Në dosjen hetimore janë përfshirë disa mesazhe të ashpra deri dhe kërcënuese që Artan Santo ka marrë nga biznesmeni Irfan Hysenbelliu. Në dijeni të këtyre mesazheve ka qenë edhe një rreth i ngushtë miqsh dhe gazetarësh të bankierit.
Në kohën kur ndodhi ngjarja Hysenbelliu premtoi se mediat e tij nuk do të ndaleshin deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, por duket se nuk ka ndodhur kështu.
Dosja tashmë është në SPAK, ku në fashikujt e saj janë edhe mesazhet që Hysenbelliu i drejtonte Santos, mes tyre ka pasur një debat të ashpër për aksionet e “Focus Group”, të cilin në fund e mori Hysenbelliu. Ende nuk ka persona të akuzuar zyrtarisht për vrasjen e banksierit Santo, një nga ngjarjet më të rënda kriminale në vend, pasi ndodhi në mes të kryeqytetit, në shkallët e bankës.
Santo u ekzekutua më 26 qershor të vitit 2014. Sapo ai zbriti nga makina për t’iu drejtuar zyrës në selinë qendrore të bankës që drejtonte, dy persona me motor ju afruan dhe e qëlluan për vdekje. Kjo u cilësua si një ndër ngjarjet më të rënda në vend, pasi Santo ishte një emër mjaft i njohur dhe me njohje të shumta në politikë.
Raportet nga media
Në një analizë të datës 14 tetor 2014 me titull: Ç’konflikt ka pasur Santo me Irfanin?, portali Lapsi i Andi Bushatit dhe Armand Shkullakut shkruan, “Bankieri i ndjerë Artan Santo dhe botuesi Irfan Hysenbelliu nisën në prill 2011 një sipërmarrje të përbashkët ku aksionet u ndanë 50% me 50%. Deri atëherë Santo njihej si një bankier i përfshirë edhe në botën e medias, nëpërmjet angazhimit në TV “Scan”.
Por, pas disa kohësh sidomos pas ndryshimit të pushtetit, mes tyre lindën mosmarrëveshje të thella për drejtimin e grupit mediatik “Focus grup”. Janë të shumtë dëshmitarët e sherreve të tyre deri në kërcënime. Janë të shumtë gjithashtu njerëzit që Santo ka kontaktuar deri në ditët e fundit të jetës së tij për t’i dhënë një zgjidhje drejtimit të grupit me tri media. Situata bëhej me e vështirë se kredinë, që Irfan Hysenbelliu të blente 50 përqind të aksioneve, Santo e kish dhënë nga banka që drejtonte. Ndaj ai po përpiqej për një zgjidhje”.
Gazetari Mero Baze në një raportim të tij dëshmon për djeninë që ka pasur në sherrnajën mes Santos dhe Hysenbelliut.
Gazeta “SOT” në një shkrim të datës 18 maj raporton se “ka shumë aludime mbi arsyet e eliminimit të tij, ndërsa ka dyshime se në këtë mes mund të jenë përfshirë dhe politikanë. Fakti që dosja për 7 vite qëndroi e mbuluar nga pluhuri dhe askush nuk u arrestua, ka dyshime se pas kësaj ngjarjeje janë të përfshirë emra me pushtet dhe të rëndësishëm”./CNA.al