Zbardhet ekspertiza mjeko-ligjore që çoi në lirimin e shtetasit kinez Liangbin Chen, i cili ishte në kërkim nga autoritetet kineze për grabitje përmes mashtrimit të një shume prej afro 145 milionë eurosh.
“BalkanWeb” ka siguruar për aktin e ekspertizës, të firmosur nga mjekët Elton Serani dhe Dr.shk. Zija Ismaili, që mori parasysh sot gjykata e Tiranës, e cila la në ‘arrest shtëpie’ 32-vjeçarin kinez, me pretendimin se ai është i sëmur.
Në dokumentin që mban datën 6 shtator të këtij viti, thuhet se gjendja shëndetësore e Liangibim Chen nuk e lejon që të qëndrojë në qeli, pasi i rrezikohet jeta nga sëmundja.
“Në gjendjen aktuale shëndetësore në të cilën ndodhet shtetasi Liangibim Chen nuk mund të trajtohet në kushtet e paraburgimit sikurse ndodhet, pasi sëmundja e tij është në gjendje kritike dhe urgjencë mjekësore neurologjike, e cila kërkon mjekim intensiv nga mjekë specialist të fushës, pasi mund të shkaktohet vdekje asfiktike.”, thuhet në aktin e ekspertizës.
Në aktin e ekspertizës rekomandohet po ashtu që i riu kinez të mbajë dietë ushqimore, ku duhet të shmangë ushqimin proteinik, kafen dhe urinë.
Ky rast i paprecedentë, në kufijtë e skandalit ka ndodhur edhe me Abdulselman Turgut, i cili kërkohej për trafik droge nga autoritetet gjermane, por që gjykata e Apelit të Tiranës e liroi atë. Pas lirimit, ky u fundit u arratis, ndërsa tashmë është shpallur në kërkim në lidhje me sulmin terrorist që mendohet se ishte planifikuar ndaj opozitarëve iranian, muxhahedinëve, që ndodhen në kampin ASHRAF 3 në Manzë.