Sali Berisha ka komentuar deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim, se nuk takohet me njerëz non grata si Berisha.
Berisha u shpreh se këtë deklaratë, Kim e ka bërë sikur ta kishte thënë rivali i tij politik, kryeministri Edi Rama.
Po ashtu ai tha se ka pasaktësi këtu, pasi shumë zyrtarë të tjerë të DASH janë takuar me njerëz të dizenjuar.
Ai përmendi këtu Milorad Dodik, duke e krahasuar veten me liderin serb të Bosnje Hercogeovinës.
“Ka disa pasaktësi, jo të vogla.
Së pari, zotimi i ambasadores se zyrtarët amerikanë, edhe ajo personalisht, nuk takohen me persona të dizenjuar, është një deklaratë sikur ta kishte bërë Edi Rama.
Pse them kështu? Sepse është gënjeshtër dhe nuk është e vërtetë.
Zyrtarë të lartë të DASH takohen me të dizenjuar, madje edhe me kukulla apo idhtarë të flaktë të Vladimir Putinit. Këtu s’e kam fjalën për Ramën, por për Dodikun.
PD mbetet e vendosur për marrëdhënie shumë të mira me SHBA. SHBA janë aksionari kryesor i sigurisë së botës së lirë dhe ne, në opozitë dhe pushtet, besojmë se duhet të bëjmë çdo kontribut të mundshëm që ky funksion të përmbushet në interesin më të mirë të vendit dhe paqes në botë.
Natyrisht, nuk bëhet fjalë këtu për marrëdhënie me Sorosin dhe mafien e tij. Ka një zotim solemn. Non-grata do jetë vendimi i PD për Sorosin.
Në rastin konkret, ambasadorja që flet si guvernatore, siç e keni parë, shkon në një super-harmoni me elementë të diskredituar kombëtarisht dhe botërisht si Edi Rama, Taulant Bala etj.
Po marr vetëm një shembull. Këtu erdhi në një udhëtim sekretari Mike Pompeo. Ishte lënduese për reputacionin e miqësisë mes dy vendeve, kur atë e pritën dy mafiozë të damkosur. Taulant Bego Yaris dhe Alket Hyseni. Unë mendoj se zonja ka përgjegjësi.
Alket Hysenin e kanë larguar nga deputet dhe partia si mafia e pronave në Sarandë. Taulant Bego ka disa mbiemra të drogës. Edhe kjo makina e fundit nxirrte 300 kg drogë në Maqedoni ose Greqi.
Kjo e detyroi sekretarin, që në njoftimin e tij, t’i vinte vizë këtyre takimeve. Takova, tha, vetëm përfaqësuesit e opozitës iraniane.
Përveç kësaj, u bë e famshme ajo fraza e barit. Enver Hoxha u thoshte shqitparëve që edhe bar do hamë dhe nuk do u nënshtrohemi imperalistëve amerikanë, kurse zonja u tha demokratëve edhe bar do hani.
Unë i kam deklaruar se pa kërkesë-ndjesë publike, ajo nuk takohet me Sali Berishën. Pavarësisht se është përfaqësuese e vendit më të fuqishëm në botë, jashtë gabimit nuk del askush dhe arroganca nuk është virtyt”– tha Berisha.
Berisha: Pa kërkuar ndjesë publike, Yuri Kim s’takohet me mua, njeriu i qytetëruar e pranon ndjesën
“Unë i kam deklaruar se pa kërkesë-ndjesë publike, ajo nuk takohet me Sali Berishën. Pavarësisht se është përfaqësuese e vendit më të fuqishëm në botë, jashtë gabimit nuk del askush dhe arroganca nuk është virtyt”- tha Sali Berisha në konferencën me gazetarët.
Ai theksoi se megjithëse nuk ka patur përpjekje për të organizuar një takim nga ana e ambasadores me të, tha se ndjesa pranohet.
“Jo, nuk ka patur përpjekje por ndjesa në kodin moral pranohet. Njeriu i qytetëruar e pranon ndjesën. Pranon ndjesën sepse nuk mund të them se nuk e pranoj, se ajo nuk e sqaroi asnjëherë. Nuk është tërhequr. Por zgjedhjet janë të saj”- shtoi ai.
Duke folur për marrëdhëniet me SHBA-të, theksoi se ambasadorja Yuri Kim duhet të respektojë së pari votën.
“Është e trishtë të konstatosh qëndrimin e guvernatores ndaj votës. Votën duhet ta respektosh. Por të pretendosh se po respekton shtetin ligjor, duke mos respektuar votën, është absurde.
Nëna e shtetit ligjor është vota, pa votë nuk ka shtet ligjor, ka diktaturë, ka autokraci, ka çdo formë tjetër, por jo demokraci.
Se si ka mundësi këto, mendoj se nuk dëmtojnë PD-në dhe Sali Berishën, por janë totalisht në kundërshtim këto ndërhyrje me Konventën e Vjenës dhe përpjekjet e PD-së me marrëdhënie të mira dhe shumë të mira me SHBA.
Çfarë e shtyn zonjën të mohojë? Ku e gjen autoritetin, mbi ç’bazë, mbi ç’konventë, mbi ç’marrëveshje, të mohojë votën e 11 dhjetorit, votën e 6 marsit, 22 majit? Nëse ka një parti që ka votuar më shumë në Europë se kjo parti, nuk ka. Atëherë kemi të bëjmë me një çështje themelore.
Unë e kam parë kur vrapoi të elozhojë votën e transfiguruar nga patronazhistët, nga blerjet etj. Po njeriu në një moment duhet t’i thotë vetes: Enough is enough”- tha Berisha.