Teksa kryeministri Edi Rama, ka folur në KiE në Strasburg, kundër raportit Dick Marty, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi e ka ndjekur live.
Euronews Albania udhëtoi drejt fshatit Burojë ku jeton babai i Hashim Thaçit, për të përcjellë emocionet e tij teksa ndjekë fjalën e Ramën në Këshillin e Europës.
Në video ai shfaqet i qetë ndërsa e ndjek me vëmendje fjalën e kryeministrit shqiptar.
Ndërkohë Artan Hoti, bashkëluftëtar i Thaçit, në një intervistë për gazetarin e Euronews Albania, Kosovë Gjoci, tregoi se si e pritën fjalimin e Ramës.
Hoti i cili e ndoqi fjalimin e kreut të qeverisë shqiptare së bashku me babanë e Thaçit, u shpreh se shqiptarët nga Kosova, Ramën kanë vëlla.
“Emocionet janë të jashtëzakonshme. Unë e falënderoj në emrin tim personal dhe në emrin e të gjithë ish-çlirimtarëve të fshatit Burojë Edi Rama. Kosovarët e kemi të gjithë vëlla Edi Ramën. Po mbështet gjithmonë ish-çlirimtarët e Kosovës. Nëse s’do ishte UÇK, Serbia nuk do ishte larguar që këtu.
Nga fjalimi i Ramës, më shumë më bëri përshtypje se i tregoi ndërkombëtarëve se Dick Marty bëri një shpifje ndaj UÇK-së. Edhe sot në Kosovë nuk bëhen transplante organesh. E dinë Europa dhe bota që UÇK-ja nuk ka qenë terroriste.
Presim dhe e dimë që janë të pafajshëm, na kanë marrë në qafë gënjeshtrat”- theksoi ai.
Në fjalën e tij Rama tha se akuzat për Thaçin dhe ushtarët e UÇK-së janë të rreme dhe të pavërtetuara.
Kreu i qeverisë, solli në vëmendje historinë e ”Shtëpisë së verdhë”, ku në raportin e Dick Marty, pretendohej se kryhej trafikimi i organeve.
Sipas tij, këto janë të pabaza, ndërsa shtoi se ajo ishte shtëpia e një familjeje të varfër shqiptare, që nuk kishte drita, ujë e as rrugë.