Në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila ishte i ftuar avokati Idajet Beqiri për të folur lidhur me protestën e zhvilluar nga ilir Meta ditën e sotme dhe fatin e opozitës.
Avokati tha se fundi i Metës kishte ardhur dhe tregues për këtë ishin paditë në SPAK ku nuk bëhej më fjalë për akuza në ajër, por kishte prova konkrete që e fajësonin. Ai madje tha se në këto afera ishin të përfshirë edhe bashkëshortja dhe fëmijët e ish-presidentit.
“Jo thjesht nga pjesëmarrja por edhe nga entuziasmi, madje dhe Meta që e drejtonte protestën ishte i papërgatitur. Në protestë nuk shkohet me fjalime të bëra gati, por ti bëhesh njësh me popullin. Kurse në rastin konkret ne kemi të bëjmë me një njeri të dëshpëruar.
Meta është jashtëzakonisht i dëshpëruar dhe tani ia bën analizën vetvetes dhe e shikon rrugën drejt së cilës ai po shkon si individ pas lënies së Presidencës. Po të shikoje dhe diskursin që ai po ndiqte, u fokusa vetëm tek organet e drejtësisë duke theksuar se dikush po i dirigjon, kanë bërë planin vetëm që ta fusnin Metën në burg dhe i gjithë fjalimi ky ishte, nuk kishte probleme inceneratori.
Letrat e Ilir Metës janë hapur tashmë. Gjërat janë tashmë konkrete, sepse janë regjistruar procedime konkrete penale. Janë tre procedime penale që janë regjistruar. Ju do të dëgjoni edhe kallëzime të tjera penale. Janë 43 afera që i ka bërë Ilir Meta, me firmën e tij në fund. Në këto raste janë të implikuara drejtpërdrejt ai, bashkëshortja edhe fëmijët e tij.
Këto tani nuk janë fjalë në erë apo akuza, janë të veshura me prova. Nga këto afera janë marrë para dhe në fund është firma e tij, e shqiptarët me të drejtë i kërkojnë tani”, u shpreh zoti Beqiri.