Pas rënies së regjimit komunist, në Shqipëri janë ngritur dhe kanë funksionuar dy komisione për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe kontrollin e figurës së zyrtarëve të shtetit. Bëhet fjalë për komisionet e famshme “Mezini” dhe “Bezhani”, të cilët tentuan të pengonin spiunët e Sigurimit të Shtetit, që të ngjiteshin në postet e larta drejtuese.
Por, krerët më të lartë të shtetit të atëhershëm dhe deputetë të Parlamentit, akuzoheshin si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, e megjithatë, ata u shpëtuan gjithsesi nga filtri i dy komisioneve në fjalë. Madje, ishin po këta bashkëpunëtorë që mundësuan edhe mbylljen e komisioneve në fjalë. Nga ana tjetër, ka dyshime se pikërisht spiunët më të zellshëm dhe famëkeq të Sigurimit të Shtetit u pajisën me certifikatë të pastërtisë së figurave. Por zhvillimet e fundit pritet të shkaktojnë “tërmet” në politikën shqiptare.
Deputetët e mazhorancës socialiste dhe Partisë Demokratike zyrtare kanë miratuar së fundmi dy propozimet e tyre për hapjen e plotë të dosjeve të depozituara dhe menaxhuara nga ish-organi famëkeq i shërbimit sekret në kohën e diktaturës komuniste dhe verifikimin e të gjithë figurave publike (ministra, deputetë, kryeministra, drejtues shtetërorë, etj.) nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtorë, agjentë të ish-Sigurimit të Shtetit, edhe për ata që kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga komisionet “Bezhani” dhe “Mezini”.
Berisha nis kërcënimet, 7 politikanë drejt përjashtimit nga politika
Burime të sigurta të gazetës “SOT” bëjnë me dije se kjo lëvizje ka “tërbuar” ish-kryeministrin Sali Berisha. Mësohet se kreu i “Foltores” po iu bën presion dhe shantazh të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike, që të mos votojnë hapjen e dosjeve. Ai kërkon që PD zyrtare të mbështesë “Foltoren”, pra draftin e Bylykbashit, që e amniston atë dhe djeg Metën. Pra, kjo nuk është gjë tjetër veçse një thirrje e Berishës për të sabotuar projektligjet që hapin dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Sali Berisha po iu kërkon deputetëve të mos hapin dosjet, pasi ka rreth e përqark tij edhe 7 politikanë të tjerë të lartë që kamuflohen me certifikatën e komisionit Mezini për t’i shpëtuar filtrave ligjorë. Burimet e gazetës “SOT” bëjnë me dije se ata janë pjesë e “Rithemelimit”.
Berisha është tërbuar nga kjo dhe ka nisur kërcënimet, por edhe për faktin se prej 1 javë Autoriteti i Dosjeve po tërheq dosjet e ish-Sigurimit nga Ministria e Brendshme. Sa herë që Berisha e ndjen se “laku” po i shtrëngohet, nis fuqishëm presionet si rrugëzgjidhja e tij e vetme, pasi në dorë i kanë mbetur vetëm “skenarët destabilizues”, ku si gardianë ka ndërkombëtarët, të cilët kanë paralajmëruar se nuk do lejojnë dhe janë gati për çdo trazirë që rrezikon vendin tonë.
Autoriteti i Dosjeve disponon të gjithë arkivën origjinale
Politika shqiptare është në ankth, pasi hapja e dosjeve në këto momente do të nxjerrë përgjithmonë nga politika politikanë shumë të njohur. Verifikimi i para 20 viteve me atë tani, sipas kryetares së autoritetit Gentiana Sula, është më i saktë për shkak të një arkivë më të plotë, si dhe mundësisë së një hulumtimi më të thellë si pasojë e modernizimit të saj.
“Ne kemi pasur dyshimet tona, administruam të gjithë arkivin e tyre. Praktikat që kanë sjellë në këto vendime ne i kemi marrë diku të paplota, diku pa firmë, pa vulë, pa relacione të hollësishme. Komisionet Mezini dhe Bezhani thjesht kanë bërë verifikimin përmes institucioneve të tjera, në atë kohë i ka bërë SHIK-u dhe Ministria e Brendshme verifikimet, ndërsa në rastin tonë arkiva është e gjitha këtu dhe kjo krijon një mjet të rëndësishëm për besimin, pasi jep instrumentin këtu në dorë.
Ndërkohë deri dje thuhej “ka dosje individi” dhe përmendej fjala dosje me një emër e kujt është dosja, ndërsa sot objektivi ynë është që përmes dosjes të shkohet tek dokumentet që ka brenda në dosje dhe përtej saj të shkohet tek dhënat që prodhohen brenda në dokument. Pra pa e disponuar arkivën nuk e bën dot këtë analizë”, është shprehur pak ditë më parë kryetarja e Autoritetit të Dosjeve.