Nga Adriatik Doci
Gjysma zyrtare e Partisë Demokratike nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt ka depozituar në Kuvend një projektligj të posaçëm, i cili parashikon fshirjen e gjithçkaje që është prodhuar në regjimin komunist, me përjashtim të njerëzve që kanë lindur në atë kohë. Nisma për dekomunistizimin e Shqipërisë titullohet “për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist”. Nisma ligjore parashikon ndalimin e simboleve të regjimit totalitar komunist, i veprave intelektuale për propagandë, i materialeve audio-vizuale për propagandë dhe i propagandës në veprimtaritë politike.
Me simbole të regjimit komunist, nënkuptohet ‘fshirja’ e yllit të regjimit komunist, yllit të kuq shqiptar me pesë cepa, shallit të kuq me tre cepa, të flamurit me akronimet e PKSH dhe PPSH, të stemës “pushkë, kazmë dhe libër”, të stemës “drapër dhe çekan”, himni i Internacionales Komuniste, shenja përkujtimore dhe shënime të dedikuara për personat kyç në PPSH.
Gjithashtu, parashikohet heqja e monumenteve, lapidareve, parullave, citateve të personave kyç në PPSH, heqjen e emrave të qyteteve, rretheve, vendndodhjeve, rrugëve, shesheve, urave, emra ndërmarrjesh, institucionesh ose organizatash që përmbajnë emrat ose pseudonimet e personave kyç në PPSH dhe të punonjësve të organeve të diktaturës komuniste apo emra që tregojnë aktivitete dhe ngjarje të lidhura me veprimtarinë e PPSH, duke përfshirë edhe ditë përkujtimoresh të festuara nga kjo parti.
Me ndalimin e veprave intelektuale për propagandë nënkuptohet ndalimin e veprave letrare, publicistike, leksionet, predikimet, fjalimet, çdo krijim tjetër me gojë, krijimet dramatike, kompozimet muzikore, krijimet koreografike, krijimet audio-vizuale, krijimet kinematografike dhe krijimet e tjera audio-vizuale të krijuara në mënyra të ngjashme me ato kinematografike, veprat radiofonike, krijimet e artit pamor në fushën e pikturës, skulpturës dhe grafikës, artet dekorative monumentale, krijimet arkitekturore që përfshijnë vizatimet, planet dhe skicat.
Parashikohet zhdukja e fotografive, listat, hartat, krijimet hartografike, krijimet shkencore, monografitë, studimet, leksionet universitare, librat shkollorë etj. Ironia qëndron në faktin se nuk parashikohet asnjë masë për Sali Berishën, sekretar në Partinë e Punës, dhe një nga njerëzit më të besuar të Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë, siç edhe e konfirmojnë fotografitë me Enverin, me fëmijët e tij në varkë dhe tek oxhaku i Nexhmije Hoxhës, fjalimet ku i thur lavde Ramiz Alisë, takimet, shkrimet, dëshmitarët etj.