Duket se, në shumicën e rasteve, njerëzit pendohen për gabimet e vetvetes ideale – me pak fjalë se nuk janë përpjekur të realizojnë ëndrrat e tyre – më shumë se sa për vetveten e detyrës = për shembull, nuk shkuan të takojnë një të afërm që tashmë ka vdekur, apo se kanë tradhëtuar bashkëshortin.
Oliver Burkeman
Si duhet ta jetojmë jetën tonë, nëse nuk duam të përfundojmë me pendesa? Sot, përgjigjja standarde ndaj kësaj pyetjeje të vjetër sa vetë bota, shpesh e bazuar në studimet e psikologut Thomas Gilovich, është se ne pendohemi më shumë për gjërat që nuk i kemi bërë, sesa për ato që kemi bërë. Megjithatë, unë kam qenë gjithmonë pak skeptik në lidhje me këtë. Në fund të fundit, mund të riformulohet çdo vendim, për ta përshtatur atë në një kategori apo në një tjetër.
Prishja e një marrëdhënieje për të filluar një xhiro aventureske përreth botës mund të jetë një shembull i qartë i “bërjes së diçkaje”, ose mund të nënkuptojë që ne kemi hequr dorë nga detyra e vështirë, por përmbushëse, e ndërtimit të një marrëdhënieje që zgjat sa një jetë. Sjellja e një fëmije në botë, padyshim do të thotë të bësh diçka, gjithmonë nëse nuk bëhet për të përmbushur pritshmëritë e shoqërisë, e në këtë rast, është një shembull tipik i paaftësisë për të bërë zgjedhje. E kështu me radhë. Është e qartë, nëse doni të shmangni pendesat, duhet të gjeni një formulë më të mirë sesa thjesht “të bësh diçka”.
Për fat të mirë, kërkimi më i fundit i Gilovich, i kryer bashkë me psikologun Shai Davidai, mund të na ofrojë një të tillë. Seria e tyre e re e studimeve, që e gjeta në blogun Research Digest, bazohet në dallimin midis asaj që ne e quajmë “vetvetja ideale”, ose personi që do të ishim në qoftë se do t’i arrinim të gjitha qëllimet dhe ambiciet tona, dhe “vetvetja e detyrës”, ose personi që do të ishim në qoftë se do i përmbushim të gjitha detyrimet që kemi ndaj të tjerëve, dhe do të bënim një jetë të pashmangshme moralisht.
Duket se, në shumicën e rasteve, njerëzit pendohen për gabimet e vetvetes ideale – me pak fjalë se nuk janë përpjekur të realizojnë ëndrrat e tyre – më shumë se sa për vetveten e detyrës = për shembull, nuk shkuan të takojnë një të afërm që tashmë ka vdekur, apo se kanë tradhëtuar bashkëshortin.
Dhe kjo nuk ndodh për shkak se jemi të gjithë shumë egoistë, thonë studiuesit, por sepse është më e mundur të bëjmë diçka për të ndrequr gabimet e vetvetes së detyrës, ndoshta sepse na duket më urgjente apo sepse na vjen turp.
Pas një tradhtie, mund të zotohemi për të shpëtuar marrëdhënien, ose të vendosim që kurrë të mos lëmë pas dore të afërmit më të moshuar, e kështu me radhë. Ëndrrat e paplotësuara, nga ana tjetër, tentojnë të mbeten prapa kuintave, dhe të na mundojnë në heshtje, deri kur, papritmas, të jetë tepër vonë.
Gilovich dhe Davidai me të drejtë heshtin, dhe nuk japin këshilla jetësore bazuar në hulumtimet e tyre, por unë nuk dua të hesht: këto rezultate janë një inkurajim i fuqishëm, që të përpiqemi të kuptojmë se çfarë duam nga jeta dhe të përpiqemi ta bëjmë atë, madje edhe me riskun që të gjykohemi negativisht nga të tjerët.
Natyrisht, vështirësia kryesore është pikërisht që ta kuptojmë. “Bëni atë që dëshironi” rrezikon të shndërrohet në një ftesë për impulsivitet dhe hedonizëm (duke shkaktuar pendesa në të dy variantet e vetvetes). Kjo është arsyeja pse dua të bëj lojëzën, që i ka rrënjët tek teoritë e Carl Gustav Jungut, për ta përmbysur pyetjen dhe për të mos pyetur atë që duam nga jeta, por të pyesim atë që jeta do nga ne. Nëse shikojmë përtej dëshirave dhe trilleve të momentit, çfarë është duke na thënë vetvetja jonë?
Nuk jam i sigurt që është e rëndësishme nëse, brenda nesh, siç besonte Jungu, është vërtetë një shpirt që ka një projekt të vetin të saktë, të ndryshëm nga ai i unit, që përpiqet të na bëjë të dëgjojmë arsyet e veta. Kur gjendemi përballë një zgjedhjeje të rëndësishme të jetës, ndoshta shtrimi i pyetjes në atë mënyrë, mund të jetë i mjaftueshëm për të eleminuar zhurmën dhe për të dëgjuar, atë zërin e qetë, i cili e di tashmë se ç’duhet të bëjmë. Dhe nëse i japim të drejtë, është e mundur që do të pendohemi. /Bota.al