Lulzim Basha shkëlqeu edhe njëherë. Kësaj here duke mos bërë asgjë, por duke lënë të shkuarën të flasë për të. Kryeskeleti i tij politik që ai pandehte të kyçur në dollapin e karrierës së tij së tij plot dritëhije 17 vjeçare në politikë, ridoli edhe njëherë në dritë. U shfaq publikisht duke i bërë bashkë të gjithë përballë vetmisë së tij. Miqtë e dikurshëm që tashmë e mallkojnë, ata që e donin në këmbim të urrejtjes ndaj Edi Ramës apo edhe ata që shpresonin ta shihnin si një yll në ngjitje të politikës lokale, tani të rrëzuar përtokë, nxitojnë ta godasin me shkelm. Të gjithë bashkë kërkojnë hetim për mundësinë e përdorimit të parave ruse për lobimin e PD-së në 2017-ën.
Vesi i hershëm i Bashës për alergji nga të vërtetat e thjeshta në këmbim të spirales së gënjeshtrave të komplikuara, ja ka komplikuar atij të sotmen dhe ja kanë bërë edhe më të paqartë të ardhmen. Rijetësimi i akuzës së vjetër që e sheh atë si përfituers të gjysëm milioni dollarëve nga Rusia, e ka vënë atë përballë një dileme të frikshme: të pranojë që ka përfituar para korrupsioni, krimi apo nga burime të tjera ilegale apo të vazhdojë të luajë me fatin që i ka kthyer krahët tashmë dhe të jetë i dyshuar si “spiun” rus? Basha duhet të zgjedhë, nëse do të jetë pjesë e tipologjisë së zakonshme të politikanit ballkanas që zhytet në lumin e ndotur të korrupsionit apo të lejojë ta marrë përfundimisht lumi në këtë rizgjim të gjithë Perëndimit që e sheh Rusinë ashtu siç është, një Perandori e të Keqes që minon me çdo mjet demokracitë perëndimore.
Historia e lobimit të çuditshëm të Bashës nisi atëherë kur ai braktisi çadrën e tij të lirisë dhe udhëtoi drejt Uashingtonit duke besuar naivisht se një foto e mundshme me Presidentin Trump, do t’i sillte fat në zgjedhje.
Pagoi dhe pagoi shumë për atë foto me gisht përpjetë, por vetëm pak ditë më pas, shqiptarët i dhanë partisë së tij një tjetër gisht nga kutitë e votimit. Muaj më pas, si të mos mjaftonte ndëshkimi popullor, nga SHBA u hodh për herë të parë dyshimi se lobimi i tij ishte bërë duke përdorur para ruse. Kjo ndodhte në një kohë kur në SHBA po bënte bujë një hetim gjigant që rekej të provonte se edhe vetë fushata e Presidentit Trump ishte helmuar nga ndërhyrja ruse. Fakti që lobisti i zgjedhur nga Basha – atë kohë i dorëhequr – kishte qenë pjesë e administratës Trump, mund të interpretohej si provë për ato dyshime dhe shkaktonte dhembje koke në Uashingtonin zyrtar.
Për një kapriçio të rrethanave dhe si dëshmi se fat ii ndëshkon gjithmonë të dobtit, Basha papritur u bë fija e barit në fushën ku ndesheshin gjigantë. Ky është pikërisht momenti kyç që shpjegon sjelljen reaktive dhe naive të opozitës së drejtuar nga Basha në muajt në vijim në Tiranë, radikalizimin e saj të papritur dhe sjelljen e saj amatoreske në politikë.
Djegia e mandateve dhe refuzimi i zgjedhjeve vendore në harkun e gjashtë muajve të parë të 2019-ës, protestat e saj masive që mbylleshin me premtimin që Rama do të rrëzohej në protestën pasardhëse, ndriçohen nga një kënd krejt tjetër, nëse kuptohet se synimi për destabilizimin e vendit nuk drejtohej kundër kryeministrit, por ishte një shantazh ndaj amerikanëve me kartën e destabilitetit: amnisti për çfarë kemi bërë në këmbim të qetësisë në vend. Ky ishte kurthi grotesk ku ra Basha dhe kjo ishte gropa ku ai e futi partinë e tij dhe gjithë opozitën.
Hetimi që është bërë në Shqipëri për këtë çështje ka qenë i paplotë dhe u mbyll nën shenjën e traditës së pandëshkueshmërisë. Askujt nuk i duhej në Tiranë çertifikimi i asaj që lexohej ndryshe nga Uashingtoni. Rama ishte kryeministër dhe Basha nuk i dukej çun i keq, Berisha që ndjehej i pafuqishëm që t’i bënte keq çunit të tij dhe drejtësia që hapin e kishte më të shkurtër se thellësia e xhepit vetjak, ishin në të njëjtën mendje që gjysëm milioni dollarë janë shumë në SHBA.
Se aq para vlejnë shumë edhe në Londër, në Berlin apo në paris, por në Tiranë, 500 mijë dollarë vlejnë më pak se një teshtimë e kryetarit të opozitës. Në mos me një klik në ËTS, kaq para Basha mund t’i mblidhte me një fishkëllimë nga çuna problematikë apo edhe nga nëntoka e korruptuar lokale. Edhe pse paratë janë transferuar me kanalet e zeza të tubacioneve fiskale ruse, edhe pse amerikanët dyshojnë seriozisht se PD është përfituese e një fete nga torta e helmuar e 300 milionë dollarëve që rusët kanë shpenzuar për axhendën e tyre antiperëndim, me të gjitha gjasat, historia është më e thjeshtë se kaq.
Dhe atë mund ta shpjegojë vetë Lulzim Basha, viktima perfekte e rrethanave, që u ndodh në kohën, vendin dhe me mjetin e gabuar në dorë. Sot Basha ka shansin t’i zhgënjejë të gjithë duke treguar të vërtetën e tij, që dikur jua mohoi të gjithëve, por e ndau vetëm me Sali Berishën. Vetë pasardhësi i pasardhësit të tij, që atëherë refuzonte ta besonte këtë dyshim dhe kur ai vetë është dizenjuar si person Non Grata nga SHBA, sot ju lutet zyrtarisht amerikanëve të hetojnë djalin e tij plangprishës.
Duke i shkelur syrin nga distanca Edi Ramës dhe duke kërkuar prej tij që ndërkohë që merret me Ukrainën dhe krizën e çmimeve në Tiranë, ndërkohë që mat çdo mëngjes nivelin e liqenit të Fierzës dhe pret se çdo të sjellë e nesërmja e incenerimit politik në vend, të gjejë pak frymë të lirë për t’i thënë Bashës në Kuvend: Po ti Lul, e kalo dot oqeanin me DASH?
Por Basha ka në dorë instrumentin e tij të hakmarrjes. Ndaj atyre që shpresonin tek ai dikur dhe atyre që ju soll si shpresë. Ai mund të pranojë se është një i ngjashëm me të gjithë, por që i ra për hise fati i keq; se është thjesht subjekt i korrupsionit dhe jo mekanizëm i konspiracionit; se është keqkuptim në politikë dhe nuk është kurrsesi “spiun” rus. I mjafton vetëm të thotë një herë të vetme të vërtetën, si përjashtim nga rregulli që i dikton vesi i tij për të gënjyer edhe kur nuk është e nevojshme.