Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bashkuar në një aleancë politike që pas miratimit të reformës në drejtësi në korrik të vitit 2016. Gjatë periudhës 2000-2002 dhe 2013-2015, Sali Berisha ka artikuluar akuzat nga më të rëndat në adresë të Ilir Metës. Mes akuzave përfshihen trafik droge, trafikim të vajzave të mitura, vrasje, zhdukje njerëzisht, pastrim parash, vjedhje votash, vrasje masive, implikim në skandalin CEZ-DIA, plan për vrasje deputetësh etj.
Shqiptarja.com sjell për herë të parë një tjetër akuzë të Sali Berishës, sipas të cili Ilir Meta është lavatriçe e parave të pista në Shqipëri. Pasditen e 5 majit të vitit 2000, Berisha akuzonte Metën se i kishte marrë Dhimitraq Raftit 200 mijë USD nga një shumë pre 900 mijë USD që kishin ardhur nga një Bankë e Pireut në Athinë. Rafti ka qenë drejtori i përgjithshëm i “Albtelekom”-it dhe më pas zv/ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit.
“Për ndonjë këtu, si Jupe, që iu kanë tharë trutë, po prapë xhepat s’i ka mbushur, më duhet të lexoj edhe këto para jush, i keni nga Kontrolli i Shtetit: “Dhimitraq Rafti i dha Fatos Nanos, Gaz Demit, Anastas Angjelit, nëpërmjet nipit të Gaz Demit, Enos Dojka, 900 mijë dollarë.” (Reagim) Dëgjoni pak se ç’bëri Meta juaj… Jo, jo, s’shkoj në miting, unë jam këtu. (Të qeshura) Juve në miting ju vënë drurin, s’ju pranon kush në mitingje. S’e keni marrë vesh këtë? Z. Dokle, më falni. Zotërinjtë, po të mos duan të më dëgjojnë, Jupe është i interesuar, të tjerët le të dalin. (Të qeshura) Çfarë ndodhi me dollarët pas denoncimit? Ju nuk e dini. Ka ndodhur e njëjta gjë si me floririn. Dhimitraq Rafti ka kthyer paratë nga Banka e Pireut të Greqisë dhe “lavatriçja Meta” ia ka pranuar ato, pasi i ka marrë nja 200 mijë”, shprehej Berisha.
Po atë pasdite Berisha shprehej se Ilir Meta jo vetëm ka dorë në vjedhjen e floririt të shtetit në tunelet e sigurisë së lartë në Krrabë, por edhe në grabitjen e arkave me monedha. Berisha akuzonte Metën për implikim në vjedhjen e dhjetëra arkave me monedha.
“Thesari i shtetit nuk është vjedhur ashtu siç thonë tellallët e Ilir Metës, i cili, së bashku me Rakipin dhe Klosin, para dy ditësh ranë dakord të mashtrojnë shqiptarët, për t’i përgënjeshtruar dje Poçi. Gëllçi i zi u deklaroi shqiptarëve se janë vjedhur 2,8 milionë shufra. Unë po ju garantoj juve se janë vjedhur dhjetëra arka me monedha. Secila arkë ka pasur 4 mijë monedha. (Reagim në sallë) Dëgjoni, zotërinj, dëgjoni kusarë, dëgjoni, se keni nevojë. (Të qeshura) Ju lutem.
Prandaj ju duhet Kodi. Pardje Gëllçi i zi do t’u deklaronte shqiptarëve se ato janë vjedhur në mars të vitit 1997. Mirëpo ju, që jeni të mençur në vjedhje, në kusari, pse nuk pyetët: Pse mungonte Poçi në atë takim? Si ka mundësi që Kryeministri thirri Klosin e Rakipin dhe jo Poçin? Sepse Poçi kishte këto dokumente (i tregon para deputetëve), ku thuhet se “pavarësisht sa thamë më lart, theksojmë se vlerat e “Çelikut” mbeten të pacenuara, pasi dyert e hyrjes së objektit janë të sigurta si ndaj sulmeve fizike dhe sekretit të hapjes”.
Kurse sot Rakipi boton në gazetën e Klosit, “Shekulli”, njoftimin se kanë hyrë nga frëngjitë. Dera është gjetur e hapur, o të nderuar. Doni t’i shihni? Ah, shiko, administrata s’është e kusarëve, administrata është e atyre njerëzve të ndershëm që e kanë ruajtur thesarin vite e dhjetëra vite. Jeni gabim ju. Pra, ata që kanë bërë kontrollin, na i kanë prurë dokumentet. Shkoni merrni dosjen e prokurorit Hysi, i kërkoni atij fotografinë e do të shikoni se si hyrja e ka derën të hapur një metër. Unë po ju them këto sot, nesër do t’ju them të tjera, derisa fytyra juaj të bëhet më e zezë se e atyre që vunë dorë mbi floririn shqiptar”, deklaronte Berisha.