Nga Frrok Çupi
Një brez të tërë e kaluam ‘të verbër’ në shtëpinë tonë; edhe ky brez njësoj si para këtij brezi. A nuk e nisëm gjysmën e shekullit të kaluar me trokitje të dobëta në derë?
-Tak, tak!
-Eja bir, hyr! A të panë kur erdhe?
-Jo nënë! Ku janë shokët?
-Poshtë, bir, në dhomën e errët!
Njësoj si ilegalët e Luftës, edhe gjatë këtyre 30 vjetëve, ‘bijtë’ hynë e dolën nga një dhomë pa dritë. E fundit nga dhomat e errëta që krijoi tollovia post- komuniste, ishte kjo e financimeve Ruse për PD. Tani kur po hapet perdja për të parë çfarë ka në atë ‘dhomë të errët’, pikërisht tani po ulërijnë dhe thërrasin për revolucion ata që e ndërtuan ‘shtëpinë e verbër’.
Gjithë struktura e errësirës që ndërtuan këta për shoqërinë në 30 vjet, kishte vetëm një qëllim: ‘Errësirën! Të errët shtëpinë, të errët fort!, të errët magjen e bukës, të errët haurin e parave, të errët edhe katakombin e eshtrave!’.
Kjo ishte.
Meqë jemi në kohë më të avancuar se në epokën e Likurgut të Spartës, mund të themi se këta ndërtuan një makabritet po aq të egër për kombin sa kishte ndërtuar sundimtari mbi Spartën. Edhe ai kishte bërë një ‘Spartë të verbër!’.
Ligjvënësi i pamëshirshëm i kohës antike vuri ligj për luftëtarët e famshëm spartan: “Luftëtarët të hyjnë natën dhe të dalin natën nga kazermat!”
Spartanët martoheshin, lindnin fëmijë, dhe vriteshin në betejë…, por kurrë nuk e kishin parë njëri tjetrin, as burri gruan dhe as gruaja burrin a babanë e fëmijës. Likurgu i kishte futur në shtëpi të verbër.
Kjo shtëpia jonë është më e verbër se Sparta; jo për gjë, por për arsye se jemi thuajse 30 shekuj në advancë të kohës. As luftëtarët e këtushëm, për të thënë të vërtetën, nuk u afrohen atyre luftëtarëve trima e të fortë. Ndërsa direksioni ku drejtoheshin spartanët është i njëjtë me direksionin ku shikojnë banorët e ‘shtëpisë sonë të verbër’: Atëherë drejt Lindjes Persi; edhe sot drejt Lindjes.
Këta i futën banorët e Shqipërisë në dhomën ruse dhe iu thanë se ‘ky është Perëndimi, kjo është Amerika!’.
Financimet e forta Ruse të kapura në një qoshe të shtëpisë së verbër, janë vetëm maja e ajsbergut. Atje poshtë sapo ka nisur kërkimi dhe këta po çmenden. Kanë nisur sulmet brenda përbrenda ku nuk ka hapësirë as për nj ‘b’ e jomë që të luftojë B-ja kundër B-s. Aty në errësirë kanë lëshuar bataretë kundër qeverisë amerikane, ambasadores në Shqipëri dhe kundër kryeministrit të vendit. Qeveria amerikane dhe qeveria shqiptare kanë kryer aktin e dedektorit të krimit dhe kanë hapur katakombet.
Tani pritet të dalin të gjitha në dritë.
Njerëzit po acarohen pse Drejtësia nuk vepron më shpejt? Pse nuk i shikojmë prapa hekurave Berishën dhe Metën?… Po ta kishin lënë shtëpinë të hapur, si bota moderne, sot ‘spartanët’ nuk do të ishin kaq të paduruar. E si mund të ishin të duruar luftëtarët e Spartës në momentin kur do t’u hapeshin perdet?
Ata ishin mbajtur në errësirë një jetë.
‘Spartanët’ shqiptarë u mashtruan duke iu tundur para syve flamurin e ‘Demokracisë’; kur në fakt ishte një kaos më keq se diktatura që lanë pas. ‘Kjo është demokracia!’, u thanë dhe iu mbyllën sytë. Në miniaturë ka ndodhur kështu, siç ka ndodhur me emigrantë në vitet 1994- 96. Tregimi na sjell ngjarje nga një fshat diku afër Librazhdit. Në Mirakë, post blloku i policisë kishte ngritur flamurin natë e ditë. Trafikantët sillnin njerëz nga të gjitha anët e vendit, për në Greqi. Te postblloku me flamuj u merrnin pagesat dhe u thonin: ‘Tash jemi në kufi me Greqinë…. Zbrisni!, kaloni pa u vënë re!’. Të mashtruarit lëviznin si hije. Në fakt kishin mbërritur po në Shqipëri, veçse 5 kilometra nga Librazhdi.
Pas komunizmit, shqiptarëve u thanë se ‘kjo është demokracia’, por i lanë në rrugë pa krye. Madje ua stërkeqen fytyrën e demokracisë.
Që ditën e parë nisën të financohen nga Rusia dhe të shërbejnë përmes UDB-s. Këta urdhëruan që të digjnin e shkatërronin çdo vepër industriale apo bujqësore që kishte ndërtuar njeriu deri në atë moment. ‘Po mposhtim komunizmin!’, u thanë skllevërve, teksa në fakt spartanët po shkatërronin Spartën.
Në atë dhomë të verbër u pastruan paratë e shqiptarëve ‘më të pastrat në botë’. Saliu dhe bijtë kishin grumbulluar miliona nga Ruisa, nga thyerja e embargos së OKB-s, nga varret e Bosnjës e të Kosovës; dhe i hodhën për t’i pastruar në lumin e parave të pastra të popullit: Këto u mbytën, ndërsa paratë e Saliut e mbajtën në pushtet deri ditën kur Amerika e shpalli ‘minues i demokracisë’.
Në dhomat e verbra këta hodhën të gjitha kategoritë: Xhelatët kundër njeriut, të burgosurit kundër regjimit, komunistët e llojit të Saliut, spiunët dhe viktimat…, si në një rezervat. Një ditë të caktuar Sundimtari fuste duart dhe seleksiononte në dhomën e verbër: Spiunët i ngriti në fron, viktimat i hodhi prapë në ujë; xhelatët i përdori prapë për dhunë, dëshmitarët i helmoi…, hebrenjtë në dhomat e gazit, të tjerë mënjanë.
Në Shqipërinë tonë është zhvilluar akti më kriminal i seleksionimit njerëzor brenda shtëpisë së verbër.