Pak orë pasi kryeministri Rama dha ultimatum që stafi i ambasadës të Iranit të largohet nga Shqipëria brenda 24 orëve, në ambientet e këtij institucioni ka nisur boshatisja.
Në orët e mbrëmjes ka filluar edhe largimi i diplomatëve, ndërsa në ambientet e brendshme është parë që të ketë tym dhe flakë, ku mesa duket po digjen dokumentacione.
Po ashtu ka edhe prezencë të shtuar të forcave të policisë. Kujtojmë që sot kryeministri Rama në një komunikim bëri të ditur vendimin për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, pasi Irani është orkestruesi i sulmit kibernetik të sistemit online.
REAGIMI I IRANIT
Në lidhje me vendimin e qeverisë shqiptare ka reaguar dhe Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Ka’nani, i cili hodhi poshtë pretendimet e palës shqiptare duke i quajtur të pabaza.
Ai gjithashtu tha se Ministria e Jashtme iraniane e konsideron “vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet politike me vendin tonë bazuar në pretendime të tilla të pabaza, një veprim të pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
“Si një nga vendet që ka qenë objektiv i sulmeve kibernetike në infrastrukturën e saj kritike, Republika Islamike e Iranit kundërshton dhe dënon çdo përdorim të hapësirës kibernetike si mjet për të sulmuar infrastrukturën e vendeve të tjera”, tha ministri iranian.