Një rast 1 në 1 milionë ka ndodhur në Brazil, ku një grua ka lindur binjakë me baballarë të ndryshëm pasi kishte bërë seks me dy burra në të njëjtën ditë.
Dailymail raporton se 19-vjeçarja nga Minerios e Brazilit ka shpjeguar se ka bërë testin e atësisë pasi pas tetë muajsh kishte dyshime se kush ishte babai.
19-vjeçarja mblodhi ADN- në nga personi që mendonte se ishte babai, por pohoi se pas dy testeve, rezultatet ishin pozitive vetëm për një nga binjakët. Më pas, ajo testoi edhe burrin e dytë dhe siç rezultoi ai ishte babai i fëmijës së dytë.
“Është e mundur që kjo të ndodhë kur dy vezë nga e njëjta nënë fekondohen nga burra të ndryshëm. Foshnjat ndajnë materialin gjenetik të nënës, por rriten në placenta të ndryshme”, shpjegoi mjeku Jorge Franco.
Ai theksoi se rasti është jashtëzakonisht i rrallë dhe një situatë “një në një milion” dhe nuk e kishte menduar se do ta shihte një të tillë gjatë jetës së tij. Fenomeni është emërtuar shkencërisht superfekundacion heteroparental.