934 –ajo ishte dikur adresa e së famshmes librari “Flora’ dhe në vitin 2015 u shpall monument kulture i kategorisë së dytë.
Megjithatë, vendimi që e njihte shtëpinë e Axhës si pjesë të trashëgimisë kombëtare nuk e shpëtoi atë nga fadromat e bashkisë së Tiranës, e cila në vitin 2016 vendosi të shembte gati një duzinë shtëpish historike në qendër të kryeqytetit me argumentin e ndërtimit të Unazës së Vogël si dhe zhvendosjes së përkohshme të nënstacionit elektrik pas hotel Tiranës.
Ndërsa shtëpitë u prishën për t’i hapur vend nënstacionit, zhvendosja e këtij të fundit i hapi rrugën projektit privat për ndërtimin e njëkulle 33 katëshe ngjitur me fasadën e 15-katëshit, ndërkohë që familjet e shpronësuara – shtëpitë e të cilave u shemben tre vjet më parë, presin ende për dëmshpërblimin financiar të pronave të humbura.
“Ky nënstacion është provizor, si mund t’ia marrësh pronën tjetrit pakthim?” pyet i irrituar Iljaz Këllezi, njëri nga trashëgimtarët e familjes Këllezi që humbi disa prona nga zhvendosja e nënstacionit.
BIRN intervistoi ish-banorët e shtëpive të shembura, të cilët u ankuan se pronat e tyre janë vjedhur, se shpronësimet u përcaktuan nga qeveria në shkelje të ligjit dhe se vlerat e përcaktuara janë shumë më të ulëta se çmimet që ofron tregu për qendrën e Tiranës.
Një pjesë e banorëve ka ngritur padi edhe në Gjykatën Administrative, por për shkak të mbingarkesës së kësaj gjykate me dosje, ankesat e tyre nuk kanë marrë ende një zgjidhje ligjore.
E pyetur nga BIRN, bashkia e Tiranës deklaroi se shpronësimi kishte ardhur si pasojë e projekteve me interes publik, ndërkohë që shtoi se dëmshpërblimet janë vonuar për shkak të problemeve në dokumentacion.
“Sqarojmë se prishja dhe shpronësimi i tyre është bërë në kuadër të një projekti publik të miratuar,” tha bashkia në një përgjigje me shkrim.
Ndërkohë Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës i tha BIRN se zhvendosja e nënstacionit elektrik është kërkuar nga Bashkia Tiranë.
“Nënstacioni elektrik Qendër 110/20 kV, është vendosur në pronën e Bashkisë Tiranë me kërkesën e kësaj të fundit, pasi në vendin ku Nënstacioni ushtronte aktivitetin, kalonte gjurma e projektit të ndërtimit të unazës së vogël të Tiranës,” deklaroi MEI nëpërmjet një përgjigje me shkrim.
Konfiskim i pastër
Shpronësimi dhe shembja e pronave të 10 familjeve tiranase – përfshirë familjet Këllezi dhe Axha zuri fill në shkurt 2016, kur bashkia e Tiranës filloi ndërtimin e Unazës së Vogël të kryeqytetit dhe zhvendosjen e ‘përkohshme’ të nënstacionit elektrik, që ndodhej pas hotel Tiranës.
Për realizimin e këtyre dy projekteve publike u shpronësuan 49 prona, nga të cilat 10 prona u prekën nga zhvendosja e nënstacionit elektrik, që do të qëndrojë provizorisht në adresën e tij të re, pasi projekti parashikon që ky nënstacion të “strehohet” përfundimisht nëntokë, poshtë parkut të ri të autobusëve pas Pallatit të Kulturës.
“Do të ndodhin disa investime në këtë hapësire. Nëntokë do të kemi një nënstacion të madh, për të përballuar nevojën për energji elektrike për zonën. Ndërsa mbi sipërfaqe do të jetë stacioni i autobusëve,” deklaroi kryetari i baskisë Erion Veliaj në shkurt të këtij viti kur u prish hotel Vjosa.
Nga të dy projektet zhvillimore të bashkisë së Tiranë, familjes Këllezi iu prekën 4 prona në total. Një prej tyre ishte edhe shtëpia 2-katëshe e Iljaz Këllezit, e ndërtuar në vitin 1927.
Inxhinieri Iljaz Këllezi ka kaluar një kalvar të gjatë me pronat : Foto: Esmeralda Keta
“Ishin dy shtëpi, njëra dykatëshe dhe njëra njëkatëshe së bashku me oborret përreth, me një sipërfaqe totale 558 m2, por edhe 3 vite pas shembjes, ne trashëgimtarët kemi marrë paratë e dëmshpërblimit vetëm për 81 m2,” tha Iljazi. “Ne kërkojmë të dëmshpërblehemi për 447 m2, në të kundërt ky nuk është veçse një konfiskim i pastër i pronës në ditët e demokracisë,” shtoi ai.
Iljaz Këllezi është një nga 31 trashëgimtarët e Mehmet Këllezit, një tregtar i njohur i lëkurëve në Tiranën e viteve ‘30-‘40, i cili zotëronte disa shtëpi në zemër të Tiranës. Sipas Iljazit, 4 nga shtëpitë e lëna trashëgimi nga Mehmet Këllezi ishin shtetëzuar gjatë regjimit komunist, ndërsa në dy të tjera jetonin trashëgimtarët, përpara se bashkia t’i shembte ato në vitin 2016 për të vendosur stacionin elektrik.
Për shpronësimin e pronarëve – pronat e të cilëve u prekën nga dy projektet e bashkisë së Tiranës, Këshilli i Ministrave nxori dy vendime në vitin 2016, me nr. 236 dhe nr. 629. Megjithatë, tre vite më vonë, shumica e familjeve të shpronësuara nuke kanë marrë ende pjesën më të madhe të parave të dëmshpërblimit nga Bashkia e Tiranës.
Familja Këllezi nuk është e vetmja që nuk është dëmshpërblyer ende për pronat e humbura në vitin 2016. Trashëgimtarët e familjeve Kore, Gjerazi, Buli, Trebicka, Axha, Gëdeshi dhe Buneci thonë se nuk i kanë marrë ende të gjitha paratë, ndërkohë që 18 prej tyre kanë ngritur padi në Gjykatën Administrative të Apelit kundër vendimit të qeverisë që përcakton çmimin e shpronësimit të pronave të tyre, duke e cilësuar çmimin e shpronësimit të paligjshëm.
Rrugën ligjore e ka ndjekur edhe familja Këllezi, por Iljazi ankohet se gjykatat e ndikuara nga pushteti i kryetarit të bashkisë, nuk i kanë trajtuar drejt paditë e tyre.
“Ne kemi bërë tre gjyqe dhe asnjë nuk kemi fituar. Jemi ankimuar pranë Gjykatës së Apelit për të tre këto vendime, por nuk kemi asnjë përgjigje,” tha ai, duke nënvizuar se edhe kërkesat për ta përshpejtuar gjykimin për shkak të moshës së thyer të disa prej bashkëpronarëve kanë rënë në vesh të shurdhër.
“E si mund të fitojmë ne kur ErionVeliaj del në protestë kundër gjykatave – e kuptoni se çfarë presioni që u bëhet,” tha Iljaz Këllezi, duke kujtuar rastin e vitit 2016, kur kryetari i bashkisë së Tiranës organizoi protesta kundër një vendimi të Gjykatës Administrative.
Bashkia e Tiranës pranoi për BIRN se vetëm një franksion i pronave të shpronësuara tre vjet më parë në qendër të Tiranës ishte kompensuar. Të dhënat e ofruara tregojnë se bashkia ka paguar vetëm 0.8 % të parave që u detyrohet pronarëve.
“Vlera e përgjithshme e vendosur sipas VKM nr.629 është 98.355.494 lekë, për të cilat është bërë pagesë në vlerën e 812,557 lekëve,” tha Jonida Haliti, Drejtore e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar pranë Bashkisë Tiranë.
“Vlerat e mbetura pa likuiduar nga ana e Bashkisë Tiranë vijnë si rezultat i mungesës apo problematikave në dokumentacion,” shtoi ajo.
Kulla në vend të nënstacionit
Sipas Bashkisë së Tiranës, sipërfaqja e shpronësuar në vitin 2016 për ndërtimin e Unazës së Vogël është 6105 m2 truall, ndërkohë që për projektin e dytë, atë të zhvendosjes së nënstacionit elektrik u shpronësuan 1495 m2 truall.
Nënstacioni ka zënë megjithatë gati gjysmën e truallit të shpronësuar- rreth 751.6 m2, ndërkohë që pjesa tjetër e tokës është përdorur për lulishte.
Zhvendosja e nënstacionit elektrik, i vendosur që prej vitit 1999 pas 15-katëshit, u bë për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kulle 33 katëshe me 4 kate nëntokë, që do të jetë vazhdimi i hotel Tiranës dhe që është planifikuar të ndërtohet ngjitur me fasadën veriore të tij.
Leja për ndërtimin e kësaj kulle të re shumëkatëshe në qendër të Tiranës u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit në prill të 2017-ës dhe në dokumentin e rregullores së veçantë parashikohet se në gjurmën prej 1880 m2 të ketë një sipërfaqe ndërtimore prej 32 mijë m2 katrorë të objektit mbi tokë.
Ngjitur me Hotel Tiranën- aty ku aktualisht ndodhen disa shtëpi të vogla dykatëshe me dyqane buzë rrugës, në qershor të 2018-ës u dha një tjetër leje ndërtimi për një kullë 85 metra të lartë. “Tirana’s Rock” do të jetë një objekt banimi dhe shërbimi me 25 kate mbi tokë dhe 5 kate parkim nëntokësor.
Kullat shumëkatëshe që janë miratuar përqark sheshit “Skënderbej’.
Kryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi i tha BIRN se shpronësimi i familjeve tiranase me qëllim vendosjen e përkohshme të nënstacionit elektrik, ndërkohë që në gjurmën e tij do të ndërtohen kulla shumëkatëshe është një veprim i dyshimtë që fsheh interesa private.
“Termi interes publik është bërë si llastik, i cili hapet e mbyllet sipas nevojës së ligjvënësve,” tha Vorpsi. “Kjo është një vjedhje e hapur me ligj, që po u bëhet pronave dhe qytetit të Tiranës nga bashkia e Tiranës, nën okelion e interesit publik,” shtoi ai.
Kulla pas hotel Tiranës do tëndërtohet nga firma e ndërtimit “Geci” dhe ka një koeficient shfrytëzimi prej 75 % të sipërfaqes, përfshirë këtu edhe godinën ekzistuese, ndërsa kulla Tirana’s Rock do të zërë 95% të truallit – duke shënuar një rekord të ri negativ për planifikimin urban në Tiranë.
Ish-këshilltarii Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, njëherazi doktor shkencash në planifikim urban, Besnik Aliaj thotë se një koeficient kaq i lartë shfrytëzimi i truallit të ndërtimit në qendër të Tiranës –ndonëse nuk ndalohet me ligj – bëhet në kurriz të hapësirës publike.
“Ai mund të dojë të shfrytëzojë edhe 100% të truallit, por prandaj ka politika zhvillimi urban dhe planifikimi,” tha Aliaj.“E në këtë rast askush nuk po pyet të krijojë hapësira publike, por se si të përfitojë nga hapësirat publike,” shtoi ai.
Aliaj ngre dyshime se lufta e madhe e kryeministrit Edi Rama për kthimin e sheshit Skënderbej në një zonë pedonale bazohej në interesa private për të ndërtuar në kurriz të hapësirave publike.
“Sheshi nuk është për qytetarët, por në shërbim të atyre që përfitojnë këto leje ndërtimi, sepse sheshi shërben si rrugë për kullat e tyre,” tha ai.
Myrshit Vorpsi ngre gjithashtu dyshime se zhvendosja e përkohshme e nënstacionit elektrik është një skemë e pastër abuzive,nga e cila përfiton investitori, por jo pronari i tokës.
“Nëse je pronar në Tiranë dhe vjen një firmë ndërtimi që ka interes për të ndërtuar, zakonisht pronari i truallit merr 40-45% të sipërfaqes së ndërtimit, por nëse vjen shteti është hall,” tha Vorpsi.
Vorpsi shtoi se edhe në këtë rast, “shteti nuk po sillet ndershëm me pronarët, sepse ia merr për një qëllim tjetër dhe pastaj i ndryshon destinacionin”, skemë të cilën ai e quan “grabitje”.
‘Prona është e shenjtë’
Shtëpia e Jolanda Axhës përpara se të shembej nga Bashkia në vitin 2016.
Pronarët e prekur nga dy projektet e bashkisë së Tiranës kundërshtojnë jo vetëm mënyrën se si u bë shpronësimi, por edhe vlerën e dëmshpërblimit për një tokë në zemër të Tiranës – 67 mijë lekë m2 i truallit dhe 101 mijë lekë m2 i ndërtesës.
“Pse dëmshpërblim është ai,”pyet Bujar Kore, njëri nga trashëgimtarët e familjes me të njëjtin emër. “Edhe sikur të na i japë bashkia, ne nuk i duam ato lekë,” shton ai.
Si shumë nga ish-pronarët që prona iu shpronësua nga zhvendosja e ‘përkohshme’ e nënstacionit, Kore shpreson se vendimi i bashkisë do të anulohet me zhvendosjen përfundimtare të tij.
“Ne kemi një marrëveshje me një ndërtues dhe kemi shumë shpresa që ky vendim i bashkisë do të korrigjohet pas largimit të nënstacionit,” tha Kore.“Ne do të marrim atë që na takon, pasi bëhet fjalë për një pronë në qendër të Tiranës, e këtu prona nuk vlen 67 mijë lekë, sa na e ka dhënë bashkia, por shkon 2 mijë e 3 mijë euro metri,” shtoi ai.
Mariana Buneci, 79 vjeç, ndjen akoma nostalgji teksa kujton kohën kur myslimanë e ortodoksë mblidheshin të gjithë bashkë, sapo binte kambana e Kishës së Ungjillëzimit që dikur ngrihej në vend të hotel Tiranës.
“Kemi kaluar kohë të mrekullueshme, duket e pabesueshme që na i morën të gjitha,” kujton trashëgimtarja e familjes Buneci.
Ajo tregon se çështjen po e ndjekin vëllezërit e saj, megjithatëka pak shpresa se mund të marrin një dëmshpërblim të denjë.
“Paratë ende nuk i kemi marrë nga bashkia, por as nuk i duam,” tha ajo në një intervistë me telefon, pasi për shkak të moshës e ka të vështirë të lëvizë.
“E vetmja shpresë e jona është që ta marrë pronën ndërtuesi që na ka premtuar. Nëse e merr ai, ne jemi të fituar,” shtoi Mariana.
Ngjashëm me Marianën, edhe Jolanda Axha e kujton me nostalgji shtëpinë në brinjë të hotel Tiranës, e ndërtuar në vitin 1934. Nana Landa i tha BIRN se “dënimi me vdekje’ i shtëpisë së saj zë fill në shkurt 2016, kur edhe u miratua projekti për ndërtimin e Unazës së Vogël.
Fillimisht familja Axha është njoftuar se projekti i Unazës së Vogël i prekte vetëm 4 m2 të pronës – bazuar në VKM-në 236 të nxjerrë nga Këshilli i Ministrave, po më vonë morën vesh që veçmas projektit të Unazës do të zhvendosej edhe nënstacioni elektrik pas hotel Tiranës.
“Sapo na erdhi letra, të gjithë trashëgimtarët u bënë bashkë dhe i bënë një kërkesë bashkisë që ta prishnim vetë atë pjesën prej 4 m2 që na kapte shtëpinë, por pa cënuar godinën,” tregoi ajo.
“Por në vend që të merrnim një përgjigje, morëm “mandatën e zezë,’ pasi na erdhi letra tjetër sipas të cilës bashkia na kërkonte të gjithë pronën tonë për nënstacionin”, shtoi Axha.
Jolanda Axha Niça ndërroi jetë përpara se bashkia e Tiranës t’i dëshpëmblente pronën që ia rrafshoi tre vjet më parë : Foto : Esmeralda Keta
Që nga shembja e shtëpisë tre vjet më parë, familja Axha ka jetuar me qira duke paguar 35 mijë lekë në muaj, ndërkohë që nuk e ka marrë ende dëmshpërblimin nga bashkia për pronën e humbur.
“Unë kam lindur aty, edhe baba, edhe gjyshi im aty kanë lindur… në atë shtëpi kisha gjithë jetën. Ishte e vjetër, por ishte shtëpia ime,” i tha Axha BIRN. “Na i morën të gjitha, shtëpinë, tokën, kishim edhe një dyqan 40 m2 që e kishim dhënë me qira…ndërkohë që as lekët nuk na i kanë dhënë, as prona s’kemi, dhe mezi ia dalim të paguajmë qiranë e shtëpisë,” shtoi ajo.
Trashëgimtarët e familjes Këllezi janë edhe më të prekurit nga shpronësimet e bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Vogël dhe zhvendosjen e përkohshme të nënstacionit elektrik.
Ish-inxhinieri, i cili pas viteve ‘90 ia ka kushtuar gjithë jetën përpjekjeve për të marrë pronat e familjes, rrëfen se kalvari në të cilën i është dashur të ecë ka qenë shumë dekurajues dhe i mundimshëm, por pavarësisht kleçkave ligjore ku e kanë futur institucionet, refuzon të heqë dorë nga e drejta për të trashëguar pronën.
“Ka ardhur pushteti komunist në Shqipëri, që thotë se prona është marrë për të mirën e të gjithëve,” ankohet ai.“Po e drejta jonë ku është, a nuk duhet të dëmshpërblehemi së paku,” pyet Iljazi.
Në të njëjtën situatë gjenden edhe trashëgimtarët e familjeve Buli dhe Trebicka, të cilët po ashtu kanë humbur një pronë të kushtueshme nga projekti i bashkisë së Tiranës për të zhvendosur nënstacionin elektrik. Tre vite më pas, ende janë në pritje të dëmshpërblimit për pasurinë e tyre dhe nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga 30 milionë lekët që u takojnë, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave.
“Është absurde, por ne ende nuk kemi marrë asgjë. Nuk e di çfarë shteti është ky,” tha një prej trashëgimtarëve që refuzoi të identifikohej me emër.“Ne po përpiqemi ta gjejmë të drejtën tonë në rrugë gjyqësore, por edhe aty është vështirë”.
Për të dy pronat e shpronësuara, familja e Jolanda Axhës duhet të ishte dëmshpërblyer nga bashkia me 20.5 milionë lekë, por deri tani nuk ka parë asnjë kacidhe.
“Nuk kemi marrë kokërr leku,” tha ajo. “Të paktën të na kishin dhënë edhe ne lekët e qirasë për nënstacionin, e do të kishim mundësi të paguanim qiranë e shtëpisë ku jetojmë”.
Myrshit Vorpsi, i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” ngre shumë pikëpyetje rreth mënyrës se si u morën këto prona, ndërsa dyshon se kur nënstacioni të zhvendoset përsëri, prona nuk do t’i kthehet ish-pronarëve, por do të jepet për ndërtim.
“Nënstacioni nga me qira që ishte dhe u paguhej shuma pronarëve, shkoi tek një sipërfaqe tjetër që është bërë pronë e bashkisë së Tiranës, pasi u shpronësua,” tha Vorpsi.“Por e gjitha kjo procedurë “tranzitore”, pasi nënstacioni është provizor ka shumë pikëpyetje, përflitet se pikërisht në atë zonë janë parashikuar të ndërtohen dy kulla mbi 30-katëshe,” shtoi ai.
Vorpsi hodhi hije dyshimi se bashkia e Tiranës po e përdor këtë periudhë tranzitore, në mënyrë që më pas t’ia japë një investitori privat për ta zhvilluar këtë zonë, pasi kjo është një zonë me çmime marramendëse përm2.
“I dëmshpërblen banorët me 67 mijë lekë për m2 dhe këtë sipërfaqe ia jep një firme. E dini se për çfarë fitimesh bëhet fjalë?” pyet Vorpsi. “Bëhet fjalë për rreth 20-30 mijë metra katorë sipërfaqe ndërtimore dhe një m2 ndërtim në këtë zonë shitet me 3 mijë euro, që nuk bëjnë 70 mijë lekë, aq sa i ka dhënë pronarit të tokës,” llogarit ai.
Pavarësisht dyshimeve mbi qëllimet e Bashkisë, Nana Landa i tha BIRN se i ka varur shpresat te zgjidhja që do të gjejë nëpërmjet një ndërtuesi, i cili i ka premtuar se do ta zhvillojë pronën e tyre kur të zhvendoset nënstacioni elektrik, duke i kompensuar me sipërfaqe ndërtimi.
“Nëse vjen ai ndërtuesi, atëherë do të vdes e qetë dhe jo ta shoh djalin të robtohet gjithë muajin për të paguar qiranë e shtëpisë,” tha ajo me trishtim gjatë intervistës së zhvilluar në prill.
“Nuk dua të më dalë shpirti pa e lënë djalin të rregulluar,” përfundoi Nënë Landa vetëm pak muaj përpara se të ndërronte jetë nëmoshën 89 vjeçare. /Nga Esmeralda Keta/ Shkrim i botuar nga BIRN në shtator 2019